Në prezantimin e këtij projekti, ministri i Diasporës, Pandeli Majko tha se qeveria ka në përfundim një projektligj të ri për fondin e zhvillimit të diasporës.
“Ne nuk mund të kujdesemi vetëm për ata që jetojnë në Shqipëri, pra në shtëpi, dhe të mos merremi me ata që jetojnë jashtë vendit, sepse falë tyre Shqipëria ka kaluar shumë probleme ekonomike. Diaspora shqiptare është një pasuri thuajse e pa shfrytëzuar e kombit tonë. Qeveria ka përfunduar dhënien e mendimeve dhe do të miratojë se shpejti një projektligj për fondin e zhvillimit të diasporës, që ka të bëjë me cilësinë e marrëdhënieve të investimeve të diasporës në Shqipëri”, shprehet Majko.
I pranishëm në aktivitet, ambasadori italian Alberto Cutillo, e cilësoi diasporën shqiptare kryesoren dhe më të integruarën në Itali dhe bëri thirrje një fokus të ri ndaj emigracionit.
“Migracioni i njerëzve nuk duhet të shikohet si një emergjencë, si një rrezik apo kërcënim. Duhet të ndryshojmë optikën drejt transformimit të fenomenit migrator në një mundësi përfitimi ekonomik dhe social për vendin e origjinës, dhe atë pritës”, shprehet ambasadori Cutillo.
Ambasadori tha se aktualisht në Itali janë 31 mijë ndërmarrje në pronësi të shqiptarëve që japin kontribut në ekonominë e italiane.
e.gj/Shqiptarja.com

VIDEO










