Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiç i ka mëshuar faktit se nuk do të ketë kompromis me Kosovën.
Në një intervistë për "Tv Pink", Bërnabiç u shpreh sot se për shkak të vendimeve të ndërmarra të Kosovës, dialogu midis Beogradit dhe Prishtinës ka bërë shumë hapa pas.
“Taksat që Prishtina ka imponuar për të gjitha mallrat nga Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina, krijimi i të ashtuquajturës Ushtria e Kosovës dhe erozioni i kufirit midis Kosovës dhe Shqipërisë kanë rivendosur dialogun midis Beogradit dhe Prishtinës, jo një hap, por 50 hapa prapa”, ka deklaruar Bërnabiç.
Duke theksuar se gjuha e kompromisit shihet e largët, ajo e cilësoi vendimin politik në lidhje me hapjen e kufirit midis Kosovës dhe Shqipërisë si një kërcënim të madh. Më tej, kryeministrja serbe u shpreh se ky hap nuk të çon asgjëkundi tjetër përveçse në krijimin e “Shqipërisë së madhe”.