Zonat malore në qarkun e Korçës janë mbuluar përsëri nga dëbora e në fillim të muajit prill. Zyrtarisht jemi në muajin e pranverës, por fshatrat turistikë si Dardha e Boboshtica vijojnë të ofrojnë kënaqësitë e dimrit.
Në aksin rrugor Boboshticë-Dardhë trashësia e dëborës arrin deri në 20-25 centimetra. Sakaq, kontraktorët ndodhen në terren dhe po punohet për pastrimin e rrugëve dhe kriposjen e tyre.
Ulja e temperaturave ka rikthyer reshjet e dëborës dhe në qarkun e Kukësit, kryesisht në zonat malore. Gjatë natës dhe në orët e para të mëngjesit të së mërkurës, reshjet e dëborës janë regjistruar në aksin Kukës–Shishtavec, ku kompania kontraktore ka ndërhyrë menjëherë me mjete borëpastruese dhe punëtorë për të mbajtur të kalueshëm segmentin rrugor.
Sipas të dhënave nga terreni, intensiteti i reshjeve të dëborës në lartësitë mbi 700 metra mbi nivelin e detit është në rënie. Megjithatë, sipas informacioneve nga terreni, trashësia e dëborës në zonat e larta malore nuk ka kaluar 3 centimetra, çka deri tani nuk ka krijuar probleme serioze në lëvizjen e automjeteve apo në qarkullimin rrugor.
Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të shmangin udhëtimet e panevojshme drejt zonave të thella malore dhe të respektojnë udhëzimet e policisë rrugore dhe të shërbimeve të mirëmbajtjes.
Komente










