Një punonjës i policisë së Krujës është arrestuar nga AMP pasi ka kanosur dhe dhunuar një tjetër person, së bashku me babanë e tij.

Efektivi Klevis Koni akuzohet për veprat penale “Kanosja” dhe “Shpërdorim i detyrës” pasi ditën e djeshme, gjatë kohës që ishte jashtë shërbimi, së bashku me babanë e tij, D. K., kanë dhunuar fizikisht Borjan Konin, i cili është dërguar për mjekim në Spitalin e Traumës.

Burime për Report Tv kanë bërë me dije se konflikti ka nisur për motive banale, dhe se personi i dhunuar është kushëri i largët me babanë e efektivit.

Sipas burimeve, ka qenë i ati i policit që ka goditur me shpullë Borjan Konin, ndërsa Klevis Koni vetëm e ka shtyrë dhe nuk ka ushtruar dhunë. Dyshohet se e gjithë kjo të ketë qenë një inskenim për të dëmtuar imazhin e oficerit të policisë për shkak të inateve të vjetra.

“Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Durrës - Kavajë) nën drejtimin e Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, ka arrestuar në flagrancë punonjësin e policisë K.K., me detyrë Trupë Shërbimi/ Patrullë e Përgjithshme në Komisariatin e Policisë Krujë, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Kanosja” dhe “Shpërdorim i detyrës” parashikuar në nenet 84 dhe 248 të Kodit Penal.

Arrestimi u bë i mundur pasi ditën e djeshme, punonjësi i policisë (jashtë shërbimit) në bashkëpunim më babain e tij, shtetasin D.K., për motive të dobëta kanë kanosur dhe dhunuar fizikisht shtetasin B.K., i cili ka marrë ndihmën mjekësore në Spitalin e Traumës.

Materialet proceduriale u referuan në Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.

AMP mbetet e përkushtuar në misionin e saj për garantimin e zbatimit të ligjit dhe fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të abuzimit apo shkeljes së ligjit nga ana e punonjësve të strukturave, duke telefonuar në numrin e gjelbër 0800 9090, ose duke dërguar Email në adresën [email protected].”, thuhet në njoftimin e AMP.