Ngjarja ka ndodhur te zona e “Stacionit të Trenit” në kryeqytet.
Pas dhunës së ushtruar, ai është dërguar me urgjencë në Spitalin Ushtarak për t'i dhënë ndihmë mjekësore.
Fundo është drejtor në portalin CityNews.al.
Burime pranë policisë bëjnë të ditur se ende nuk dihen motivet e vërteta dhe autorët e këtij sulmi.
Fundo: Sulmi, jo politik- vepër e klaneve të lidhur me drogën
Gazetari Elvi Fundo ka shkruar në rrjetin e tij social Facebook, se dhuna e ushtruar ndaj tij nuk është sulm politik.
Nga spitali ku ndodhet nën kujdesin e mjekëve, gazetari thekson se dhuna ndaj tij është vepër e krimit të organizuar dhe klaneve mediatike të lidhura me drogën.
Me deklaratën e tij, Elvi Fundo rrëzon pretendimet e ish-kryeministrit Sali Berisha dhe Partisë Demokratike se u godit për shkak të oponencës së portalit të tij Cityneës.al me mazhorancën.
Postimi i Fundos në Facebook:
"Dy persona me sulmuan nga pas me mjete te forta afer zyres ne ore 10 e 30.
Flm te gjitheve per mbeshtetjen dhe kurajon.
Nuk besoj qe eshte sulm politik por veper e krimit te financuar nga klane korruptive mediatike te lidhura me drogen.
Inkurajoj dhe mbeshtes Policine e Shtetit per zbardhjen e ngjarjes.
Ju lutem mos beni politike me sulmin banditesk ndaj meje.
Republika e vjeter dhe e re mos mbrojne bandite me pseudonime dhe trafikante ne media...
As pole qe kercejne tek Rilindja dhe ju behet serenate nga PD".
Tahiri viziton në spital Fundon: Dhunuesit, përpara ligjit
Ministri i Bendshëm, Saimir Tahiri, i cili ka vizituar në spital gazetarin Elvi Fundo pas dhunës së pësuar sot në mesditë.
Tahiri u shpreh se dhunuesit do të përgjigjen para ligjit.
“Erdha të vizitoj, bashkë me drejtorin e Tiranës, gazetarin Fundo.
I shpreha gjithë keqardhjen time për gjithçka ka ndodhur dhe e garantova, bashkë me drejtuesit e policisë, që do bëjmë maksimumin që kjo ngjarje të zbardhet dhe përgjegjësit të dalin para përgjegjësisë.
Do i bëja thirrje kujtdo, mbi të gjitha opozitës që të ndalë një orë e më parë politizimin e kësaj historie.
Nuk bëhet politikë dhe nuk fitohen vota duke politizuar çdo ngjarje në Shqipëri.
E mira është që të bëhemi të gjithë bashkë për të garantuar që Shqipëria të bëhet një vend më i sigurt dhe ku gjithkush të ketë mundësi të ushtrojë profesionin e tij pa pasur asnjë problem dhe asnjë çështje shqetësuese.
E dëgjova pak deklaratën e opozitës dhe të them të drejtën nuk ndjej gjë tjetër veçse trishtim.
Askujt nuk i shërben politizimi i panevojshëm i çdo situate, siç të gjithë duhet të bëhemi bashkë të inkurajojmë forcat e zbatimit të ligjit që të bëjnë gjithçka është e mundur për të çuar përpara drejtësisë ata që mbajnë përgjegjësi për këtë rast apo për cilin do rast tjetër”, u shpreh ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri.
Berisha: Dhunë kriminale e Ramës
Ish-kryeministri Sali Berisha i jep ngjyrime politike dhunimit të gazetarit Elvi Fundo.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Berisha shkruan se drejtuesi i Cityneës u dhunua nga bandat e qeverisë.
Postimi i Berishws në Facebook:
"Rama shperthen me dhune fizike ndaj portaleve qe nuk i kontrollon! Goditet gazetari Elvi Fundo!
