TIRANË - Në 'Arenën e Demave' në kryeqytet, Vora u mposht 0-2 nga Dinamo. Sfida e kësaj mesdite ishte ajo që çeli raundin e tetë të Superligës, ndërsa në orën 17:00 luhen edhe Vllaznia - Tirana dhe AF Elbasani - Bylis.
Dinamo e Ilir Dajës ishte më kërkuese, por portieri i Vorës, Romeo Harizaj bëri shpëtimtarin në një rast kur largoi një goditje fluturimthi të Guindo. Gjithsesi, në fundin e pjesës së parë, Lorenco Vila përfitoi nga një "pingo-pong" në zonë dhe e dërgoi sferën në rrjetë, duke i dhënë epërsinë Dinamos.
Në pjesën e dytë Vora kërkoi golin e barazimit nga goditjet standarte, por prapavija e Dinamos u tregua e saktë. Minuta e 77-të solli edhe golin e dytë. Arbitri Olsid Ferataj akordoi një penallti në favor të Dinamos për një shtyrje në zonë në dëm të Guindo. Nga 11 metra u paraqit Dejvi Bregu, i cili i thirrur në apel nuk gaboi, paçka se Harizaj kuptoi krahun. Goditja e vlonjatit u ndal në trekëndësh dhe Dinamo siguroi kështu fitoren e katërt sezonale.
Me 16 pikë dhe një ndeshje më pak, Vllaznia kryeson Superligën, ndjekur nga Dinamo dhe Egnatia (një ndeshje më pak) me 14 pikë. Ndërkohë që Vora me 10 pikë mbetet në pozitën e gjashtë.
Komente











