Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në orët e para të mëngjesit në Dibër ku një person ka mbetur i plagosur në dorë nga hajdutët që kishin hyrë në shtëpinë e tij. Mësohet se i plagosuri i identifikuar si Arsen Selishta djali i pronarit të shtëpisë Adraman Selishtës është përleshur me grabistësit dhe këta të fundit e kanë qëlluar me tre plumba.

I plagosuri është transportuar menjëherë në spital ku edhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Ndërsa policia ka shkuar në vendngjarje ku edhe po kryen ekspertizën e nevojshme për të kapur autorët.

Njoftimi i policisë:

Dibër

Më datë 14.07.2018, rreth orës  04.00, në banesën e shtetasit A.S,  në fshatin Brezhdan dyshohet se janë futur dy persona të maskuar dhe nën kërcënimin e armës kanë marrë një shumë lekësh dhe një aparat celular.

Autorët  dyshohet se  kanë  plagosur me armë zjarri në pjesën e dorës, shtetasin E.S, 29 vjeç, i cili pasi ka marrë ndihmën mjekësore në spitalin e Peshkopisë është larguar për në banesë.

Policia e Dibrës sapo  ka marrë informacion  kanë shkuar menjëherë shërbimet dhe si rezultat i veprimeve të shpejta   janë shoqëruar në ambjentet e policisë disa persona që dyshohet se  kanë dijeni  apo lidhje me këtë ngjarje, ku për arsye hetimi nuk bëjmë me dije të dhëna të tjera.

Vijojnë hetimet në bashkëpunim me Prokurorinë Dibër, për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes, identifikimin dhe arrestimin e autorëve.