Takimi në Berlin/ Scholz: Dialogu të sjellë marrëveshje gjithëpërfshirëse! Kurti: Njohja reciproke duhet të jetë në qendër, jo në fund! Vuçiç: Nuk varet vetëm nga ne

Kancelari i Gjermanisë, Olaf Sholz ka pritur në selinë e tij në Berlin në takime të veçanta kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe më vonë presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

Pas takimit, Olaf Scholz dhe Albin Kurti dolën në konferencë për mediat ku treguan çfarë diskutuan. Në fokus të bisedës ishte liberalizimin i vizave, dialogu Kosovë-Serbi dhe lufta në Ukrainë. Kurti u shpreh se diskutuan për liberalizimin e vizave duke theksuar se Kosova i ka plotësuar kriteret, gjë për të cilën ra dakord edhe kancelari gjerman duke thënë se duhet bërë përparim dhe për këtë do të angazhohet edhe ai vetë.

Ndër të tjera, kancelari gjerman bëri me dije se do të bëjë një vizitë në Prishtinë. Për dialogun Kosovë-Serbi, kryeministri Kurti theksoi se njohja reciproke duhet të jetë në qendër, jo në fund. Në takim u diskutua edhe për luftën në Ukrainë dhe Scholz tha se është e rëndësishme që Kosova dhe Serbia ta zgjidhin gradualisht konfliktin mes tyre për të dhënë edhe një kontribut për paqen e sigurinë në Ballkan dhe  në të gjithë Evropën. Kurti, me bindje tha se nuk frikësohet ndaj trazirave.  

Pas takimit me Kurtin, kancelari Scholz priti preisdentin serb Aleksandër Vuçiç, me të cilin po ashtu diskutoi për të njëjtat tema. Kancelari gjerman i vuri theksin dialogut me Kosovën duke i thënë Vuçiçit që të sjellë marrëveshje gjithëpërfshirëse ndërsa presidenti serb i bëri të qartë se do të përpiqen të gjejnë një marrëveshje kompromisi, por nuk varet vetëm nga dëshirat e tyre.

Në BE ka pasur disa përpjekje për të krijuar kushte për një takim të nivelit të lartë midis Kurtit dhe Vuçiçit, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, por deri më tani pa sukses. Vetë kryediplomati i BE-së, Josep Borrell, ka thënë se nuk do t'i ftojë liderët në një takim të tillë sa për sy e faqe, pa pasur indikacione të qarta se në takim do të arrihet përparim konkret. Ky takim joformal në Berlin, mund të jetë një mundësi për të përmirësuar atmosferën në kuadër të dialogut dhe për ta bërë të mundur edhe ndonjë takim të nivelit të lartë në Bruksel.

Takimet e para që janë zhvilluar mes Kurtit dhe Vuçiçit në Bruksel, një zyrtar i BE-së i ka cilësuar si “takime jo të lehta, jo të këndshme dhe jo me përmbajtje”. Ky zyrtar ka thënë se ato takime kanë qenë më shumë “monologje të këtyre liderëve” sesa dialog i vërtetë.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 20:46
Scholz: Dialogu me Kosovën duhet të sjellë marrëveshje gjithëpërfshirëse! Vuçiç: Nuk varet vetëm nga dëshirat tona

1651690271_1651683635000329G6C7750x5141780x439.jpg

Kancelari gjerman Olaf Scholz është takuar me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç në Berlin. Në konferencë për mediat thanë se fokus i bisedimeve ishte dialogu me Kosovën. Presidenti serb tha se Beogradi është i gatshëm për një marrëveshje me Prishtinën.

“Do të përpiqemi që të gjejmë një marrëveshje kompromisi, por siç e kemi të qartë, kjo nuk varet vetëm nga dëshirat tona, por edhe të palës tjetër”, ka deklaruar Vuçiç ndërsa shtoi se do të gjendet kurajo për të bërë progres në këtë proces që nuk e konsideron të lehtë për Serbinë.

Ndërsa Scholz tha se të gjitha detyrimet duhet të respektohen dhe se lëvizjet e njëanshme nuk janë të dobishme.

“Kam biseduar me presidentin Vuçiç për rëndësinë e progresit në dialog që duhet të çojë në një marrëveshje gjithëpërfshirëse. Të gjitha çështjet e hapura duhet të zgjidhen brenda dialogut, kjo kërkon guxim dhe vendosmëri dhe të gjitha detyrimet e dakorduara duhet të respektohen”, tha Scholz.

