VLORË- Një ngjarje e rëndë ka ndodhur orët e para të mëngjesit të sotëm ku makina tip 'Range Rover' që përdorej nga kryebashkiaku i Vlorës, Dritan Leli është shkrumbuar nga flakët. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 04:26 të mëngjesit në lagjen 'Lef Sallata' dhe si pasojë e flakëve nga zjarri është përfshirë edhe një automjet tjetër që ka qenë afër tip 'ford' në pronësi të B.A. Vetë Leli është shprehur për Report Tv se po përballet me një problem serioz familjar dhe se kjo ngjarje nuk i intereson.

“Po më vdes vëllai. Është në gjendje të rëndë. Nuk më intereson se çfarë ka ndodhur”, deklaron Leli

'Range Roveri' në pronësi të bashkisë por që përdorej nga kryebashkiaku Leli, ishte parkuar pranë pallatit ku banonte shoferi i Dritan Lelit, E.T. Si pasojë e flakëve të dy automjetet janë shkrumbuar plotësisht. Burime për Report Tv, bëjnë me dije se të dy makinat janë lëvizur nga vendi i ngjarjes dhe ajo çka ka mbetur pas janë vetëm mbetjet e blozës dhe një gomë rezervë.

Ndërkohë policia ka ngritur një grup hetimor për të zbardhur të plotë këtë ngjarje dhe rrethanat e zjarrit.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 08:30
Djegia e makinës së Dritan Lelit/ Banorët: Shoferi jetonte në pallatin tjetër, këtu parkonte djali im.. (VIDEO)

Gazetari i Report Tv, Armand Xhelili ka raportuar nga vendi i ngjarjes ku u dogj makina e kryetarit të Bashkisë së Vlorës, Dritan Leli duke thënë se 'Range Roveri' ka qene i parkuar pranë banesës
së shoferi të Lelit. 

Ndërkohë disa banorë të pallatit ku ishte parkuar makina e djegur kanë dëshmuar se kanë parë të gjithë ngjarjen por nuk kanë parë persona të dyshimtë. Një banorë ka thënë se shoferi i kryebashkiakut jetonte në një pallat tjetër dhe jo tek pallati ku kishte parkuar makinën. Më pas banori tregon se vendi ku shoferi i Lelit kishte lënë makinën ishte vendi ky i biri parkonte makinën e tij dhe fillimisht kishte menduar se ishte djegur makina e djalit. 

"Si nuk e pamë ngjarjen, kur dola nga shpia flakë makina, flaka në majë. 4:30 ka qenë ora. Ktu ska ndodhur gjë më parë është qetësi e madhe s'kemi ngacmuar njeri e s'na kanë ngacmuar, as në 97 s'na kanë ngacmuar. Aty është vendi ku le djali makinën, mendova se është makina e djalit tim. Kur dal ishte flaka në majë. Zhurmë nuk dëgjuam, ndriçim ka. Unë iki herët në punë në orën 3. Edhe po u dogj drita unë do të ndërroj, është dritë. Ktu rri shoferi po rri të pallati tjetër." ka thënë një banorë i pallatit.

Ora 08:46
Digjet gjatë natës 'Range Roveri' i kryebashkiakut të Vlorës, Dritan Leli (FOTO)