Dhjetë pyetje publike për Lul Bashën

Dhjetë pyetje publike për Lul Bashën

Kreu i PD-së, Lulzim Basha

Bash në kulmin e temperaturave të larta të Korrikut, pikërisht atëherë kur temperaturat e luftës politike mes mazhorancës dhe opozitës shenojnë gradën “O” Lulzim Basha me të tijtë paskan thirrur kuvendin e Partisë së tyre.

Nuk ma zë më as goja ta them, as gishtat ta shkruaj Kuvendin Kombëtar të Partisë Demokratike të Shqipërisë sepse ajo (PDSH-ja) ka vite që e ka humbur emrin e përvitshëm të saj. Si parti që duhej të përfaqësonte interesat e shtresave të djathta të shoqërisë shqiptare.

Prej vitesh ajo është shndërruar në përfaqësuese të disa klaneve familjare të lidhura krye këput me maxhorancën dhe oligarkinë financiare të pushtetit.

Gjithashtu ajo ka pushuar me kohë së qeni demokratike edhe pse s’ja arriti ta meritojë plotësisht mbiemrin e saj ndër vite, në të shkuarën ajo ka bërë përpjekje serioze dhe sakrifica sublime që të ishte e tillë.

Por viteve të fundit nën drejtimin e Lul Bashës dhe të tijve s’ka më asnjë lidhje me mbiemrin e origjinës që i dha Lëvizja Studentore e Dhjetorit ’90 prej nga lindi dhe mori emrin, mbiemrin dhe identitetin kombëtar si Partia Demokratike e Shqipërisë.

Me pak fjalë ajo s’është ma as parti, aq më pak demokratike dhe për më keq akoma nuk është më në shërbim të Shqipërisë dhe shqiptarëve.

Ajo tashmë është thjeshtë përfaqësuese e bishtit të mazhorancës së Edi Ramës, shtojcë e sektit të Sorosit në Shqipëri dhe si një “strehë vorfnore” për një grup njerëzish që për nga origjina, veprimtaria dhe qëndrimet ndër vite i përkasin të djathtës historike por edhe atyre pak individëve që spikatën me kryeultësinë e tyre përgjatë këtyre tridhjetë viteve pluralizëm politik në Shqipëri.

Ky, grupi i fundit për fat të keq ndoshta pa vullnet dhe në mënyrë naive, për interesa të vogla, por besoj edhe nga dëshira për të qënë protagonist të ndryshimeve pozitive ka mbetur minorancë dhe po vazhdon të shërbej thjeshtë si një maskë për të mbuluar fytyrën e Lulit dhe të tijve në shërbim të “kapitalizmit te majtë botëror sorosian”, në shërbim të oktapodëve në gjakun e të cilëve është injektuar virusi i grupeve që se njeh familjen si intitucion themeltar të jetës dhe zhvillimit, që për zot njeh kryetarin e sektit dhe jo Atë që na ka falë dhe na drejton në jetën e përditshme dhe në atë të përjetshmen.

Pra ky Luli, përfaqësuesi i sektit, i ngarkuar për të udhehequr opozitën shqiptare pasi siguroj vulën e partisë edhe për katër vitet e ardhshme me një nxitim prej gjarpri, përmes një procesi mafioz të denjë për sekte dhe grupe marksist-leniniste, me po të njëjtin zell dhe me po të njëjtat procedura ka thirrur edhe kuvendin e të shtunës për të futur në “xhepin” e sektit që i përket edhe organet drejtuese të asaj që para pak vitesh quhej Partia Demokratike e Shqipërisë.

Unë për shumë kënd në Shqipëri mund të mos jem askush, ose një njeri që merrem me letërsi, poezi, mësimdhënie, jetë sociale dhe shoqërore, por për Partinë Demokratike të Shqipërisë kam qenë dhe jam pjesë e palcës së saj.

Palcë të cilën përditë e shoh të tkurret, të thahet, të përjashtohet dhe të vdes.

Unë jam njëri ndër ata treqind e disa Anëtar të Listes që Themeluan Partinë Demokratike, pluralizmin politik shqiptarë në Dhjetor të 90-s. Por me një ndryshim palcor, pa qënë kurrë anëtar i Partisë së Punës, sic qenë shumë prej anëtarëve të asaj liste.

Por jo vetëm kaq, as në rrënjën time familjare s’kishte asnjë anëtar të asaj partie terroriste që e çoj Shqipërinë në caqet e mbijetesës.

Unë në dallim me shumë anëtar të tjerë të asaj liste s’kam pas kurrfarë lidhje, as si individ as në bashkësinë e familjes time me sigurimin e shtetit, apo me organet e tjera të dhunës në diktaturë siç kanë pas një pjesë e atyre që kanë spikatur ndër vite në krye të punëve të shtetit dhe demokracisë.

