Altin Ndoci u arratis sot nga spitali i Durrës ku ishte shoqëruar nga Policia e Burgjeve për të kryer një vizitë mjekësore të planifikuar, konkretisht në repartin e Infektivit. Ndoci ankohej për shqetësime në veshka, ndërsa vizitat për personat e burgosur zhvilloheshin në një ndarje të posaçme. Për ta bërë më të qartë, Report Tv sjell filmime nga zona e jashtme e spitalit, nga dera deri jashtë traut ku është zhdukur në fund Altin Ndoci. Video është filmuar pasdite ku në derë ndodhen punonjësit e sigurisë shtetërore Ilyrian Guard. Mesditën e sotme kur dhe ka ndodhur arratisja, burime nga spitali kanë bërë me dije se nuk ka pasur punonjës sigurie.

Reparti i Infektivit, ndodhet në godinë më vete brenda spitalit rajonal të Durrësit. Godina është me 3 kate dhe vetëm dritaret e katit të tretë janë me hekura, pasi aty ndodhet dhoma e posaçme për vizitat e të paraburgosurve ose të dënuarve.

Kanë qenë 2 policë, e kanë shoqëruar në dhomën e kontrollit për vizitë. Tualeti ndodhet brenda dhomës së kontrollit, në katin 3 të repartit infektiv. Altin Ndoci, i ka kërkuar të futet në tualet, e ka shoqëruar njëri nga policët, dhe e ka pritur te dera e tualetit brenda dhomës. Polici tjetër qëndronte brenda dhomës, në një cep tjetër të saj. Altin Ndoci ka dalë dhe ka qëlluar dy efektivët. Më tej ka shpartalluar derën (e mbyllur me çelës nga brenda). Policët kanë dalë 12 sekonda pasi Altini është larguar nga dera kryesore e infektivit, kjo e verifikuar me kamerat e sigurisë te vendosura jashtë spitali.

Altin Ndoci ka zbritur nga shkallët, ka dalë nga dera kryesore e godinës dhe me vrap ka ecur drejt traut të vendosur në hyrje të godinës së spitalit për parkimin e brendshëm të makinave. Kjo lëvizje, nga dera e infektivit te trau në dalje i spitalit, nuk është as 50 metra. Direkt pas traut, e prisnin 2 automjete, një “Audi A7” luksoz ku dhe ka hipur Ndoci dhe një tjetër mjet.

Brenda traut, në pjesën e oborrit të godinave spitalore (jo shumë larg traut) ndodhej furgoni i burgjeve. Polici i burgjeve që e ka ndjekur Ndocin, ka qëlluar me armë në tokë, sapo ka dalë nga godina e infektivit, për të trembur të paraburgosurin.

Report Tv gjithashtu ka siguruar foton e të paraburgosurit Altin Ndoci duke vrapuar jashtë spitalit si dhe efektivin e policisë që i është vënë pas për ta ndjekur me pistoletë në dorë.


Lajmi kryesor:

Nga qelia për vizitë, 'ushtari' i Çopjave arratiset nga Spitali i Durrësit! Goditi 2 policët që e ruanin te dera e dhomës dhe iku me vrap! E prisnin 2 makina, iku me Audi A7 (DINAMIKA)