Deputetja e Partisë Socialiste Mimoza Hafizi dhe zëdhënësja e Partisë Demokratike Ina Zhupa në dy deklarata të veçanta kanë reaguar daj dhunimit të 3-vjeçarit në kopshtin e parashkollorit në Sauk të Tiranës nga pronarja e kopshtit ku kanë kritikuar Ministrinë e Arsimit për mungesë kontrolli të institucioni që drejtohet nga Nikolla.

Hafizi, reagimin e ka bërë në rrjetin social Facebook ku ka thënë se paaftësia e shtetit është po aq ulëritëse sa britmat e vogëlushit, ndërkohë që Partia demokratike ka thënë se ky kopsht nuk mund të funksiononte pa “bekimin” e Ministrisë së Arsimit.

Ja reagimi i deputetes Mimoza Hafizi
Skenat e dhunës mbi një të mitur na kanë drithëruar edhe pse ndodhën në një institucion, ku prindërit kanë dorëzuar me besim fëmijët e tyre. Kanë dorëzuar fëmijët, duke menduar se shteti e ka ushtruar seriozisht kontrollin e ligjshmërisë dhe të cilësisë. Pasi bëhet fjalë për jetën e fëmijëve të vegjël, të pafuqishëm e të pazotë për t’u vetëmbrojtur. 
Por duket qartë se shteti nuk e ka bërë detyrën, ndonëse deklarata e Ministrisë së Arsimit hedh terr, duke shpërndarë përgjegjësi tek ata që nuk u takon.
A i ka ushtruar me përgjegjësi Ministria e Arsimit kontrollet që ia kërkon ligji? Këtë ka nevojë ta dijë çdo shqiptar. Se nga kjo varet siguria në institucionet e arsimit. Po kush mund ta verifikojë? Kush do të japë llogari? Vetë Ministria? Kjo s’ka për të ndodhur.
Para një muaji, i kam kërkuar një informacion të rëndësishëm Ministrisë së Arsimit, në rrugë zyrtare dhe mbështetur në statusin tim si deputete. Informacioni bazohej mbi dy pyetje: Si e ka ushtruar Ministria e Arsimit kontrollin e detyrueshëm financiar mbi universitetet publike? Si e ka ushtruar Ministria e Arsimit kontrollin e ligjshmërisë në universitete? Letra ime kërkon vetëm transparencë, të cilën dua ta ndaj me pedagogët dhe studentët.
Kjo Ministri duhej të më kthente përgjigje brenda dy javësh. E thotë ligji. Por unë nuk kam marrë asnjë përgjigje! Ia kam apeluar çështjen ballazi ministres, në parlament, para dy javësh. Deklarime dhe premtime boshe nga tribuna e parlamentit, por asnjë përgjigje! I kam dërguar letër kryeministrit. Kështu ma kërkon ligji. Ende nuk kam asnjë përgjigje! Kam ndjekur të gjitha rrugët ligjore që më japin të drejtën e këtij informacioni, të kësaj transparence. Por ministrja dhe kryeministri thyejnë ligjin, duke heshtur me arrogancë.
Beteja vazhdon, sigurisht, unë nuk kam ndërmend të stepem.Por imagjinoni, miq, se çfarë transparence dhe përgjigje do të marrim për kontrollet në kopshte?.Imagjinoni se çfarë përgjigje do të marrin qytetarët për kontrollet e shtetit në shkolla, në universitete, kontrolle të domosdoshme për sigurinë publike. Për të cilat ne paguajmë me paret tona, nga mundi ynë, me mijra njerëz. Asnjë përgjigje! Me arrogancën më të papranueshme.
Kjo paaftësi, kjo papërgjegjshmëri, kjo arrogancë janë po aq ulëritëse sa dhe britmat e vogëlushit të dhunuar, që na kanë rrënqethur si komb.
 
 Ja deklarata e plotë e Ina Zhupës
Skandali i dhunimit të fëmijës në kopshtin privat në Tiranë, u thellua dje kur vetë me gojën e saj Ministrja e Arsimit refuzoi të mbajë përgjegjësitë e saj, edhe pse ky institucion ishte i palicencuar në zemër të kryeqytetit.
Sipas Lindita Nikollës, faji është i prindërve.
Ekzistenca e këtij kopshti privat në zemër të Tiranës, pa liçensë është një shkelje e rëndë e ligjit dhe ne i bëjmë thirrje prokurorisë të hedhë dritë sa më shpejt mbi këtë krim.
Është e qartë se ky aktivitet nuk bëhej pa dijeninë e Ministrisë së Arsimit, pa dijeninë e Lindita Nikollës.
Por bëhej me dijeninë e tyre të plotë, me bekimin e tyre të plotë.
Dikush ka marrë para që kopshti pa licencë të punonte.
Dikush është paguar mirë që kjo paligjshmëri të mos prekej.
Nxisim prokurorinë që të bëjë një hetim të shpejtë e serioz, për të nxjerrë në dritën e diellit se kush e merrte ryshfetin në Ministrinë e Lindita Nikollës, vartësit e saj apo ajo vetë.
Një drejtësi e plotë dhe e rreptë për këtë rast, do të ndihmonte në rritjen e sigurisë për fëmijët dhe vogëlushët e pambrojtur.
Por kjo është më shumë se historia e një kopshti pa licensë ku dhunohet mizorisht një i mitur.
Krejt vendi, Shqipëria është në të njëtin realitet, ku Edi Rama, dhunon të dobtit, të pamundurit.
U merr atyre dhe qindarkën e fundit.
I përplas në varfëri e mjerim.
Në burgje e në errësirë.
Dhe në fund, ky delirant i papërgjegjshëm, na shfaqet si Marigoja i qëndismave në bluzën e kombëtares.
Mendon se do ti shpëtojë ndëshkimit popullor me votë për krimet dhe korrupsionin, duke mashtruar paturpësisht për një bluzë.
Po në të vërtetë gjithkush e di se ai është autori i Rroshit, Bushit, Bardhit, Prengës, Ndokës dhe Frrokut;
Është autori i përgjimit të paligjshëm.
Është autori i 2.2 miliardë eurove të vjedhura në 2 vite.
Dhe për këto do të gjykohet, dhe ka për të gjykuar nga populli, e jo për mashtrimet dhe vanitetin bosh të vizatimeve të dala boje.