Unë s’kam reshtur asnjë ditë të vetme përgjatë këtyre gati 31 viteve në përpjekjet e mia për ta forcuar demokracinë në partinë demokratike por edhe përtej saj në shoqërinë tone të kontaminuar.

Edhe pse nuk ja kam dalë, s’jam ndalur kurrë, as në 96-ën kur e ndalonin Azem Hajdarin të merrte pjesë në Kuvendin e partisë që e kishte themeluar dhe drejtuar në Dhjetor, as në 97-ën kur bandat e opozitës së asaj kohe në bashkëpunim me armiqtë e Shqipërisë e dogjën atdheun nga jugu në veri.

Unë i kam rezistuar horave, hajnave, servilëve, presioneve diplomatike, shantazhistëve korruptivë për 30 e sa vite vetëm e vetëm për ti qëndruar besnik lirisë së fjalës, demokracisë dhe besimit tek e vërteta.

Dhe mbi të gjitha për të qenë një atdhetar i mirë dhe i përulur.

Kam qenë Anëtar i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike të Shqipërisë prej vitit 1995, në fillim si përfaqësues i Degës Studenti dhe më pa i zgjedhur me votë të drejtpërdrejtë të delegatëve të kuvendit deri në vitin 2017.

Në kuvendin ku Partia Demokratike ju dorëzua përfundimisht sektit të udhëhequr nga Lul Basha dhe të tijve.

Në kuvendin e fundit përveçse u përjashtova (megjithëse mora vota ma shumë se gjithë kryesia e Lulit) nuk mu dha as fjala që për mua ishte dhe mbetet “A-j”, shenjtëria e demokracisë.

Tashmë në partinë e Lulit dhe të tijve që është shkelur edhe “Zh-ja” jo vetëm që nuk jam delegate por nuk e kam asnjë ftesë si themelues.

Bislim Ahmetaj, si Anëtari Themelues I PDSH, ndoshta i vetmi i tepruar nga ajo listë themeluese që nuk ju ka ndarë për asnjë ditë Partisë Demokratike njëlloj, sikur kur nuk ishte dakord me Azem Hajdarin në ato pak ditë që ai ishte kryetar apo me Eduard Selamin në ato pak vite kur Sali Berisha u zgjodh President I Republikës dhe mandati i tij binte ndesh me Kushtetutën. Po të njëjtat raporte me lirinë dhe të drejtën e fjalës i kam ruajtur edhe me Tritan Shehun që e pasoj në këtë post Eduart Selamin dhe më pas për shumë e shumë vite me Sali Berishën.

Njëlloj si kur kemi qenë në pushtet po ashtu edhe në opozitë. Por asnjëri prej tyre s’ka “guxuar” të ma mbyllë gojën, aq më pak të më përjashtoj nga Partia Demokratike e Shqipërisë.

Tash që ajo është partia e Lulit dhe e të tijve, unë nuk ndihem “I përjashtuar” prej saj, përkundrazi unë nuk dua të jem më në një parti që s’ka asnjë lidhje me lirinë, me demokracinë, me drejtësinë, barazinë para ligjit dhe shtetin ligjor, me familjen dhe krijuesin, me aspiratat perëndimore te kësaj partie kur ajo lindi me sloganin “E duam Shqipërinë si gjithë Europën”.

Unë e kam treguar në vite me veprimtarinë time publike që për të tjera vlera jetoj dhe veproj ndaj s’kam ndonjë qejf mbetje për “përjashtimin” tim, por ama anëtarëve të familjes politike që i përkas kam të drejtë t’ia lëshoj disa pyetje për kuvendin e 17 Korrikut që për mua shënon vdekjen e shpirtit të lirisë së kësaj partie që u themelua si parti e lirisë dhe demokracisë.

Po të isha delegate apo i ftuar në kuvendin e nesërm do ta kërkoja fjalën edhe pse e kam provuar që Luli dhe argatët që e ndihmojnë për shkatërrimin përfundimtar të Partisë Demokratike dhe shndrrimin e saj në shtojcë të sektit të pushtetit do ti kisha drejtuar disa pyetje, thuajse i sigurtë që s’do të merrja përgjigje për to, as nga ai, as nga mercenarët e tij.

Por për hir të lirisë dhe të drejtës së fjalës për të cilën unë kam sakrifikuar përveç karrierës edhe shumë benefite personale dhe familjare pyetjet do t'i bëj publikisht, përmes atyre mediave që i publikojnë dhe medias sociale 'Facebook' që për fat akoma s’na e ka mbyllur gojën.

