FIER-Një subjekt tregtar që merret me pjesë këmbimi të makinave në afërsi të vendit të quajtur "Kryqëzimi i Parkut" është qëlluar me armë zjarri mbrëmjen e sotme. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 21:30 minuta. Sipas policisë, persona ende të paidentifikuar që po udhëtonin me një mjet tip "BMW" hapën zjarr drejt biznesit dhe më pas u larguan me shpejtësi duke i vendosur flakën makinës në lagjen "Afrim i Ri"
Makina tip "BMW" pas verifikimeve ka rezultuar se targën e ka pasur false, pasi targa "AA 978 MY" i përket një makine tjetër tip 'Renault'. Report Tv siguron pamjet e makinës që autorët dogjën dhe të servisit që qëlluan me breshëri kallashnikovi. Pas sinjalizimit, në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e policisë dhe shërbimi zjarrfikës për shuarjen e zjarrit, ndërsa brenda makinës është gjetur arma e zjarrit tip automatik kallashnikov.
Është ngritur grupi hetimor dhe po punon për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarje, identifikimin dhe kapjen e autorëve. Grupi hetimor pritet që të marrë në pyetje pronarin e servist të makinave që u qëllua me armë zjarri për konfliktet e mundshme që mund të ketë pasur.


