Sa i përket dinamikës së sherrit të ndodhur në një rrugicë qorre pranë shkollës “Fan Noli”, rreth orës 13.00 të 18 nëntorit, kur të miturit kishin mbaruar mësimin, në sherr janë përfshirë 5 persona: Martini i vogël i cili mbeti viktimë, shoku i tij i cili mbeti i plagosur me disa plagë dhe ndodhet aktualisht në spitalin e Traumës, kushëriri i tij (i të plagosurit), autori i dyshuar, aktualisht në masë arresti me burg, dhe një shok i autorit të dyshuar, gjithashtu nxënës i shkollës “Fan Noli”.
Përplasjet e para mes Martinit dhe autorit të dyshuar shokë shkolle, nisën të premten, 3 ditë para vrasjes, në ambientet e shkollës “Fan Noli”. U konfrontuan sërish edhe të hënën, po në ambientet e shkollës, pak orë para vrasjes. Sipas të paktave deklarime që autori i dyshuar ka thënë, gjithçka nisi se Marin Cani e shikonte. Për përplasjen e tyre në shkollë, megjithë ndërhyrjen modeste të oficeres së sigurisë e cila u mjaftua vetëm me fjalët e të miturve se e zgjidhën problemin pasi ishte vetëm një keqkuptim mes tyre, nuk u njoftuan prindërit e dy 14-vjeçarëve dhe as instance më të larta të shkollës. Pikërisht ky sherr që nuk u trajtua siç duhet në ambientet e shkollës çoi në përplasjen e tyre pak më tutje shkollës, që përfundoi me 1 viktimë e 1 të plagosur.
Pas sherrit në shkollë, Martin Cani telefoni për mbështetje shokun e tij i cili mëson në një tjetër shkollë në Sauk. I mituri nuk erdhi i vetëm, por bashkë me kushëririn. Ndërsa autori i dyshuar, mori me vete një shok të shkollës “Fan Noli”.
Të pestë mendohet të kenë qenë në përplasjen 200 metra larg shkollës. Por siç burime nga grupi hetimor thonë për Report Tv, i vetmi që mendohet se ka pasur thikë me vete, është autori i dyshuar në arrest. Thika e tij, e cila u gjet disa ditë pas vrasjes brenda një çante shkolle hedhur mbi tarracën e një godine të braktisur 10 minuta larg shkollës, dyshohet të ketë qëlluar Martin Canin, dhe shokun e tij që mbeti i plagosur. Hetuesit thonë se nga provat dhe dëshmitë e mbledhura, mund të flitet vetëm për një thikë, e njëjta me të cilën sipas tyre, u vetëplagos në dorë edhe autori i dyshuar.
Dëshmia dhënë në media e babait të të miturit të plagosurit, se nuk bëhet fjalë vetëm për një autor, por edhe për një të mitur tjetër që sipas tij mund të kishte pasur edhe thikë, solli reagimin përgënjeshtrues të policisë.
Personi në fjalë mbi të cilin babai i të plagosurit ngre dyshime, siç Report Tv mëson, është dorëzuar në polici nga babai i tij. Burime nga grupi hetimor, thonë se i mituri, në prani të hetuesve, është çuar sërish në vendin e ngjarjes, ku ka treguar dinamikën e sherrit. Ai thotë se roli i tij ka qenë për të ndarë palët, dhe siç hetuesit thonë se kanë provuar përmes kamerave të sigurisë, ai nuk ka qenë i pranishëm në momentin e vrasjes. Burimet thanë se personi në fjalë, shok i autorit të dyshuar, ka qenë në fillin të sherrit, por pasi ka marrë një goditje me grusht është larguar.
Ndërkohë, kushëriri i shokut të Martinit, mësohet të ketë dorëzuar në polici, edhe telefonin e të plagosurit, i cili është marrë si provë për të parë se ç’mund të zbulohet ndoshta nga komunikimet edhe në rrjete sociale mes të rinjve.
Ende vijon të jetë i zhdukur telefoni i autorit të dyshuar, i cili do të shërbente edhe më shumë në duart e hetuesve, për të parë nëse ka komunikime dhe përplasje të drejtëpërdrejta mes tij dhe Martin Canit, apo komunikime me persona të tjerë që autori i dyshuar mund të ketë telefonuar edhe pasi ka ndodhur vrasja.
Po ashtu, ende nuk janë gjetur personat që e transportuan autorin e dyshuar, nga vendi i ngjarjes fillimisht drejt një spitali privat, e më tej drejt një spitali të dytë privat, ku ende ndodhet, në pritje që të transferohet në paraburgimin për të mitur.