I bindur që s’kam me marrë asnjë përgjigje as prej atij personalisht, as prej përfaqësuesve të sektit të tij këto pyetje uroj të trazojnë sadopak shpirtrat e atyre që ju dhemb Partia Demokratike njëlloj si mua që ai po jua përvetëson dhe po jua shndërron në një parti klani familjar njëlloj sic ka vepruar me qindra mijëra idealist shqiptarë përgjatë këtyre viteve që kur ju dorëzua padrejtësisht drejtimi i opozitës shqiptare.

Me këto pyetje dua të ju drejtohem edhe atyre që nuk janë pjesë e drejtpërdrejtë e Partisë Demokratike por kanë varur shpresat dhe besimin që një ditë shpresa dhe besimi i tyre do të bahen realitet përmes kësaj force politike.

Këto pyetje i bëj edhe për miqtë tanë perëndimor me të cilët ti Lul, nuk gjete asnjë ditë të vetme paqe dhe koherencë për gati një dekadë sa të është besuar drejtimi i opozitës së vendit.

Këto pyetje i bëj edhe për me e la dhe me e pas të qetë shpirtin tim, si thoshte i përkori Pjetër Arbnori.

Pyetja Nr. 1: Pse e pate tanë atë nxitim me u riafirmue kryetar pas humbjes dramatike të 25 Prillit, pa të shkuar mendja me kërkuar asnjë falje anëtarësisë , pa dhënë një dorëheqje formale pas humbjes së radhës , apo pa u “ngri” të paktën siç ta rekomanduan herën e parë???

Pyetja Nr.2: Pse organizove çdo burim njerëzor dhe material, që rezultati dëshpërues i humbjes së garës tënde individuale me Edi Ramën për kryeministër të vendit në zgjedhjet e 25 Prillit të shpërblehej në zgjedhjet e brendshme të partisë me një rezultat tmerrësisht jo të besueshëm(81%)?!?

Pyetje nr. 3: A mendon që rezultati “I fitores” tënde brenda partisë ka ndikuar në rritjen e besimit të demokratëve që pas katër vitesh mund të bëhesh prapë kryeministër?!?

Pyetja Nr.4: A thua je ba aq paranojak sa ke filluar dhe i beson konspiracioneve të Kastriot Myftarajt që vërtetë ke gjakun e diktatorit Hoxha dhe për pasoj je i shënjuar për ta sunduar këtë vend?!?

Pyetja Nr. 5: A do ti tregosh kuvendit të cilin e ke thirrur në thyerje të çdo norme statusore dhe pa asnjë arsye urgjente, njëlloj si zgjedhjen tënde pa dorëheqje, se cili ka qenë kontributi yt në shpalljen “non grata” të Sali Berishës nga Departamenti i Shtetit Amerikan dhe cili do të jetë pozicioni i zotit Berisha në grupin parlamentar të partisë tende në legjislaturën që nis në shtator të vitit 2021 që ti e njeh dhe se njeh?!?

Pyetja Nr. 6: A do ta bësh ndonjëherë publike “marrëveshjen” e 18 Majit mes teje dhe Edi Ramës para demokratëve, rast më të mirë se kuvendi nuk besoj se mund të ketë, nesër e ke këtë shans?!?

Pyetje Nr. 7: A do të besoj kush në kuvendin tënd privat që analiza nëpër degë u ba reale, pasi janë po ata, delegatët e pazgjedhur nga askush dëshmitarët e së kundërtës?!?

Pyetje Nr. 8: A din me i kallzue kuvendit tënd se kush ti ka propozue ata katër pesëqind emra njerëzish që do të “votohen” si anëtar të këshillit tënd kombëtar, disa prej tyre njerëz me integritet dhe kontribute por dhjetra të tjerë numra rendor që si njeh as oborri i shtëpisë së vet, njëlloj si ata të listave për deputet të vitit 2017 e pse jo edhe këto të 2021-it?!?

Pyetje Nr.9: A e din se sa prej asaj liste që i është propozuar për votim kuvendit tënd dhe shokëve tu janë bashkëpunëtor të sigurimit të shtetit, ish anëtarë të Partisë së Punës, apo subject i ligjit “tënd” të famshëm për dekriminalizimin?!?

Dhe pyetja e fundit me Nr. 10: A do ta bësh një akt që askush se ka bërë akoma në këtë vend?

A do ta japësh dorëheqjen nga kryetar i pazgjedhur i opozitës?!?

Bëja këtë nder Shqipërisë, do te kujtohesh gjate me beso.

Hiqja të paktën një litar nga qafa njerëzve të këtij vendi të cilët edhe kaq, ju ka mjaftuar për të qenë të dëshpëruar, të tronditur dhe të pa shpresë.

Nëqoftëse do t'i përgjigjesh pozitivisht pyetjes së fundit, të tjerat presin dhe mund ti fal jo vetëm unë por edhe bashkëvendësit e mi.

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • O tej: 17/07/2021 15:31

    Po Lulashi eshte nje zgjatim i zorres trashe i Berishes.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja