Avaria e një gomoneje në mes të detit në Dhërmi rrezikoi jetën e 5 personave në bordin e saj që mund të mbyteshin. Gomonia po lëvizte drejt Porto Palermos kur papritur pësoi defekt.

Policia Kufitare ndërhyri menjëherë pas marrjes së njoftimit dhe i shoqëruar drejtuesin e pasagjerët deri në breg. Të pestë ndodhen në gjendje të mirë shëndetësore.

Njoftimi i policisë

Dhërmi/Rrezikuan të mbyteshin në det pasi mjeti i tyre lundrues pësoi avari, Policia Kufitare  shpëton 5 shtetas. 

Menjëherë pas marrjes së njoftimit se një mjet lundrues gomone që po lëvizte në drejtim të Porto Palermos, kishte pësuar avari, shërbimet e Policisë Kufitare u nisën menjëherë drejt vendit të sinjalizuar.

Pas lokalizimit të mjetit lundrues, shërbimet e Policisë ndërhynë për t’i dhënë ndihmë drejtuesit të gomones dhe 4 shtetasve që ndodheshin në bord, të cilët i shoqëruan me mjetin lundrues të  Policisë Kufitare, deri në breg, në Porto Palermo.   

5 shtetasit ndodhen në gjendje të mirë shëndetësore dhe falënderuan punonjësit e Policisë Kufitare, për ndërhyrjen në kohë dhe ndihmën e dhënë.  

Policia Kufitare apelon për të gjithë drejtuesit e mjeteve lundruese që të tregojnë kujdes të shtuar, të marrin në konsideratë kushtet atmosferike dhe të shmangin daljen në det kur ato paraqesin rrezik për sigurinë e tyre.