Dhoma e Përfaqësuesve miraton ligjin kundër pronësisë kineze të TikTok-ut

UASHINGTON – Dhoma e Përfaqësuesve e Kongresit amerikan, miratoi sot një projekt-ligj, sipas së cilit aplikacioni i njohur TikTok ose duhet të shkëputet nga kompania kineze ByteDance që e ka në pronësi, ose të shesë versionin amerikan të tij, që të vazhdojë të lejohet të përdoret në Shtetet e Bashkuara.

Projekt-ligji dypartiak i jep TikTok-ut gjashtë muaj kohë për t’u shkëputur nga kontrolli i huaj, përfshirë daljen nga pronësia e kompanisë ByteDance.

Sipas ligjvënësve amerikanë, kompania ByteDance kontrollohet nga qeveria kineze, e cila mund të kërkojë në çdo kohë të ketë qasje tek të dhënat e konsumatorëve të TikTok-ut në SHBA në çdo kohë që dëshiron.

Ky shqetësim i ka bazat tek një sërë ligjesh të sigurisë kombëtare kineze, sipas së cilave kompanitë janë të detyruara të ndihmojnë në mbledhjen e informacionit të zbulimit.

Megjithëse Dhoma e Përfaqësuesve e miratoi projekt-ligjin, fati i tij në Senat është i pasigurt.

Përse TikTok-u është vendosur në qendër të vëmendjes?

“Shqetësimi është se TikTok-u mund t’i transferojë të dhënat personale tek kompania mëmë ByteDance, e cila do t’ia kalonte ato qeverisë kineze”, i tha Zërit të Amerikës Caitlin Chin-Rothmann, studiuese në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare.

Ajo thotë se shqetësimet e disa prej anëtarëve të Kongresit për mundësinë e kontrollit nga Partia Komuniste Kineze të algoritmit të TikTok-ut për qëllime propagandistike nuk janë provuar ende.

“Kjo nuk do të thotë se nuk ka rrezik që në të ardhmen qeveria kineze të ushtrojë presion”, tha ajo.

Çfarë thotë TikTok-u për këtë legjislacion?

Kompania TikTok e quajti të hënën ligjin një masë ndalimi dhe ka mohuar vazhdimisht akuzat ndaj saj. Në një deklaratë të bërë javën e kaluar në rrjetin X, kompania tha se “legjislacioni ka një rezultat të paracaktuar: ndalimin e plotë të TikTok-ut në Shtetet e Bashkuara”.

Cilat kanë qenë pikëpamjet e ligjvënësve për këtë legjislacion?

Projektligji pati mbështetje të fortë nga ligjvënësit demokratë dhe republikanë, megjithëse zyrat e Kongresit kanë marrë telefonata të shumta nga amerikanë të shqetësuar për mundësinë e humbjes së këtij aplikacioni të mediave sociale.

Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson u tha gazetarëve javën e kaluar se “është një masë e rëndësishme me mbështetje dypartiake ndaj Kinës, kundërshtarit tonë më të madh gjeopolitik, që po dëmton në mënyrë aktive ekonominë dhe sigurinë tonë”.

Si do të pritet në Senat?

Projektligji mund të ketë shumë më tepër vështirësi për t’u miratuar në Senatin me shumicë demokrate, ku drejtuesi i shumicës Chuck Schumer ka thënë se do të shqyrtohet nga komisionet përkatëse.

“Do të dëgjoj pikëpamjet e tyre për ligjin dhe do të vendos për mënyrën më të mirë”, tha zoti Schumer në një deklaratë.

Disa senatorë demokratë, ndër ta Mark Warner, kryetar i Komisionit të Senatit për Zbulimin, kanë shprehur dyshime për ligjshmërinë e të veçuarit të një aplikacioni të caktuar të mediave sociale në një projektligj. Ai ka sugjeruar legjislacion më të gjerë për aplikacionet që mbledhin të dhëna personale.

Por senatori Warner i tha të dielën kanalit CBS News, se TikTok-u është një shqetësim serioz për sigurinë kombëtare.

“Nëse nuk mendoni se Partia Komuniste Kineze mundet ta transformojë algoritmin që t’i përshtatet dhënies së lajmeve që reflektojnë pikëpamjet e tyre, atëherë nuk mendoj se e njihni siç duhet natyrën e këtij rreziku”, tha senatori Warner.

Çfarë mendojnë për këtë ligj kandidatët kryesorë për president?

Shtëpia e Bardhë tha se e mirëpret këtë legjislacion të ri, megjithëse zyrtarët e fushatës elektorale të presidentit Biden bashkuan rishtazi forcat me TikTok-un, në kuadrin e përpjekjeve për të përçuar mesazhin tek votuesit e moshave të reja.

Sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karine Jean-Pierre, u tha gazetarëve se ligji garanton që “pronësia të mos jetë në duart e atyre që dëshirojnë të na dëmtojnë”.

Ish presidenti Donald Trump, i cili pati bërë thirrje fillimisht për ndalimin e këtij aplikacioni në vitin 2020, ka ndryshuar tashmë qëndrim dhe ka thënë se do të fuqizohej Facebook-u nëse TikTok-u nuk do të ishte më i disponueshëm.

“Ka shumë gjëra të mira dhe shumë të këqija me TikTok-un. Por ajo që nuk më pëlqen është se pa TikTok-un, do të bëhet Facebook-u edhe më i madh”, i tha ai këtë javë kanalit CNBC gjatë një interviste me telefon.

Çfarë ndodh pas miratimit në Dhomën e Përfaqësuesve?

Krahas shqetësimeve kushtetuese për pengimin e ushtrimit të lirisë së shprehjes së shtetasve amerikanë, ligji do të haste gjithashtu vështirësi në zbatimin e tij dhe do të përballet me sfida në gjykatat amerikane.

“Ligjet kineze për kontrollin e eksporteve mund të ndalojnë shitjen e algoritmit të TikTok-ut”, tha zonja Chin-Rothmann. “Shkëputja e kësaj kompanie do të ishte në përgjithësi shumë e vështirë nga pikëpamja logjistike. TikTok-u është një ndër kompanitë më të mëdha në botë. Kështu që një blerës i mundshëm duhet të jetë gjithashtu një blerës i madh. Duhet të kenë një interes strategjik për ta blerë TikTok-un, dhe blerja duhet të mos ngrejë shqetësime për krijim monopoli në Shtetet e Bashkuara”./ VOA

K.M//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Puna e SPAK në 2024, Dervishi: Po u zbardh çka ndodhur me Ervis Martinajn bie piramida e krimit! Petraj: Si u privatizua CEZ do hap 'Kutinë e Pandorës'

Puna e SPAK në 2024, Dervishi: Po u zbardh çka ndodhur me Ervis Martinajn bie piramida e krimit! Petraj: Si u privatizua CEZ do hap 'Kutinë e Pandorës'