Te dashur miq, ne nje akt banditesk sulmohet dhe goditet sot nga bandite te qeverise gazetari dhe drejtuesi i portali Citynews.al kritik ndaj Rames dhe Peleshit, Elvi Fundo.
Ky akt kriminal vjen pas nje seri sulmesh te egra verbale te Edi Rames ne veçanti ndaj portaleve qe ai nuk i kotrollon. Urrejtja e tij e papermbajtur ndaj tyre shpertheu me dhunen fizike ne mes te rruges ndaj gazetarit Fundo por edhe ne fjalen qe ai mbajti sot me rastin e 8 marsit para grave te mazhornces se qelbesirave, ku sulmoi eger ata qe deformojne, fallsifikojne te verteten duke nenkuptuar me kete portalet.
Duke i uruar sherim te shpejte gazetarit Fundo dhe denuar me ashpersine me te madhe kete dhune kriminale te Edi Rames, i bej thirrje prokurorise se shtetit te hetoje me perparesi lidhjen e banditeve me qeveritaret dhe personalisht Edi Ramen, per te vendosur para ligjit autoret e ketij aktij te shemtuar! sb
Reagon Rama: Neveri nga PD, të zbardhet ngjarja
Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas dhunimit të gazetarit, Elvi Fundo. Rama i është përgjigjur edhe akuzave të PD-së të cilët akuzojnë qeverinë se dhunimi i gazetarit është në vijim të politikës asgjësuese të fjalës së lirë.
"Dënoj me forcë aktin e dhunës ndaj gazetarit Elvi Fundo. Zbardhje e plotë sa më parë e këtij krimi.Neveri për politizimin e kësaj barbarie nga #VajmedetPD", shkruan Rama në Facebook.
PD: Qeveria po asgjëson fjalën e lirë
Partia Demokratike dënon me ashpërsi sulmin ndaj gazetarit Elvi Fundo.
“Kjo goditje ndaj fjalës së lirë dhe lirisë së shtypit vjen në kohën kur qeveria Rama është e angazhuar frontalisht në shantazhe dhe kërcënime ndaj medias me qëllim kapjen e saj totale dhe asgjësimin e fjalës së lirë”, thuhet në reagimin e PD-së.
Partia Demokratike i kërkon prokurorisë të zbardhë sa më shpejt ngjarjen dhe të vërë para drejtësisë autorët e sulmit ndaj gazetarit Elvi Fundo.
AMA: Goditja ndaj gazetarit, kërcënim ndaj fjalës së lirë
Autoriteti i Mediave Audiovizive, AMA shpreh shqetësim të thellë për aktin e goditjes brutale të gazetarit Elvi Fundo dhe apelon autoritetet që të gjejnë sa më pare autorët.
AMA po përcjell me shqetësim njoftimet se ditën e mërkurë, 08.03.2017, është goditur brutalisht nga persona tani për tani të panjohur drejtuesi i Radio Best dhe platformës online CityNews.al, gazetari Elvi Fundo, në një zonë të populluar të qytetit të Tiranës.
Ne e konsiderojmë këtë akt të rëndë si kërcënim të drejtpërdrejtë ndaj medias dhe fjalës së lirë. Fundo prej vitesh është i angazhuar në transmetimet radiofonike, si dhe njihet si një gazetar kritik ndaj zhvillimeve në vend.
Goditja në publik e një punonjësi aktiv të medias është një zhvillim trishtues dhe alarm për demokracinë. Apelojmë për autoritet e rendit dhe të sigurisë që të bëjnë gjithçka për zbulimin sa më parë të autorëve dhe rrethanave të kësaj ngjarje të rëndë, në mënyrë që fajtorët të dalin para drejtësisë.
Ky do të ishte sinjali më i mirë për funksionimin e shtetit ligjor, për të mbrojtur median e lirë me çdo çmim dhe njëkohësisht për t’i demotivuar dhe sprapsur shkelësit e ligjit.
Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com