FIER- Në përmbyllje të muajit të sensibilizimit kundër trafikut të qenieve njerëzore, në sheshin qendror të qytetit të Fierit u ekspozuan mbi 80 piktura.
Realizuar nga vetë nxënësit e shkollave 9-vjeçare të qarkut Fier, përmes pikturave dhe vizatimeve fëmijët sjellin mënyrën sesi ata e shohin fenomenin e dhunës dhe trafikimin njerëzor në sytë e tyre.
“Përmes kësaj pikture unë mundohem të them “Stop Trafikimit të qenieve njerëzore. Besoj që kjo është një mënyrë për të treguar dhe ndalur këtë fenomeni”, shprehet një nxënëse.
“Kjo është piktura ime dhe unë e kam realizuar me një dëshirë shumë të madhe. Teksa isha duke e pikturuar po mendoja pse njerëzit duhet ta bëjnë këtë gjë?!”
“Unë kam përgatitur një projekt, që të sjell sa më afër këtë problem që është kryesisht shumë i madh në këtë shekull dhe që po prek miliona njerëz, kryesisht femrat të të tëra racave, mamatë, gratë, nënat kudo nëpër botë. Prandaj kam sjellë këtë pikturë kolazh”, thotë një vajzë tjetër.
Mbështetur nga prefektura e Qarkut Fier dhe Drejtoria Arsimore, në fund të aktivitetit u shpërndanë dhe certifikata vlerësimi për nismën e nxënësve.