Dhuna në Beograd, FSHF premton:
S’do dorëzohemi për asnjë moment

Dhuna në Beograd, FSHF premton:<br />S’do dorëzohemi për asnjë moment
Kohë falënderimesh për qeverinë e futbollit shqiptar . Federata Shqiptare e Futbollit përmes një njoftimi në faqen zyrtare ka falënderuar të gjithë tifozët dhe institucionet e vendit për mbështetjen në këtë moment ndoshta historik që gjendet futbollit shqiptar përsa i përket çështjes që po zhvillohet në UEFA për dhunën në Beograd në ndeshjen Serbi – Shqipëri.

Gjithashtu, FSHF ka falënderuar të gjithë këshillat e bashkive të vendit që shpallën “Qytetar Nderi” të Ekipin Kombëtar të Futbollit dhe Presidentin Armand Duka. Në fund FSHF garanton tifozët dhe opinionin sportiv se “ju premtojmë që nuk do të rreshtin deri në fund, për të mirën e futbollit shqiptar”.
 
Aktualisht FSHF është duke u përgatitur për përballjen me Serbinë në Apel, pas masave të ashpra që vendosi Disiplina për kuqezinjtë duke i akuzuar për braktisjen e fushës dhe hedhjen e dronit dhe dënuar me humbjen e ndeshjes në tavolinë dhe gjobë 100 mijë Euro.

Njoftimi i plotë
Federata Shqiptare e Futbollit,gjen rastin të falenderojë të gjithë tifozët shqiptarë anembanë botës, për mbështetjen që i ka dhënë kombëtares dhe FSHF. Menjëherë, pas ngjarjeve të dhunshme, të ndodhura në stadiumin “Partizani” të Beogradit dhe deri në ditët e fundit, lojtarët e ekipit përfaqësues dhe stafi i FSHF, kanë ndjerë mbështetjen e qindra mijra njerëzve, të cilët i kanë qëndruar pranë me mesazhet e tyre. Ne kemi ndjerë dashurinë e tifozëve tanë kudo që jetojnë e punojnë, për ekipin kombëtar që është dhe mbetet një simbol i të gjithë shqiptarëve.

Në përpjekjet tona për të fituar betejën juridike dhe për të sqaruar sa më qartë, opinionin botëror në lidhje me aktet e dhunës dhe shfaqjet e racizmit ekstrem në Beograd, krahas mbështetjes morale, ne na janë ofruar shumë foto, video dhe materiale të tjera, që tregojnë preokupimin e tifozëve shqiptarë, që futbolli ynë, të përfaqësohet sa më denjësisht. I falenderojmë të gjithë, përzemërsisht.

Ne gjejmë rastin gjithashtu, të falenderojmë të gjitha organizmat shtetërore duke nisur nga nivelet më të larta, Presidentin e Republikës, Kryeministrin e Shqipërisë, Ministrat Bushati, Tahiri dhe Nikolla, për qëndrimin ndaj kësaj çështjeje dhe suportit që kanë krijuar për FSHF, në rajon, Europë dhe më gjerë.

Vlerësojmë shoqata të ndryshme sportive ose dhe aktivistë të shoqërisë civile, për mbështjetjen dhe ndihmën që na kanë ofruar. FSHF është e prekur nga vlerësimi dhe falenderon Këshillin Bashkiak të Vlorës, për shpalljen “Qytetar Nderi” të Ekipit Kombëtar të Futbollit dhe Presidentit Armand Duka, Këshillin Bashkiak të Gjirokastrës që gjithashtu, ka shpallur “Qytetar Nderi”, Presidentin e FSHF dhe Këshillin Bashkiak të Tropojës dhe Kamzës, që kanë shpallur “Qytetar Nderi” kapitenin Lorik Cana.

Nëpërmjet këtyre mesazheve të ardhura në forma nga më të ndryshmet, nga institucione, shoqata dhe individë, ne si Federatë Shqiptare e Futbollit kemi kuptuar, solidaritetin njerëzor të shfaqur nga ana e shqiptarëve dhe vlerësimin për punën e deritanishme. Të gjitha këto, ne i shikojmë si mbështetje për futbollin shqiptar dhe institucionet e tij, të cilat tashmë ndjehen më të plotësuara se kurrë dhe të mbështetura nga shumica e shqiptarëve brenda dhe jashtë kufijve. 

Në këto ditë intensive pune dhe tensioni, për asnjë çast nuk jemi ndjerë vetëm.Kudo kemi gjetur mbështetje dhe ngrohtësi, që na ka motivuar edhe më shumë në përpjekjet tona, të cilat ju premtojmë që nuk do të rreshtin deri në fund, për të mirën e futbollit dhe për krenarinë që i jep, të gjithë shqiptarëve kjo lojë.

d.b/shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Krijohet dhe 'Djathtas', a do i mbështesni partitë e reja në 2025?



×

Lajmi i fundit

Zyrtari i lartë i Partisë Komuniste të Kinës e viziton Serbinë

Zyrtari i lartë i Partisë Komuniste të Kinës e viziton Serbinë