Shkencëtarët që përdorin teleskopin diellor më të fuqishëm në botë kanë kapur sipërfaqen e Diellit tonë duke treguar detaje që nuk janë vënë re më parë.

Imazhet dhe pamjet filmike tregojnë "vorbulla", aktivitet që më parë nuk ka qenë i mundur të shihej.

Bëhet fjalë për fushën magnetike të Diellit që lëviz nga veprimi i gazit të nxehtë.

Ky rrotullim i vazhdueshëm është një forcë shtytëse pas shpërthimeve të energjisë nga Dielli, duke krijuar atë që quhet moti hapësinor, i cili mund të ndërpresë rrjetet energjetike dhe satelitët e Tokës, madje mund të dëmtojë edhe astronautët.

"Dielli është burimi i asaj energjie dhe i gjithë atij moti hapësinor", shpjegoi Dr. David Boboltz nga Observatori Kombëtar Diellor i SHBA-ve.

Kapja e pamjeve më të detajuara të yllit të sistemit tonë diellor do të ndihmojë në përballimin e këtij moti, tha ai.

"Për të kuptuar dhe përfundimisht për të parashikuar motin hapësinor, ne duam të kuptojmë fizikën e Diellit, deri në shkallët më të vogla."

Gjetjet, të publikuara në revistën Nature, u zbuluan falë teleskopit diellor Inouye, i ndërtuar në një majë të lartë në Havai, ku nuk ka ndotje vizuale.