Dialogu i kryetarit të PS-së me qytetarët në zonën e ish-Kënetës

Dialogu i kryetarit të PS-së me qytetarët në zonën e ish-Kënetës
Ndërkohë për pjesën tjetër, pjesën që lidhet me arsimin. Këta i kanë bërë shkollat si reparte ushtarake ku ju bëhet një presion i madh mësuesve, ju bëhet një presion i madh sidomos votuesve për herë të parë, për t’u bërë pjesë e fushatës së Saliut dhe për të votuar për Saliun. Ne do ta ndryshojmë komplet sistemin e marrjes në punë të mësuesve. Ne do ftojmë gjithë prindërit që kanë fëmijët tek Shkolla e Re që të mblidhen dhe të zgjedhin një përfaqësi me tre, apo katër, apo 2, apo 5 varet si do ta bëjmë programin për të gjitha shkollat, që t’ju përfaqësojnë juve si prindër në bordin e përzgjedhjes së mësuesve. Nuk do të ketë më mësues që i zgjedh partia dhe drejtor shkollash që i zgjedh partia dhe ia vë në qafë shkollës dhe ia vë në qafë prindërve, ia vë në qafë nxënësve dhe ata shkojnë aty dhe bëjnë vetëm punën e partisë nëpër fushata dhe edhe kur janë njerëz të zotë jetojnë me frikë se do t’i heqin nga puna për bindjet e tyre. Por, përzgjedhja do të bëhet nga një borxh i përbashkët i qeverisë dhe i prindërve, për të zgjedhur mësuesit e duhur për fëmijët. Në fund të çdo viti ky bord specialistësh dhe prindërish do të japin dhe vlerësimet për mësuesit dhe kur prindërit thonë ky mësues këtu nuk është mësuesi i duhur për fëmijët e Shkollës së Re atij mësuesi nuk do t’i rinovohet më kontrata me shtetin për të vazhduar të bëjë punën.

Kështu që në këtë bord ne do përfshijmë edhe prindërit, se dhe prindërit janë pjesë e procesit të edukimit. Shkolla do ketë detyrimin të informojë çdo muaj prindërit me shkrim për ecurinë e fëmijëve dhe në fund të çdo viti mësuesit do vlerësohen dhe vetë drejtori i shkollës do vlerësohet për punën që bën si drejtues i një komuniteti, jo si ushtar partie, si kapter drejtor shkolle.

Pyetje: Kemi problemet me ilaçet. Vemi vizitohemi tek mjeku i familjes që kemi, na japin ilaçe që unë i kam pirë para dhjetë vjetësh, s’më bëjnë me efekt.

Unë detyrohem të paguaj para për të marrë ilaçet që më duhen mua. Gjatë gjithë kësaj kohe jemi mashtruar në mënyrë periodike, edhe sot që flasim mbushim ujë, se vetëm gjysmë ore na vjen. Në zonën tonë na përshkon një kanal i madh kolektori që vjen nga Plepat dhe derdhet në Porto Romano. Është shumë i ndotur, po bën 9 vjet që nuk është pastruar. Edhe kryetari vetë s’ka cfarë të bëjë, u detyrua hapi vet pompat se ndryshe ne do të ishim përmbytur katër herë deri tani. Kur i vajta Alizotit më tha ke trokitur në derë të gabuar, shko tek Vangjushi ai i ka. Po ai është kolektori, kolektorin ka shteti.

Të kuptova, domethënë ujë s’ke, kolektor s’ke, kur të vjen uji të vjen me tepricë dhe mbytesh, me ujin e ke të lidhur gjithë këtë punë.

