Dhunohet Skuqi, PD: Policia s'mori
masa. MB: Denoncoi, s'pati ankesa

Dhunohet Skuqi, PD: Policia s'mori<br />masa. MB: Denoncoi, s'pati ankesa
TIRANE - Pretendimet e Partisë Demokratike dhe akuzat e saj se gazetari i Rilindjes Demokratike Telnis Skuqi është dhunuar fare pranë komisariatit të policisë së Gjirokastrës, dhe nga ana e saj policia nuk ka pranuar kallëzimin e tij, është bërë objekt replikash sot mes opozitës dhe Ministrisë së Brendshme.

Ishte Sekretarja për marrëdhëniet me Publikun në selinë blu Grida Duma e cila akuzoi sot Policinë e Shtetit se nuk ka ofruan ndihmën e saj ndaj gazetarit Skuqi, ndërsa sipas PD-së kjo vjen me bekimin e Kryeministrit Edi Rama.

Por në një reagim të menjëhershëm, Ministria e Brendshme ka sqaruar opinionin publik se nga ana e saj policia e shtetit ka ofruar të gjithë ndihmën e saj ashtu sikundër me të gjithë qytetarët që kanë nevojë për policinë e shtetit. Madje MB ka bërë publik edhe denoncimin e bërë nga Skuqi ku ai pranon se policia ka kryer të gjitha procedurat konform ligjit, dhe se vetë ai nuk ka asnjë ankesë në këtë drejtim.

Në përfundim, MB i bën thirrje opozitës që të ndal sulmin dhe shpifjet e saj karshi punës së policisë së shtetit.

duma, mb

MB: Gazetari Skuqi bëri denoncim, dhe pranoi se nuk kishte asnjë ankesë ndaj policisë
Ministria e Punëve të Brendshme ka reaguar sot ndaj akuzave të Partisë Demokratike, ku kjo e fundit pretendonte se gazetari i Rilindjes Demokratike, Telnis Skuqi është dhunuar vetëm 50 metra larg komisariatit të policisë së Gjirokastrës, ndërsa edhe policia nuk ka pranuar kallëzimin e tij.

Përmes një komunikate për shtyp, nga ana e saj, Ministria e Brendshme i cilëson si shpifje të radhës deklaratat e PD-së, ndaj punës së policisë. Sipas MB-së, gazetarit Telnis Skuqi nuk i është refuzuar e drejta e kallëzimit penal, madje nënvizohet se nga ana e saj policia e shtetit është vënë në dispozicion të tij, ashtu si ndaj çdo qytetari që ka nevojë për ndihmën e policisë.

Krahas komunikatës për shtyp, Ministria e Brendshme ka publikuar edhe denoncimin e bërë nga gazetari i RD-së, ku vetë ai shprehet se policia e shtetit pas denoncimit tëm ka kryer të gjitha procedurat ligjore dhe se vetë ai nuk ka asnjë ankesë në drejtim të punës së policisë.

“Për të disatën herë me radhë në këtë fushatë intensive shpifjesh nga më absurdet, PD akuzoi sot përsëri Policinë e Shtetit me variantin sipas të cilin nuk i është marrë denoncim një shtetasi, konkretisht shtetasit Telnis Skuqi. Sqarojmë opinionin se asnjë qytetari nuk i është refuzuar e drejta ligjore për të depozituar kallëzim në polici, për cilëndo ngjarje, pa dallim. Policia e Gjirokastrës ka qenë tërësisht në dispozicion të shtetasit Telnis Skuqi për të marrë denoncimin e tij, ashtu sikurse është në krye të detyrës në çdo moment për t’i shërbyer çdo qytetari që ka nevojë për ndihmën e policisë. Vetë shtetasi Skuqi në denoncimin e bërë në Polici është shprehur: “Dua të theksoj se nga ana e policisë, pas denoncimit që unë kam bërë janë kryer të gjitha procedurat ligjore dhe nuk kam asnjë ankesë në adresë të tyre, pasi janë përgjigjur në kohë dhe në mënyrë profesionale” thuhet në komunikatën e Ministrisë së Brendshme.

