Ndërkaq, duke u ndalur tek masat e marra për luftimin e këtij fenomeni, Abazaj tha se arrestimi i mjekut në këtë rast nuk i jep zgjidhje problemit, duke shtuar se ky problem luftohet duke reformuar sistemin e shëndetësisë.
Kreu i Urdhrit të Mjekut u ndal tek respektimi i Kodit të Etikës, duke u shprehur se me rëndësi është edhe ndërgjegjësimi i qytetarëve për të mos u ofruar para nën dorë bluzave të bardha.
Si e pritet informacionin për arrestimin e një mjeku në QSUT?
Natyrisht janë raste që na dëshpërojnë shumë. Nuk e njoh shumë mirë këtë rast, ndaj nuk arrij ta shpjegoj tamam fenomenin dhe nuk mund të dal në mbrojtje të tyre. Është detyrë e shefave të tyre të na sinjalizojnë kur ka raste të tilla. E ndjej që është një fenomen…
Sa e përhapur është mitmarrja në bluzat e bardha?
Nuk mund ta përgjithësoj këtë gabim të një individi, dhe nuk mund ta errësoj ngjyrën e bluzave të bardha, të cilët janë gjithmonë në shërbim të publikut. Puna e mjekut është shumë e vështirë, që kërkon dije, që nuk njeh para, mjeku është në dispoziciopn sa herë e kërkon i sëmuri apo sa herë e kërkon spitali, orar e pa orar…
E njihnit personalisht mjekun në fjalë?
Unë nuk e njihja personalisht dhe e pashë vetëm në lajme. Ajo që më shqetëson se këto fenomene nuk po denoncohen më tek ne, tek “Urdhri i Mjekut”.
Mund të luftohet ky fenomen me arrestime?
Këtu, mund të kem një farë observimi nga ana ime. Edhe nëse arreston një mjek nuk e shëron sistemin. Mjeku me punën e tij, të mirë apo të keqe refleketon sistemin, kështu që korrupsioni dhe mirtmarrja për t’u luftuar duhet të luftohet duke rregulluar sistemin. Nuk është as “Urdhri i mjekut” që e lufton… Duhet të theksoj se mjekët duhet të njihen me kodin e deontologjisë mjekësore, por para se ta njohi mjeku, unë kërkoj që ta njohë edhe drejtuesi i spitalit.
Kodi i Etikës, janë rregullat që duhet të respektojë një mjek?
Kodi i Etikës është dokumenti themelor që përmbledh të gjitha standardet që mjeku është i detyruar të ushtrojë gjatë ushtrimit të profesionit. Aq më tepër që sot është ngritur një praktikë e drejtuesve të instucioneve që emërohet jo mjek, ata mund të jënë shumë të aftë, por ata se njohin mjekun, s’dinë të komunikojnë me të dhe aq më tepër t’i kërkojnë llogari se si e kanë bërë punën. Edhe jashtë vendit njihet kjo praktikë të menaxherëve të spitaleve, por ata, mund të jenë të fushave të ndryshme, por ama kanë bërë specializime në mjekësi.
Pse një mjek shkon deri tek abuzimi apo mitmarrja?
Unë kam ndërmarrë një nismë, aty ku janë ndërruar drejtorët kam kërkuar takime që t’i njoh me problemet. Unë jam i sigurtë se nëse u kërkojnë llogari mjekëve si duhet, dhe mjekët e zbatojnë si duhet Kodin Etik, drejtuesve të spitaleve do u zbardhet faqja. Mendoj se ky fenomen ekziston pasi pacientët, duke parë kushtet e spitaleve tona, e quajnë të nevojshme të paguajnë për të marrë maksimumin e shërbimit. Duhet të sensibilizohen qytetarët që janë duke marrë një shërbim nga mjekë të specializuar dhe të kualifikuar që zbatojnë Kodin e Etikës, dhe që plotësojnë kriteret që janë vendosur. Dhe duke e ditur se vizitohet nga mjekë të licencuar, pacientët binden se nuk kanë pse të paguajnë.
Ministria e Shëndetësisë e ka përshëndetur arrestimin e mjekut, si ju duket qasja e qeverisë së re ndaj sistemit shëndetësor?
Natyrisht kur ka shkelje e përshëndesim edhe ne. Por mua më habit fakti se pse po ndodh vetëm me mjekët arrestimi.
Pse ka edhe të tjerë përveç mjekëve? Për kë e keni fjalën?
Mitmarrja që bën mjeku është për t’u ndëshkuar, por pjesën më të madhe të korrupsionit nuk e bëjnë mjekët. Pyete ministrinë e Shëndetësisë sa borxhe ka, pyet drejtoreshën e QSUT si e ka gjetur spitalin, sa medikamente ka të skaduar në magazinat e saja.
Ku ndryshon spitali privat nga ai publik?
Në privat nuk ka mitmarrje, sepse çmimet janë të përcaktuara, dhe nëse pacienti i jep diçka mjekut ia jep vetëm për mirënjohje. Por në privat shërbimin e marrin një pakicë njerëzish, dhe nëse shkojnë ata do të heqin shumë nga buxheti i tyre. Por diferenca e vërtetë është se në spitalet private kushtet e ofrimit të shërbimit, mundësitë dhe pajisjet janë shumë më të mira se ata që ofrohen në spitalin publik dhe detyra e qeverisë është kjo që ta ngushtojë sa më shumë këtë diferencë.
Çfarë mund t’u themi qytetarëve kur dëgjojnë raste të tilla të arrestimeve?
Unë u bëj apel të gjithë qytetarëve që të i fusin lekët në xhepin e mjekut. Ju them qytetarëve që nëse ua kërkojnë një gjë të tillë ti denoncini pranë “Urdhrit të Mjekut” që edhe ne të marrim masat tona ndaj atij që abuzon me detyrën, para se të shkojnë në prokurori apo polici.
Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)