Një sipërfaqe prej 6 hektarësh me bar të thatë është djegur në një parcelë toke buke në afërsi të fshatit Jorgucat të Dropullit.

Mësohet se shkaku i zjarrit ka qenë një shkëndije elektrike e autokombajnës që ishte në vendngjarje për të korrur barin e thatë.

Si pasojë  e defektit që pësoi, autokombajna u shkrumbua plotësisht.

Ndërkohë, forcat zjarrfikëse në Dropull kanë shkuar menjëherë në vendngjarje duke eliminuar rrezikun e lartë pasi flakët po i afroheshin një bombole të madhe propani (gaz) që ndodhej në afërsi të një ish punishteje për prodhimin e enëve plastike.

Zjarrfikësit kanë vënë nën kontroll zjarrin e shkaktuar nga autokombajna pa pasur dëme në njerëz..