MAQEDONI - Dhjetëra nxënës të shkollës së mesme “Dimitar Vllahov” në komunën e Haraçinës janë sulmuar e dhunuar nga persona të panjohur. Sipas dëshmive që japin vetë fëmijët, autorët ishin të maskuar dhe të armatosur me mjete të forta si thikë e sende të tjera.

Mediat maqedonase bëjnë të ditur se tre prej fëmijëve kanë marrë lëndime të rënda dhe po marrin kurim në spitalin e qytetit. Nxënësit dhe familjarët e tyre janë shprehur se policia ka mbërritur në vendngjarje rreth 40 minuta me vonesë pas kohën kur ndodhi incidenti, ndërsa nuk ka marrë asnjë iniciativë për ndjekjen dhe kapjen e autorëve.

Sipas dëshmive nga vendi i ngjarjes policia vetëm sa ka pyetur të pranishmit dhe të lënduarit në lidhje me incidentin dhe është larguar.

Sipas kreut të komunës Haraçinë, Bastri Bajrami, ky sulm dëshmon një skenar që ka për qëllim destabilizimin e situatës dhe mbjelljen e frikës te qytetarët.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)