“Dhomat e Vizatimit” është ekspozita me 87 grafika dhe vizatime nga 24 artistë shqiptarë, e cila është hapur këto ditë në Tiranë nën kurimin e Alba Sgarbit dhe Artan Shabanit. Lajmin për çeljen e kësaj ekspozite e bën të ditur përmes rrjeteve sociale edhe kritiku i njohur italian i artit dhe trashegimisë kulturore, Vittorio Sgarbi. Ai bën me dije se vajza e tij, Alba është kuratore e kësaj ekspozite tepër të rëndësishme që bën bashkë artistë shqiptarë bashkëkohorë dhe të traditës.
"Unë shpreh admirimin tim për vajzën time, Albën, për entuziazmin dhe përkushtimin e saj në realizimin e një ekspozite arti europian dhe ndërkombëtar në hapësirat e reja të Tiranës. Ajo ndërmori këtë iniciativë së bashku me Artan Shabanin, i cili ka qenë drejtor i Galerisë Kombëtare të Arteve në Tiranë dhe që së bashku me të përgatiti një përzgjedhje veprash të rëndësishme e domethënëse nga artistë avangardë, si edhe nga artistë që mishërojnë traditën dhe ruajtjen e saj. Në këtë këndvështrim, ekspozita paraqitet si një risi dhe për Tiranën përfaqëson një moment angazhimi, ku unë shoh se vajza ime po dëshmon vullnetin dhe aftësinë e saj për të realizuar gjëra të rëndësishme dhe me peshë. Prandaj, bravo Alba, unë shpreh admirimin tim për ty, për punën dhe përkushtimin tënd", thotë ai.
Në ekspozitë gjenden vepra të artistëve të njohur e të afirmuar, si: Zef Shoshi, Sofia Zengo Papadhimitri, Ksenofon Dilo, Guri Madhi, Bujar Zajmi e shumë të tjerë, puna e të cilëve paraqitet krahas disa krijimeve bashkëkohore, duke sjellë një panoramë mbi zhvillimin e vizatimit në Shqipëri.
Ekspozita ndalet dhe te fillesat e Shkollës së vizatimit në Shqipëri në vitin 1931, me pedagogë, si: Mario Ridola, Andrea Kushi, Abdurrahim Buza, Lasgush Poradeci e të tjerë dhe rolin e tyre në formimin e brezave të parë të artistëve shqiptarë.
“Dhomat e vizatimit” përfshin pothuajse dy shekuj krijimtarie të artistëve shqiptarë në grafikë, vizatime, pastel etj. dhe sjell në një prezantim të përbashkët teknika dhe tradita të ndryshme të artit shqiptar. Ajo do të qëndrojë e çelur në galerinë MAG deri më 28 janar 2026.
Komente












