MALIQ – Një zjarr ka përfshirë një banesë në fshatin Zvezdë të bashkisë së Maliqit, duke shkaktuar dëme të mëdha materiale. Sipas informacioneve paraprake, flakët kanë përfshirë totalisht katin e dytë të një banese dykatëshe. Ende nuk dihen rrethanat e sakta të ngjarjes, por dyshohet se zjarri ka nisur nga energjia elektrike, në një kohë kur familjarët kanë qenë në gjumë.
Në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë shërbimet zjarrfikëse, të cilat kanë bërë të mundur izolimin e flakëve dhe shuarjen e plotë të zjarrit. Fatmirësisht nuk raportohet për persona të lënduar, pasi familjarët janë nxjerrë jashtë banesës me ndihmën e fqinjëve. Në vendngjarje ndodhet edhe Policia e Shtetit, e cila do të kryejë veprimet e plota hetimore për zbardhjen e shkaqeve të zjarrit.
Djali i familjes, Ëngjëllush Saliu, tregon se zjarri ka nisur në katin e dytë të banesës, ndërkohë që ai ishte në gjumë dhe pjesëtarët e tjerë ndodheshin në kuzhinë. “Nuk kishim asgjë të ndezur. Është djegur komplet kati i dytë. Jemi 7 pjesëtarë në familje, por në momentin e zjarrit ishim 4 veta në shtëpi. Nuk kemi mundësi ta rindërtojmë, na u dogjën të gjitha. Kërkojmë ndihmë nga shteti”, shprehet ai.
Njw tjetwr familjar thotë se banesa ishte e kompletuar dhe dyshohet se zjarri ka ardhur nga korenti. “Kanë punuar 6 muaj vetëm për shtëpinë dhe tani nuk kanë asnjë mundësi ta rindërtojnë. Nuk kanë të ardhura, janë familje hallexhinj. Kërkojmë ndihmë nga bashkia e Maliqit, qoftë ushqime, rroba apo çdo mbështetje tjetër”, u shpreh ai, duke shtuar se familja u njoftua për zjarrin nga një fqinj.
Familjarët apelojnë për ndihmë nga institucionet dhe autoritetet vendore, pasi pas zjarrit kanë mbetur pa strehë dhe pa asnjë mjet jetese.
Komente