Ndërsa për luftën në Ukrainë, presidenti Vuçiç tha se Serbia e ka kuptuar mirë mesazhin e Gjermanisë.

 “Sa i përket Serbisë, ne kemi një qëndrim tjetër për Kosovën, Serbia ka qenë nën sanksione për një dekadë të tërë dhe është një ndjenjë ndryshe nga shumica e të tjerëve. Serbia e kuptoi mesazhin e Gjermanisë dhe të gjithë të tjerëve”, tha Vuçiç.

Ora 16:31
Trazira në Ballkan që do pasojnë luftën në Ukrainë? Kurti: Nuk jemi të frikësuar, por vigjilentë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, duke marrë shkas nga Lufta në Ukrainë, dhe skenarëve të tjerë që flasin për trazira në Ballkan, tha se Kosova nuk është e frikësuar, por sigurisht janë vigjilentë.

“Nuk jemi të frikësuar, por vigjilentë, ndonëse Kosova nuk është në NARTO, NATO është në Kosovë, ne nuk jemi në BE, por BE është te ne, nuk kemi alternativë përveç BE dhe NATO dhe do e mbrojmë progresin tonë ndaj çdo rreziku që na shfaqet “, tha Kurti.

Ora 16:21
Biseda me Scholz, kryeministri Kurti: Folëm për dialogun me Serbinë, njohja reciproke duhet të jetë në qendër, jo në fund!

1651674328_kurti.JPG

Në konferencën për mediat pas takimit me kancelarin Scholz, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se biseduan për dialogun me Serbinë.

"Kemi folur për dialogun me Serbinë, dialogu duhet të jetë i përqendruar me njohje reciproke. Pikëpamja e bindja jonë është që njohja reciproke duhet të jetë në qendër, jo në fund. Jemi të përqendruar për të pasur rezultate konkrete", tha Albin Kurti.

Ndër të tjera foli për liberalizimin e voizave duke thënë se Kosova i ka plotësuar të gjitha kriteret, ndaj është radha e BE-së për të vijuar procesin. Për këtë ra dakord edhe Scholz duke thënë se Gjermania do ta mbështesë procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën.

“Edhe dy muaj bëhen katër vite prej se Komisioni Evropian e ka rekomanduar liberalizimin e vizave për Kosovën për herë të dytë. Është koha të thuhet se mjaft është mjaft. Kjo çështje duhet të vendoset në Këshillin e BE-së pasi Kosova i ka kryer detyrat e shtëpisë, dhe është radhe që edhe BE të kryej detyrat e saj”, tha Kurti.

Kurti tha se Kosova do të aplikojë për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe partneritet me NATO-n.

Ora 16:15
Kancelari gjerman: Duhet të bëhet përparim i mëtejshëm në liberalizimin e vizave për Kosovën

1651674318_Screenshot4.jpg

Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz tha se me kryeministrin Kurti folën për disa cështje ndërsa paralajmëroi vizitë në Prishtinë. Scholz u shpreh se është i lumtur për bashkëpunimin e qeverive të dy vendeve që do të forcojë pavarësinë energjetike dhe do të përmirësojë cilësinë e ajrit. Sa i përket liberalizimit të vizave, u shpreh se duhet të bëhet përparim i mëtejshëm dhe për këtë do të angazhohet me këmbëngulje.

“Përparimi i mëtejshëm duhet të bëhet tani edhe në liberalizimin e vizave për Kosovën. Qeveria federale e ka fiksuar këtë si objektiv në marrëveshjen e koalicionit. Për këtë unë angazhohem me këmbëngulje në Bashkimin Europian, në biseda me partnerët; angazhohem me këmbëngulje”, tha Scholz.

Scholz përmendi edhe bashkëpunimin rajonal duke thënë se ka vite që Gjermania angazhohet në këtë rajon me procesin e Berlinit. Ai përmendi katër marrëveshje të rëndësishme që tha se do të nënshkruhen në gjysmën e dytë të këtij viti në kuadër të Procesit të Berlinit.

“Projekti më i rëndësishëm është krijimi i një tregu të përbashkët rajonal”, tha Scholz duke paralajmëruar marrëveshje për lëvizjen e lirë të personave dhe njohjen e diplomave profesionale.

J.GJ.//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë