TIRANE - Dilemat për ristrukturimin e PD, për ta bërë gati të përballet me të majtën, tashmë në kushtet e opozitës, kanë nisur ta shoqërojnë që tani kreun e ri Lulzim Basha.

Duke parë deklaratat përballëse mes grupeve brenda në PD, lideri i ri duhet të vendosë deri në shtator nëse do të ndjekë rrugën e liderit historik Berisha gjatë gjithë historisë së tij, atë të përjashtimit të kundërshtarëve në parti dhe pastrimit të rrugës së dominimit i vetëm në PD, apo të ndjekë sërish rrugën më të butë të Berishës në fundin e vitit 2004, teksa ftoi të gjithë ata që ishin larguar ndër vite për të qënë bashkë në një front kundër mazhorancës së atëhershme të drejtuar nga Fatos Nano.

Pikërisht kjo është dilema që e po e shoqëron Bashën. Ai është tashmë nën trysninë e pjesës radikale të PD, që teksa sulmojnë Patozin dhe Olldashin, nuk mungojnë të bëjnë thirrje për operacione të thella spastrimi në këtë parti. Gjë të cilat për momentin, teksa mendohet një opozitë e tejzgjatur nuk është se nuk po merret në konsideratë nga Basha por dhe nga “mentori” i tij Berisha për të arritur pastrimin e PD nga kundërshtarët.

Por duke parë historinë që ndoqi këtë rrugë nga ana e Berishës vëren se s’ka shënuar asnjë fitore elektorale. Fitorja erdhi kur u kthyen të gjithë, madje dhe Imami, Pashko etj që kishin ikur shumë e shumë vite më parë. Në këtë mënyrë Basha dhe pas tij Berisha do të duhet të zgjedhin, përjashtime apo afrime.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 30.07.2013
 
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)