DIBER- Një grua shtatzënë ka mbetur e bllokuar fshatin Ujmir në Kalanë e Dodës. 24 vjeçarja në muajin e 6-të të shtatzanisë është transportuar me barrelë në këmbë, nga fshati Shullan në Kalanë e Dodës por më tutje nuk mund të lëvizet pasi rruga është e bllokuar dhe trashësia e borës arrin në 2.5 metra.

Banorët thonë se gruaja është strehuar tek një familje në fshatin Ujmir. Mbrëmë nuk dihej si ishte gjëndja e saj shëndetësore për shkak se është ndërprerë komunikimi telefonik pasi në këtë fshat nuk ka energji elektrike. Ndërsa kreu i komunës deklaroi sot në mëngjes se gjëndja shëndetësore e gruas është e rëndë.
 
Dje dy herë helikopteri ka tentuar të ulet në këtë zonë për të shpëtuar gruan shtatzënë por ulja ka qenë e pamundur për shkak të motit të keq. Në rrethin e Dibrës sot kanë pushuar reshjet por ka ngrica.
(sg/shqiptarja.com)