EUROPE - Europa do të vazhdojë ende të jetë në ndikimin e masave ajrore të ftohta nga Rusia dhe Siberia. Stuhitë dhe reshjet e dëborës kanë bllokuar aeroporte dhe akse rrugore.

Gjatë ditëve të fundit temperaturat nën zero kanë mbërthyer Europën të cilat janë më të ulta se mesatarja e stinës. Europa verilindore po përjeton reshjet më të mëdha që mbahen mend ndonjëherë, ku në Repubblikën Çeke temperaturat u ulën në minus 27 gradë celsius. Dëbora e madhe dhe ngricat kanë shkaktuar dëme në shumë shtete të Europës, duke bllokuar aeroporte, akse rrugore dhe shumë fshatra në një pjesë të madhe të Ballkanit, ku reshjet kanë vazhduar për disa ditë me radhë.

Veçanërisht në Serbi moti i acartë ka shkaktuar izolimin e mijëra njerëzve në disa qarqe të vendit, ku ushtria ka përdorur mjete të rënda për t’i ardhur në ndihmë personave. Vala e të ftohtit ka sjellë dhe viktima, ku nga burimet zyrtare bëhet me dije se deri tani 35 persona kanë humbur jetën. Disa nga masat ajrore të ftohta kanë prekur edhe Europën perëndimore, ku në gadishullin italian moti i keq ka paralizuar pjesën veriore të saj. Në të njejtat kushte me vranësira dhe reshje dëbore ndodhet edhe pjesa jugore dhe lindore e Mesdheut duke u shoqëruar me shi dhe stuhi.

Meteorologët parashikojnë se ende do të ketë hyrje të masave ajrore të ftohta nga Rusia dhe Siberia gjatë fund javës.

MAQEDONI
Moti i keq dhe temperaturat e ulëta kanë përfshirë edhe Maqedoninë. Tetova, Berova, Manastiri dhe Prilepi sot në mëngjes janë qytetet më të ftohta. Në Tetovë, në orën lokale 07:00 është matur temperatura -19 gradë celsius, në Berovë dhe Manastir -16, në Prilep -15, në Strumicë - 14 gradë, në Shkup -13 gradë celsius.

Redaksia online
(eç/lç/shqiptarja.com)