TIRANË - Për të dytin vit radhazi, Dinamo ka mposhtur Egnatian në finalen e Kupës së Shqipërisë duke e dërguar në 15-të numrin e trofeve të fituar në këtë kompeticion gjatë gjithë historisë. Këtë të mërkurë në ‘Air Albania’ djemtë e Ilir Dajës vuajtën, por fituan 3-2 kundër Egnatias.

Në minutën e 9-të Egnatia mbeti me një lojtar më pak në fushën e lojës pas daljes me karton të kuq të Bakayoko, i cili bëri një ndërhyrje të gabuar në dëm të portierit Aldo Teqja, me këtë të fundit që la fushën i dëmtuar duke u dërguar në spital. Pas rishikimit të pamjeve në VAR, Enea Jorgji la me një lojtar më pak Egnatian.

Dinamo përfitoi nga epërsia numerike dhe kaloi në avantazh me golin e Malomos pas 23 minutave lojë, ndërsa pas gjashtë minutash Dejvi Bregu shënoi edhe golin e dytë për Dinamon.

Në fraksionin e dytë, konkretisht në minutën e 52-të forcat në fushë u barazuan pasi Malomo doli nga fusha pas kartonit të dytë të verdhë. Minutat në vijim Egnatia ‘u zgjua’ dhe shkurtoi shifrat me golin e Nikola Buric në minutën e 81-të duke e bërë fundin edhe më emocionues.

Gjashtë minuta nga fërshëllima finale, Ibrahim Mustapha shënoi një supergol për Dinamon duke sigluar shifrat në 3-1. Në minutën e dytë shtesë Adjessa shkurtoi shifrat në 3-2, me fundin që prodhoi tension dhe emocione.

Kështu, Dinamo për të dytin sezon radhazi është fituese e Kupës së Shqipërisë duke mposhtur dy herë Egnatian në finale. Tanimë ‘Blutë’ kanë 15 trofe të Kupës në vitrinën e klubit.