E para e punës, këta kanë ndërtuar një shtet, ka qenë një lojë nuk e di a e luajnë apo jo këta kalamajtë këtu “e ka kush e ka”. Këta kanë ndërtuar një shtet të “e ka kush e ka”, ti shkon në një derë të thonë shko tek tjetri, tek tjetri të thonë e ka ai, pastaj e ka ai, pastaj e ka ai..... e pastaj prapë tek dera e parë. Ndërkohë që, jemi vendi i dytë ne Europë për pasuri ujore, pas Norvegjisë jemi të dytët, jemi vendi i vetëm në Europë dhe në Ballkan bashkë që nuk kemi ujë për të pirë dhe për të ujitur tokat në verë dhe përmbytemi sa fillon rrjedhja e madhe nga lart në vjeshtë dhe në dimër. I vetmi, për arsye se nuk kemi shtet miqtë e mi. Nuk kemi shtet, kjo është arsyeja pse nuk kemi ujë për të pirë, për të vaditur dhe pse përmbytemi. Ndërkohë që, në këtë zonë, por edhe në zona të tjera informale, problemi i infrastrukturës është problem shumë i madh. Edhe problemi i infrastrukturës është i lidhur me problemin e legalizimeve. Se këta nuk bënë as infrastrukturë, nuk bënë as legalizime, nuk bënë as plan si do legalizohen këto ndërtime. Se ju që keni ardhur këtu nuk erdhët për të qenë më keq se atje ku ishit. Nuk erdhët këtu thjesht për të futur kokën në një çati, por erdhët këtu për të pasur jetën e qytetit, për të pasur rrugët, shërbimet, kopshtet, çerdhet, ambulancën dhe të gjitha me radhë. Ndërkohë që, sot pas 20 e kusur vitesh ju gjendeni në kushtet kur nuk keni letrat e shtëpisë që keni ndërtuar dhe nuk keni asgjë nga gjitha këto të tjerat.

Ne këtu për Kënetën kemi një plan shumë të mirë të zhvillimit të infrastrukturës që e ka gati bashkia. Por bashkia e Durrësit është bllokuar plotësisht nga Saliu. Asnjë kokërr leku, a thua se demokratët që jetojnë këtu ia kanë fajin fëmijëve të tyre pse shumica votoi për një socialist. A thua se socialistët që jetojnë këtu ia kanë fajin fëmijëve të tyre pse votuan ashtu siç dëshironin. Ne do të bëjmë një zhvillim në respekt të socialistëve dhe të demokratëve të zakonshëm, se po njësoj vuajnë të dyja palët. E unë habitem me ata që janë me PD se nuk e kuptoj për çfarë e kanë PD-në. 8 vjet në pushtet nuk fitoi asnjë gjë dhe thotë jam unë me PD. Po për çfarë je me PD? Se mirë dakord je me Teutën, je me Partizanin, je me Bajernin kjo është tjetër histori. Partitë që marrin votën për të qeverisur nuk luajnë me top, luajnë me fatin e njerëzve dhe besnikëria qorre ndaj një partie dhe vota qorre që unë jam me këtë edhe po më çoi ky në greminë unë mbas këtij do shkoj është e zeza e vetes.

Në 23 qershor jo vetëm socialistët, por edhe demokratët duhet të votojnë me sy hapur dhe të votojnë për legalizimet.

20 vjet nuk jua bëri Partia Demokratike atëherë për çfarë do e votojnë PD-në, të votojnë për ujin që 20 vjet nuk ua solli Partia Demokratike, për çfarë e duan PD-në? Të votojnë për të mos u përmbytur se ngelën duke u përmbytur. Sa herë flas për përmbytjen më kujtohet historia atje në Shkodër. Shkuam për t’i ndihmuar, pasi ishin përmbytur komplet. Del njëri mbi 70 vjeç dhe mu hodh mua. Çfarë do ti këtu më tha, shih si jam bërë tha. Ai ishte qull i tëri. Jam qull tha, jam i mërdhifun komplet. E sheh si është shtëpia ime. S’kishte shtëpi fare aty, dukej vetëm maja e çatisë. Kam humbur bagëtinë tha, kam humbur gjithë sendet e mia vetëm qeni më ka ngel, po unë tha deri në vdekje jam me Sali Berishën, çfarë do ti këtu, tha. Unë dua qenin i thash. Si qenin, më tha. Po, sigurisht, qenin se ti e paske hallall të jesh qull se ti qull dashke me ndejt gjithë jetën, po qeni çfarë faji ka që vjen që vjen pas teje. Ne po marrim qenin, ti rri me Saliun. Një besnikëri pa kuptim, të mos kuptosh që vota është për të marrë shërbëtorin se qeveria është shërbëtor dhe vota është për të zgjedhur shërbëtorin.

