Janë dokumente arkivore të panjohura më parë, të cilat hedhin dritë mbi veprimtarinë e Dhimitër Shuteriqit në jetën letrare, kulturore dhe institucionale të vendit dhe që prezantohen në librin e ri të gazetarit Dashnor Kaloçi.
“Ky libër është pjesë e një kolane me pesë botime kushtuar historisë së Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve. Gjatë hulumtimit të dokumenteve arkivore kam konstatuar se Dhimitër Shuteriqi nuk ka lënë asnjë dokument denoncues kundër kolegëve apo bashkëpunëtorëve të tij, gjë që flet shumë për karakterin dhe qëndrimin e tij.”, tha autori Dashnor Kaloçi.
Libri sjell edhe dëshmi të reja mbi marrëdhëniet e Shuteriqit me institucionet e kohës, duke synuar të pasurojë debatin dhe kujtesën historike për një nga figurat më të rëndësishme të letërsisë dhe kulturës shqiptare.
“Dhimitër Shutëriqi është një personalitet nga më të rëndësishmit të kulturës shqiptare. Ai ka dhënë kontribute themelore për kulturën, historinë dhe institucionet shqiptare. Libri është shumë interesant sepse e trajton figurën e tij përmes dokumenteve arkivore, duke sjellë një këndvështrim të ri për kohën dhe për vetë Shuteriqin.”, tha historiani Luan Malltezi.
Malltezi vlerësoi rolin e Shuteriqit në krye të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, si dhe kontributin e tij në zhvillimin e arsimit, kulturës dhe studimeve shqiptare. Sipas tij, libri ndihmon në kuptimin më të plotë të një periudhe komplekse të historisë së vendit.
Ndërsa e bija e Dhimitër Shuteriqit, studiuesja Zana Shuteriqi vlerëson punën kërkimore shumëvjeçare të Dashnor Kaloçit.
“Botime të këtilla janë shumë të vlefshme për një kujtesë që duhet ruajtur. Koha në të cilën veproi babai ynë ishte komplekse dhe e vështirë. Ky libër zbulon një anë të panjohur të tij dhe është i rëndësishëm jo vetëm për familjen, por edhe për shoqërinë.”, tha ajo.
Edhe pse këndvështrimet mbi figurën e Dhimitër Shuteriqit mund të jenë të ndryshme, kontributi i tij në kulturën dhe letërsinë shqiptare mbetet pjesë e rëndësishme e historisë sonë. Ky botim synon të sjellë dokumente, fakte dhe reflektim përtej paragjykimeve të kohës.
Komente











