“Dhomat e Vizatimit” është ekspozita me 87 grafika dhe vizatime nga 24 artistë shqiptarë, e cila është hapur këto ditë në Tiranë nën kurimin e Artan Shabanit dhe Alba Sgarbit. Lajmin për çeljen e kësaj ekspozite e bën të ditur përmes rrjeteve sociale edhe kritiku i njohur italian i artit dhe trashegimisë kulturore, Vittorio Sgarbi. Ai bën me dije se vajza e tij, Alba është kuratore e kësaj ekspozite tepër të rëndësishme që bën bashkë artistë shqiptarë bashkëkohorë dhe të traditës. Ndërkohë, koordinator i ekspozitës është Matias Shabani, djali i Artan Shabanit.
"Unë shpreh admirimin tim për vajzën time, Albën, për entuziazmin dhe përkushtimin e saj në realizimin e një ekspozite arti europian dhe ndërkombëtar në hapësirat e reja të Tiranës. Ajo ndërmori këtë iniciativë së bashku me Artan Shabanin, i cili ka qenë drejtor i Galerisë Kombëtare të Arteve në Tiranë dhe që së bashku me të përgatiti një përzgjedhje veprash të rëndësishme e domethënëse nga artistë avangardë, si edhe nga artistë që mishërojnë traditën dhe ruajtjen e saj. Në këtë këndvështrim, ekspozita paraqitet si një risi dhe për Tiranën përfaqëson një moment angazhimi, ku unë shoh se vajza ime po dëshmon vullnetin dhe aftësinë e saj për të realizuar gjëra të rëndësishme dhe me peshë. Prandaj, bravo Alba, unë shpreh admirimin tim për ty, për punën dhe përkushtimin tënd", thotë ai.
Në ekspozitë gjenden vepra të artistëve të njohur e të afirmuar, si: Peter Assmann, Stefano Albanese, Elvira Bach, Renate Gabriele Bachem, Michael Bette, Lumturi Blloshmi, Ardit Boriçi, Adrian Çene, Marion Eichmann, Marco Fantini, Gjelosh Gjokaj, Leonor Fini, Conrad Felixmüller, Ben Kamili, Käthe Kollëitz, Lindita Marku. Artan Marku, Guri Madhi, Alkan Nallbani, Çatin Saraçi, Arjan Shehaj, Sali Shijaku, Dhimitër Theodhori, Eltjon Valle dhe Maks Velo, puna e të cilëve paraqitet krahas disa krijimeve bashkëkohore, duke sjellë një panoramë mbi zhvillimin e vizatimit në Shqipëri.
Ekspozita ndalet dhe te fillesat e Shkollës së vizatimit në Shqipëri në vitin 1931, me pedagogë, si: Mario Ridola, Andrea Kushi, Abdurrahim Buza, Lasgush Poradeci e të tjerë dhe rolin e tyre në formimin e brezave të parë të artistëve shqiptarë.
“Dhomat e vizatimit” përfshin pothuajse dy shekuj krijimtarie të artistëve shqiptarë në grafikë, vizatime, pastel etj. dhe sjell në një prezantim të përbashkët teknika dhe tradita të ndryshme të artit shqiptar. Ajo do të qëndrojë e çelur në galerinë MAG deri më 28 janar 2026.
Vizatimet e paraqitura vënë në baraspeshë idetë mbi cilësinë e krijimit të cilat shfaqen përmes veprimit të artistit dhe kumteve, të kushtëzuara nga kohët historike dhe shkollat akademike.
Kompozimi i ekspozitës paraqitet si pjesë e një qasje të vetme, galeria është shndërruar në një hapësire e natyrshme në të cilën format dhe shëmbëlltyrat midis veprave marrin një tis magjie. Krijimet e ekspozuara në thelb janë reflektime edhe të vet shpirtit të artisteve.
Në sallat e galerisë janë të dukshme lidhjet midis personazheve. Bëhet fjalë për përkimin e imagjinatës së artistit me atë të shikuesit në një mënyrë të re për të kuptuar dhe ndjerë njëri-tjetrin, një hapësirë ku shpërfaqen ndjesi më të thella, edhe pse jo të drejtpërdrejta, pasi ka të bëjë me një përfytyrim të përjetshëm.
Artistit bashkëkohor i pëlqen të tejkalojë gjetjet artistike, në disa vepra ajo që shpesh mund të duket si një lojë grafike dëshmohet se është një reflektim i perceptimit dhe veçanërisht një ngacmim për të kuptuar sesi ngjyra përmban gjithmonë fuqi të fshehur. Shikuesi merr kënaqësi dhe hyn në brendësinë e veprave ku ndjen gjurmët artistike te krijuesve.
Kur flasim për grafikën dhe veçanërisht për vizatimin, natyrshëm lind kureshtja për të kuptuar si u krijua në vendin tonë?, kush ishin emrat dhe konteksti historik në Shqipëri dhe si u zhvillua vizatimi.
Pak informacion lidhur me shkollën vizatimit në Shqipëri.

Në vitin 1931 fillon në Tiranë Kursi i vizatimit me piktorin italian Mario Ridola dhe Andrea Kushin. Ridola ishte drejtori i parë (kur kursi kthehet në shkollë të rregullt). Mbas një kohe të shkurtër zëvendësohet nga Odise Paskali. Vlen për t'u saktësuar, se pedagogët e parë në Shkollën e vizatimit ishin Andrea Kushi, Abdurrahim Buza, Lasgush Poradeci, i cili jepte lëndën histori arti, Hajro Xhunga që jepte lëndën e Gjeometrisë deskriptive ose siç e quajmë shkurtimisht, Perspektivën artistike dhe Mihal Zallari (Histori - Gjeografi).
Në vitin 1933 kemi zyrtarizimin e shkollës së parë, kushtuar Artit Pamor, me emërtimin "Shkolla e vizatimit". Ndërtesa, ku u ngrit Shkolla e vizatimit, ka qenë ndër më të bukurat e kohës, dmth gjatë harkut të viteve 30. Një shtëpi banimi e Prefektit të parë të Tiranës, Qamil Pepa. Aty studiuan emra të rëndësishëm të Artit Shqiptar, të cilët fituan bursa të merituara në akademitë e Romës, Firences, Parisit,Torinos etj. Vlen për t'u përmendur, që në Tiranë, gjatë vitit 1933, kemi ndërtimin e Kompleksit të Ministrive, hapjen e Bulevardit të Madh, zyrave të fashos, sot Universiteti i Tiranës , ngrihet ngrehina, ku sot kemi Institutin e Arteve, Muzeu Arkeologjik, Kolonat dhe Stadiumin Olimpik "Qemal Stafa".
Godinat krijonin një figuracion të caktuar të arkitekturës tipike fashiste, ''Shpata e liktorit''. Ndihet një hov i frymës italiane në arkitekturë, në planet rregulluese të qyteteve kryesore të vendit, Tiranë, Elbasan, Rubik, Porto Eda (Saranda), Berat etj. Ideja për të bërë bashkë veprat e artistëve shqiptarë në të njëjtin zhanër ishte një ndër projektet, që kam pasur për zemër.
Artistët Zef Shoshi, Sofia Zengo Papadhimitri, Ksenofon Dilo, Guri Madhi, Bujar Zajmi, etj, kanë dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm me veprat e tyre në zhvillimin e artit realist shqiptar, një pjesë e madhe janë pjesë koleksioneve të muzeve, galerive, institucioneve publike dhe shume botimeve të ndryshme dedikuar studimeve të artit shqiptar.

Komente