Më tej, Ministria e Brendshme i bën thirrje opozitës që të heqë dorë nga akuzat e pabaza, dhe baltosjes së punës së policisë, e cila sipas MB-së po përdoret politikisht nga ana e PD-së. Ministria siguron qytetarët se policia e shtetit nga ana e saj po punon çdo ditë për të siguruar rendin dhe luftën ndaj paligjshmërisë në vend.

“Ftojmë Partinë Demokratike të heqë dorë nga gjuha e baltës dhe mashtrimit. Pushteti i shpifjes pa hesap që përdor opozita, nuk mund të jetë instrument për politikë dite. Qytetarët po dëshmojnë dita ditës luftën kundër paligjshmërisë e krimit, për të ndërtuar Shqipërinë e sigurtë që duam e meritojmë të gjithë. Ripërsërisim domosdoshmërinë për të lënë Policinë e Shtetit të bëjë detyrën. Kjo është më e lehtë edhe për vetë opozitën, sesa të shpikë lloj lloj mashtrimesh që nuk i beson dot më askush.” përfundon në fjalën e saj Ministria e Brendshme.

faksmimile
 
Dhunohet gazetari, Duma: Rama bekoi goditjen ndaj lirisë së fjalës 
Sekretarja për marrëdhëniet me Publikun në selinë blu Grida Duma ka denoncuar dhunimin e gazetarit të Rilindjes Demokratike Telnis Skuqi, që është goditur fizikisht në Gjirokastër, vetëm 50 metra larg komisariatit të qytetit. Demokratja e quan këtë sulm si një agresion drejt fjalës së lirë, e cila sipas Dumës është frymëzuar dhe bekuar nga Kryeministri Rama.

Deklarata e plote e sekretares për Marrdhëniet me Publikun ne PD, Grida Duma
Dhunimi i gazetarit Telnis Skuqi sot në mesditë 50 metra larg komisariatit të Gjirokastrës, është një këmbanë alarmi për dhunimin e fjalës së lirë, për kërcënimin e lirisë së shprehjes.

Gazetari Skuqi është i njohur  për qëndrimet e tij kritike e për investigimin e korrupsionit e të trafikut të drogës. Nuk është aspak rastësi goditja e tij në mes të ditës dhe fare pranë zyrave të shtetit.

Nuk është rastësi, dhe këtë e vërteton qartazi fakti që komisariati i Gjirokastrës disa orë pas ngjarjes vazhdonte të mos pranonte kallëzimin e tij me pretekste të papranueshme.

Teksa Edi Rama bën gjithcka që të shesë si demokratik konceptin e tij të lirisë së shprehjes në Paris, këtu në vendin që ai qeveris, fjala e lirë goditet, gazetari dhunohet në derën e komisariatit, deputeti i opozitës goditet.

Revanshi agresiv ndaj fjalës ka burim frymëzimi kryeministrin e vendit. Duke kërcënuar opozitën, duke organizuar skenarin e dhunës në parlament, duke mos dënuar e duke mos u distancuar nga kërcënimi i Kryetarit të opozitës, Edi Rama ka dhënë miratimin e tij për goditjen e fjalës së lirë.

Këto janë simptomat e regjimit të fshehjes dhe mbylljes së gojës, që Edi Rama dhe oligarkia e tij po ndërtojnë në cdo instancë.

Partia Demokratike e dënon ashpër goditjen e gazetarit Skuqi, dhe i kërkon Policisë të reagojë menjëherë e të vërë para ligjit agresorin e tij.

grida duma


Redaksia Online
(Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?



×

Lajmi i fundit

Azgan Haklaj: Sali Berisha nuk është kryetar i PDSH-së

Azgan Haklaj: Sali Berisha nuk është kryetar i PDSH-së