Pyetje: Faleminderit që një lider i madh shkeli për herë të parë këtu. Ne jena bërë sikur pulat, gjithë natën flemë pa bukë gjumë në mëngjes pa bukë, d.m.th na legalizimet i duam në Shqipëri jo në Amerikë. Me ardhjen tuaj në pushtet si do të shihen zonat e të ardhurve? Jam nga Tropoja.

Se nuk e marr vesh këtë punë; meqë jemi nga Tropoja të votojmë Saliun, po çfarë lidhje ka kjo? Meqë është nga Tropoja ai duhet t’ju kishte legalizuar të gjithëve ju, të paktën të tregonte që ia vlen, se ju s’jeni vetëm për polic, jeni më shumë se kaq. Për ty dhe për të gjithë ata që janë nga veriu unë kam një pyetje si ka mundësi që i shkoni mbrapa atij njeriu? Pse është nga veriu? Këtë se kuptoj! Për çfarë?!

Shikojeni hartën e varfërisë në Shqipëri, pjesët më të varfra janë pjesët që votojnë për atë. Si shpjegohet kjo? Shpjegohet me faktin se për Saliun dhe për PD-në ju jeni zgjedhës, kurse për ne jeni njerëz, ky është ndryshimi. Për këtë mentalitet, zgjedhësi sa më i varfër, sa më në errësirë, sa më pa ujë, sa më pa bukë, aq më kollaj për të shkuar dhe me ia marr votën duke e trembur, duke i dhënë një thes miell, duke e rrejt me ca lekë, duke i dhënë nja dy dopio raki ditën e shtunë e t’i duket të dielën sikur i është shtruar rruga edhe kur të hënë pastaj bëhet esëll thotë po s’qenka rruga këtu, dhe ikën edhe katër vjet të tjera.

Ndërsa për ne, ja ku është Vangjushi është kryetar bashkie, unë kam qenë 11 vjet, mund ta dëshmojnë ata në ato zona të të ardhurve, që nuk i kemi ndarë asnjëherë nga pjesa tjetër, përkundrazi sfida kjo është, si t’i integrojmë këto zona dhe ta bëjmë qytetin një, Tiranën një, Durrësinë një. Prandaj, dhe mua më pëlqen që ju nuk e quani Këneta e quani Durrësi i ri, ky është Durrësi i ri. Keni ardhur këtu për një jetë të re dhe e keni bërë këtu jetën. Çfarë mund të bënit më shumë ju, ju bëtë shtëpitë, s’mund të bënit edhe rrugën, edhe kopshtet, dhe shkollën. Ju shtëpinë e bëtë, ju për jetën e re bëtë diçka. Hiqeni këtë kryeministrin e vjetër që të vazhdojmë të bëjmë diçka të re me një qeveri të re për të bërë një rrugë të re, kjo është.

Pyetje: Jam një emigrant i kthyer pas 17 vitesh, problemi kryesor që po has është punësimi, si do ta zgjidhni ju këtë problem. Një problem tjetër është dhe arsimi unë shoh që ka shumë universitete po shkolla fillore dhe të mesme nuk ka.

