Dilemat për 13 Majin, kreu i PD së
Shkodrës:Policia mos provokojë

Dilemat për 13 Majin, kreu i PD së<br />Shkodrës:Policia mos provokojë
Ngërçi politik në Shqipëri nga dje ka marrë trajtën e një krize politike, fundi i së cilës mbetet e paparashikueshëm. Për herë të parë që nga themelimi i saj, emri i Partisë Demokratike, me të cilën lidhet vendosja e pluralizmit në Shqipëri, nuk do të jetë në fletën e votimit për zgjedhjet parlamentare. Me miratimin e fletës së votimit dhe në mungesë të një zgjidhje të mundshme politike, Partia Demokratike po ecën me shpejtësi në rrugën e daljes nga skena politike dhe institucionale. Por, për të evituar një fund të tillë të paralajmëruar, krerët e opozitës synojnë zhbërjen e zgjedhjeve të 18 Qershorit dhe zhvillimin e një procesi tjetër zgjedhor, i shtyrë në kohë, me kushtet e PD.

Në funksion të këtij qëllimi (i cili nuk mbahet i fshehtë nga lidershipi demokrat), Partia Demokratike, ditët e fundit, po ndryshon strategjinë e protestave dhe të formave të mosbindjes civile, për t’i imponuar qeverisë skemën e saj. Shqiptarja.com ka mësuar nga shtabi i mosbindjes civile se ndryshimi i strategjisë do të reflektohet në protestën e 13 Majit, e cila do të jetë prova e radhës për opozitën, për të treguar fuqinë e saj për bllokimin e zgjedhjeve të 18 Qershorit. Sipas burimeve, përpos fjalimeve dhe masivitetit të protestuesve, krerët e PD synojnë t’i japin një mesazh force kryeministrit Edi Rama, me qëllim për ta detyruar që të tërhiqet edhe në Kavajë.

Kreu i PD së Shkodrës
Kreu i PD së Shkodrës, Ramiz Çoba tha për Shqiptarja.com se protesta e 13 Majit do të jetë paqësore, por shtoi se organizatorët nuk mbajnë asnjë përgjegjësi për provokime të mundshme nga ana e mazhorancës. “Ndryshimi i parë është se kjo do të jetë protesta më e madhe. Njerëzit e kanë pritur këtë protestë masive. Jam shumë i sigurt që protesta do të jetë paqësore, vetëm nëse qeveria synon që të krijojë incidente, me anë të provokimeve. Bëhet fjalë për provokime konkrete nga policia, ndërsa për retorikën e kryeministrit jemi mësuar, nuk na bën përshtypje. Nga ana jonë do të jetë paqësore. Nëse pala tjetër provokon, nuk mbajmë përgjegjësi për lëvizjet e palës tjetër”, tha Çoba.

Protesta jashtë kontrollit?
Asnjë nga organizatorët nuk konfirmojnë një skenar dhune, por për herë të parë ata nuk garantojnë kontrollin e protestuesve, sikundër është operuar deri më sot. Sipas tyre, mungesa e një marrëveshje, mbetja e PD jashtë zgjedhjeve dhe masiviteti i pritshëm i protestuesve, mund ta bëjnë të pamundur kontrollin e protestës. Nga ana tjetër, direktiva kryesore e Lulzim Bashës konsiston në sjelljen e një numri sa më ta madh protestuesit në Tiranë, ndërsa për herë të parë ka një paqartësi sa i takon natyrës së protestës, edhe për shkak se mbajtja e zgjedhjeve të 18 Qershorit, në një situatë normale, mund të ishte katastrofale për fatin e PD. Paqartësia dhe ambiguiteti në mesazhe e shtojnë më tej ankthin rreth protestës së 13 Majit.

Mesazhi i Bashës
Kryetari i Lulzim Bashës, duke folur për protestën e 13 Majit, për herë të parë nuk e ka përmendur fjalën ‘paqësore’. Basha i kërkoi kryeministrit Edi Rama që të bëhet pjesë e konsensusit ose përndryshe do të përballet me popullin. “Ne bashkohemi për të nisur në 13 maj, themelimin e Republikës së Re për çdo qytetare e qytetar shqiptar. Ne njohim dhe do të njohim vetëm këtë Republikë të Re. Bëhuni pjesë e konsensusit popullor për të shembur të vjetrën, shtetin e dështuar, të korruptuar e të inkriminuar e për të ndërtuar së bashku Republikën e Re. Bëhuni pjesë e konsensusit, ose përballuni me popullin”, ka pohuar Lulzim Basha.

Mesazhi i Berishës
Teksa Basha nuk përmend më fjalën ‘paqësore’, ish-kryeministri Sali Berisha, ka folur për mundësinë që protesta të mos menaxhohet nga PD. “E kam thënë dhe po e them prapë se të paktën 80-100 mijë nga ata protestues, ata kishin ardhur për ta fshirë Edi Ramën. Dhe që ta dish, nëse vendosin, jo 80 mijë por dhe 20 mijë, po vendosën, janë të mjaftueshëm për ta realizuar qëllimin. Ka protesta që kanë karakter festiv por ajo ishte revoltë dhe qe një gjë e jashtëzakonshme që ajo protestë u menaxhua në mënyrën më perfekte. Aty u instalua çadra si përfaqësuese e asaj proteste. Mund t’ju garantoj, dhe këtu do jemi që protesta tjetër po të thirret do të jetë edhe më e madhe, dhe pastaj menaxhimi i saj do jetë problemi kryesor, se një herë i menaxhon ti por herën tjetër të menaxhojnë ato ty. Ky është i gjithë problemi”, ka paralajmëruar Berisha. 


dy.b/shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Shqipëria dy medalje bronzi në Lojërat Olimpike, e kujt është merita?



×

Lajmi i fundit

Makinat përplasen ‘kokë me kokë’ në aksin Fushë-Krujë-Thumanë, një nga mjetet përfundon mbi barrierë! Një i plagosur

Makinat përplasen ‘kokë me kokë’ në aksin Fushë-Krujë-Thumanë, një nga mjetet përfundon mbi barrierë! Një i plagosur