Stuhia e fuqishme e dimrit që ka mbërthyer pjesën qendrore dhe lindore të SHBA-ve, ka shkaktuar të paktën 38 viktima në 14 shtete të Amerikës.
Ndërkohë, ngricat, temperaturat ekstreme dhe ndërprerjet e energjisë kanë paralizuar jetën e përditshme të miliona amerikanëve.
Stuhia nisi të premten e 23 janarit, duke zbrazur reshje të dendura bore dhe akulli në një territor masiv. Edhe pse bora u zbut deri të hënën, i ftohti ekstrem mbeti, duke krijuar kushte të rrezikshme dhe presion të madh mbi shërbimet emergjente.
Deri të martën, mbi 550 mijë shtëpi dhe biznese ishin ende pa energji elektrike, ndërsa rreth 200 milionë amerikanë ndodheshin në alert ndërsa temperaturat e ulëta pritet të zgjasin të paktën deri më 1 shkurt.
Goditjen më të rëndë e pësoi qyteti i Neë York-ut, ku u raportuan 10 vdekje të lidhura me stuhinë. Kryebashkiaku Zohran Mamdani tha se të gjithë viktimat u gjetën jashtë, por nuk konfirmoi nëse ata ishin të pastrehë.
“Punonjësit tanë duhet të fokusohen te shpëtimi i jetëve, jo te mbledhja e statistikave,” tha Mamdani, duke shtyrë regjistrimin vjetor të personave të pastrehë për arsye sigurie.
Në Nashville, situata mbetet kritike. Më shumë se 135 mijë familje janë ende pa energji. “Kjo është një stuhi historike akulli,” tha kryebashkiaku Freddie O’Connell. Qendrat e strehimit për të pastrehët janë mbushur plot, me rreth 1.400 persona, ndërsa policia dhe zjarrfikësit po kontrollojnë rrugët gjatë gjithë natës.
Meteorologët paralajmërojnë se një tjetër stuhi dimërore mund të godasë bregun lindor këtë fundjavë. Autoritetet federale dhe lokale u bëjnë thirrje qytetarëve të shmangin udhëtimet e panevojshme, të kërkojnë strehim dhe të kujdesen për personat më të rrezikuar nga i ftohti ekstrem.
Komente