Jo këtu ka një shkollë 9 vjeçare, po puna është që s’ka mësim. Llogariteni që kur erdhi Saliu në qeveri në 2005 ata që sot janë 15 vjeç i gjeti sa kishin mbaruar abetaren, 8 vjet në qeverinë e Saliut, ja ku kanë dalë 57% analfabet funksionalë, domethënë kanë mësuar shkrim e këndim por nuk dinë të përdorin as njërën as tjetrën. Kjo është çfarë do të thotë të lësh në dorë të Saliut që të qeveris vendin. Se është kollaj me thënë unë jam me PD-në dhe po ia jap votën atij, se unë jam nga veriu ai është nga veriu. Po fëmija yt?! Po fëmija yt që nuk është më nga veriu është vetëm me origjinë, që është durrsak këtu apo që është tirons atje çfarë borxhi të ka ty që qorrazi shkon voton për Partinë Demokratike dhe sot 8 vjet mbas qeverisjes së PD-së një në dy fëmijë është analfabet funksional. Çfarë borxhi të ka. Çfarë borxhi i keni ju dhe i kanë të gjithë prindërit kësaj qeverie që për të mos u përballur me papunësinë e të rinjve i çoi të gjithë në universitete dhe iu tha juve çojeni fëmijën në universitet, edhe “o burra” hap universitete private, po shkojnë drejt numrit 100 universitete private, kur Danimarka ka 6 vetëm. Kuptohet që me teorinë e Saliut sa më shumë aq më mirë, po në fakt ato janë njësoj si piramidat e Sudes dhe të atij Xhaferit, që investohet me paratë e familjeve dhe në fund ngelen të rinjtë me një copë letër diplomë juridiku dhe s’kanë punë dhe s’kanë ku e përdorin dhe s’do t’ju hyjë në punë kurrë. Janë bërë të gjithë juristë ndërkohë që nuk gjen dot një elektricist, nuk gjen dot një hidraulik. Problemi i punësimit lidhet me zanatet. T’i japim zanate të rinjve se ngelën pas Champions Ligës, dhe shiko qiellin e prit të mos vijë ndonjë gjë. Pa punë, çfarë pune të bëjnë? Ata që janë në fshat çfarë pune të bëjnë? Ata që shohin prindërit të rropaten e mezi arrijnë të nxjerrin bukën e gojës do thonë pse t’i hyjmë ne kësaj pune. Ata në qytet nuk kanë ku të shkojnë në punë, sepse një zanat nuk e kanë, një biznes me zanatin e tyre nuk e hapin dot. Problemi i punësimit është një problem që lidhet me arsimin profesional, me zanatet në qytet e në fshat në mënyrë që të rinjtë të kuptojnë se përmes zanatit mund të fitojnë lekë.

Pyetje: Gëzohem njëherë që u njohëm nga afër. Kam 22 vite jashtë shtetit, gjithë këto baballarë e nëna kanë njerëzit e tyre jashtë. Sepse sapo të marrësh votat ti më datë 23, as ke për të na njoft fare. Kështu ka bërë edhe Sala.



A, po pse të dukem njësoj unë ty me atë?

Tani miku im, ti ke shumë të drejtë dhe ta them unë se pse ke shumë të drejtë. Fatosi të ka rrejt, Saliu të ka rrejt. Unë nuk të kam rrejt akoma. Kjo është e vërteta. Nuk të kam rrejt akoma sepse nuk kam qenë kryeministër dhe nuk jam provu. Unë të them se Saliu do të rrejë prapë kjo është e sigurt. Edhe sa herë do që të rrejë ai ty? Ndërkohë që unë di këtë se kur u bëra kryetar i Bashkisë së Tiranës, shumica dërrmuese, 99% e njerëzve thoshin nuk bëhet Tirana. U bë apo su bë?

U bë!

Në rregull, pra. E kam dhënë unë një provë atëherë? E kam dhënë, pra. Së dyti, këtu e the vet, këtu u bënë 20 vite që njerëzit thonë do bëjmë këtë e atë. Unë nuk kam ardhur më parë të them dhe të mos bëj. Ti ke dy rrugë zotëri, ose do të votosh për atë që e ke provu dhe e ke të sigurt që do e hash, ose do të votosh për atë që do ta vësh në provë.

Prandaj unë them se ne nuk premtojmë mrekullira, Saliu premton mrekullira ndërsa ne premtojmë gjërat që i bëjmë. Unë po të them se legalizimet do t’i bëjmë. Absolutisht! Që ditën e parë do të fillojmë me legalizimet. Projektet në infrastrukturë për këtë zonë dhe për zonat informale ne do t’i çojmë përpara. Nuk po them se për katër vjet këtu do bëhet Zvicër, por në katër vjet ne do të bëjmë atë punë që nuk është bërë në 20 vjet këtu e këtë ta siguroj unë.

