DIBËR- Banorët e katër fshatrave të komunës Zerqan në rrethin e Bulqizës kanë protestuar kundër ndërtimit të një HEC-i në fshatin Valikardhë. 

Qindra banorë të këtyre fshatrave kanë bllokuar për rreth një orë rrugën që të çon për në fshatin Valikardhë, pasi HEC-i do të përdorë si burim ujin e Liqenit të Zi, me të cilin banorët e fshatrave të komunës Zerqan vadisin tokat bujqësore.

Banorët shprehen të shqetësuar se, “jo vetëm që nuk janë pyetur për ndërtimin e HEC-it, por janë kërcënuar nga drejtuesit e PD-së dhe kryetari i saj, njëherësh edhe kreu i komunës së Zerqanit, Defrim Fiku”.

Lidhur me këtë problem, banorët thonë se me anë të një peticioni të firmosur nga 150 kryefamiljarë, janë njoftuar edhe disa nga organet kompetente, si: prefektura e qarkut Dibër, Ministri i Mjedisit dhe i Bujqësisë, si dhe Kryeministri Rama.
 
Redaksia Online
(b.g/shqiptarja.com)