TIRANË- Pas denoncimit që Report Tv bëri lidhur me rastin e një gruaje që dhunonte qentë e saj, që i mbante në banesë, policia ka vënë në hetim 51-vjeçare Gera Kulla. Kamerat e sigurisë e filmuan një grua teksa rrihte pa mëshirë qentë e saj në ashensor.

Për Report Tv, fqinjët thanë se ajo mbante në banesë 4 qenë dhe 7 mace, të cilat i keqtrajtonte. Pas publikimit të këtyre video-ve, 51-vjeçares i janë marrë edhe kafshët dhe tashmë janë në kujdesin e një shoqate për mbrojtjen e kafshëve. Ndaj 51-vjeçares rëndon akuza për veprën penale “Keqtrajtimi i kafshës”.

“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3, menjëherë pas publikimit të pamjeve filmike, organizuan punën për identifikimin dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të shtetases që shfaqet në video. Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 3 kanë identifikuar dhe proceduan penalisht shtetasen Gera Kulla, 51 vjeçe, banuese në Tiranë”, njofton policia.

Ndërkohë, shoqata ARSAL që ka marrë kafshët nën kujdes thotë se tani janë të sigurt dhe do t’i nënshtrohen të gjitha kontrolleve mjekësore. Ndërsa bëjnë thirrje që t’i mbështesin dhe qytetarët që kanë mundësi të strehojnë qentë dhe macet.

“Kjo nuk është një histori kaq banale abuzimi ndaj kafshëve. Ka shumë për të thënë por sot nuk është momenti. Nuk ishte aspak e lehtë dhe ka qenë një ditë shumë e gjatë dhe e vështirë. Ja dolëm të balanconim dhe ndërhynim në një situatë shumë delikate.

Qentë i kemi ne dhe janë të sigurt ne një klinike private ku do i nënshtrohen te gjitha kontrolleve mjekësore vaksinave sterilizimit. Por tani nis pjesa më e vështirë dhe kemi nevojë për ndihmën tuaj. Kërkohet strehim i sigurte për se paku një muaj për katër qentë. Vullnetarë qe mund të strehojnë një mace!! Ndihme monetare për shpëtimin e tyre pasi ka shume shpenzime.

Shpejt turma e inatosur dhe rrjetet sociale do e harrojnë këtë ngjarje dhe do rendin pas skandalit te radhës. Po këtu kemi të bëjmë me jete kafshësh dhe njerëzish. Ndaj le të lëmë mënjanë bërtitjet dhe mallkimet të bashkohemi për të gjetur një zgjidhje. Kushdo mundet te strehoje një qen apo një mace të na kontaktojë”, shkruan ARSAL.

Ligji për mbrojtjen e kafshëve parashikon penalitet me gjobë deri në 6 muaj burg për personat që u marrin jetën apo shkaktojnë tek ato dëmtime të përhershme. Animalistët kërkojnë krijimin e një zinxhiri institucional për mbrojtjen dhe kujdesin ndaj kafshëve, si dhe zbatimin e ligjit ndaj kujtdo që e shkel atë.