E treta, mësuesit për fëmijët ta thashë që do t’i përzgjedhim bashkërisht dhe kjo nuk është pak. Së katërti, do të bëjmë çmos që t’i japim fshatit një mbështetje që fshati të prodhojë më shumë e që ushqimet të vijnë në qytet me çmime të arsyeshme që të mos rrijë duke blerë zarzavate, që mund të prodhohen këtu, por që vijnë nga jashtë me çmime që nuk përballohen dot, por të jenë më të arsyeshme.

Dikush, tha, aty për rrogat dhe po ju them një gjë se ne do të ndryshojmë sistemin e taksimit. Sistemi i taksimit nuk është vetëm për ata që janë në punë, por edhe ata që s’janë në punë. Sot, për çdo kokërr vezë, për çdo gotë qumësht, për çdo kile vaj, për çdo kile miell dhe për çdo kile bukë, këto 5 që janë baza, Saliu ju merr 20% taksë. Ne do ta bëjmë zero këtë taksë! Kjo do ta ulë sado pak çmimin e tyre.

Tjetër, ilaçet tha zotnia, Saliu tek çdo kokërr që pi një pensionist për tensionin, nga ato kokrrat e vogla fare, e merr 10% të kokrrës aty. Ne do ta heqim taksën e ilaçeve. A e di ti që një mësues sot paguan taksa më shumë se ministri i arsimit, një infermier paguan më shumë taksa se ministri i shëndetësisë, pastruesja e kryeministrisë paguan më shumë taksa se Saliu, e di ti këtë? Ne do ta ndryshojmë këtë sistem dhe kush fiton më shumë paguan më shumë, ndërsa kush fiton më pak paguan më pak. Me këtë sistem, brenda vitit të parë, çdo shqiptar që ka një rrogë nën 1.5 milion lekë do të kursejë në muaj mesatarisht 40 mijë lekë dhe në fund të vitit do të ketë të paktën një rrogë më shumë ai që është nën mesataren.

Tani vijmë tek biznesi. Ka këtu njerëz besoj që kanë hapur një dyqan, një furrë buke apo një ushqimore. Paguani më shumë taksa se sa paguan 15 katëshi në Tiranë, e di ti këtë? Ja ky është sistemi i Saliut. Pse? Paguajnë taksë të biznesit të vogël, paguajnë tatim fitimi 10%, njësoj si ata dhe TVSH-në. Ne do ja heqim taksën e biznesit të vogël dhe do e përgjysmojmë tatimin mbi fitimin menjëherë biznesit të vogël.

Tani nëse këto të duken të pamjaftueshme, rri me Saliun, rri si ai,por të paktën mos merr në qafë qenin. Sa i takon pastrimit të detit miku im, mirëmbajtjes së plazheve, si mendon ti? Mendon se kjo është një punë që mund ta bëjë bashkia nëse qeveria nuk i jep Bashkisë asnjë fond? E mendon gabim. Miku im, në 23 Qershor çfarë ke provuar mos e provo prapë, provo një gjë të re dhe do e shikosh se nuk do pendohesh. Meqë më the se do të jap votën e nuk do të shoh më. Hajde këtu e të vëmë bast se deri në dhjetor ti më sheh prapë këtu në këtë shesh bashkë me të gjithë këta si kryeministër. Hajde ta vëmë bastin këtu, hajde. Brenda 31 dhjetorit 2013. Dakord? Votën Partisë Socialiste!

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Basha për takimin dhe antimitingun në Londër: Turp e faqja e zezë për Ramën dhe Berishën! Ata i duan shqiptarët mish për top, pazare dhe për pushtetin e tyre

Basha për takimin dhe antimitingun në Londër: Turp e faqja e zezë për Ramën dhe Berishën! Ata i duan shqiptarët mish për top, pazare dhe për pushtetin e tyre