TIRANË - Mithat Hoxha është transportuar në Tiranë, ku ndodhet në spitalin amerikan në Tiranë. Kandidati i dhunuar i FRD-së dje në Fier është transportuar në orë të vona të ditës së djeshme. Mjeku neokirug, Fatos Olldashi konfirmoi për "Shqiptarja.com", se "pacienti ka fraktura të shumta në kokë, si dhe në pjesën e hundës".

"Po mendohet t’i bëhet një ndërhyrje kirurgjikale në hundë, por ne do ta mbajmë nën kontroll gjatë gjithë natës dhe të nesërmen do të vendoset se çfarë do të bëhet me pacientin; do të kryhet operacioni ose jo”, u shpreh mjeku.  

Ndërkohë, gjendja e Mit'hat Hoxhës dje paradite në spitalin rajonal të Fierit u paraqit fillimisht e rëndë; ai nuk arrinte të fliste dhe kishte enjtje në fytyrë. Mjekët arritën në përfundimin se ndaj tij ishin përdorur goditje me grushta dhe jo sende të forta, siç u pretendua nga mediat dhe politika.

Më pas Hoxha doli prej gjendjes së rëndë të rrezikut për jetën dhe arriti të flasë. Me të zhvilloi një takim të rezervuar në spital edhe prokurorja e gjykatës së rrethit të Fierit. Burimet afër takimit pohuan për "Shqiptarja.com", se Hoxha i shqiptoi prokurores emrin e një autori të sulmit ndaj tij. Por dy orë më pas, ai vetë u shpreh për mediat se "nuk mbante mend asgjë mbi autorët e sulmit".  

Redaksia Online
(mag/shqiptarja.com)