Ambasadori i Shqipërisë në Slloveni, Pëllumb Qazimi priti në një takim drejtuesit e Qendrës Ndërkombëtare të Promovimit të Sipërmarrjeve (ICPE), Lubjanë
TIRANË, 27 Janar /ATSH-Gjergji Mima/ - Ambasadori i Shqipërisë në Slloveni, Pëllumb Qazimi priti në një takim drejtuesit e Qendrës Ndërkombëtare të Promovimit të Sipërmarrjeve (ICPE), Lubjanë.
Objekti kryesor i takimit ishte shkëmbimi i përvojave në fushën e diplomacisë ekonomike, ndërkombëtarizimit të ndërmarrjeve e produkteve, si dhe të tregtisë. Shqipëria prej vitit 1996 është anëtare e ICPE-së dhe ndër vite pranë kësaj qendre janë trajnuar ekspertë shqiptarë dhe po kështu janë dhënë kontribute të institucioneve shqiptare në këtë qendër, theksojnë burime nga ambasada shqiptare në Slloveni.
ICPE gjatë 3-4 viteve të fundit ka qenë shumë aktive me asistencë, ide dhe organizim konferencash kushtuar diplomacisë ekonomike. ICPE shkëmben informacion e përvoja në fushën e diplomacisë ekonomike me ministri të Punëve të Jashtme dhe institucione të tjera të disa vendeve, sidomos në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Një ndër arritjet e saj të fundit ka qenë organizimi i konferencave të diplomacisë publike në disa kryeqytete të vendeve të rajonit të Ballkanit Perëndimor. Shkëmbimi i ekspertëve të ekonomisë e të diplomacisë ekonomike janë në natyrën e vet institucionit, duke u shoqëruar më tej me organizim simpoziumesh, tryezash të rrumbullakta dhe seminaresh.
Ambasada e Shqipërisë prej vitesh ka mbajtur kontakte e ka bashkëpunuar ngushtësisht me ICPE-në. Në raportin e ICPE-së për vitin 2014, në seksionin për Shqipërinë, nënvizohet bashkëpunimi me Ambasadën e Shqipërisë dhe theksohet takimi i kësaj qendre me Ministren e Zhvillimit Urban e Turizmit, Eglantina Gjermeni në shtator 2014.
Ambasadori i Shqipërisë në Slloveni, Pëllumb Qazimi priti në një takim drejtuesit e Qendrës Ndërkombëtare të Promovimit të Sipërmarrjeve (ICPE), Lubjanë
Drejtori i ICPE-s, Janez Podobnik theksoi vlerat e punës së përbashkët dhe falënderoi për bashkëpunimin e vazhdueshëm ofruar nga Ambasada e Shqipërisë. Njëherazi, shprehu gatishmërinë që bashkëpunimi të thellohet në të ardhmen, sidomos në fushën e diplomacisë ekonomike e të tregtisë.
Duke qenë se, diplomacia ekonomike përbën një nga përparësitë e politikës së jashtme të Shqipërisë, dy bashkëbiseduesit ranë dakord që ICPE dhe Ambasada të punojnë së bashku për veprimtari të përbashkëta në fushën e diplomacisë ekonomike, si në Slloveni, ashtu dhe në Shqipëri. Bashkëbiseduesit ndanë të njëjtin vlerësim që mes Shqipërisë dhe ICPE-së të vendosen ura më të afërta komunikimi. Përmes tyre të shkëmbehen në kohë informacione e publikime të qendrës për diplomacinë ekonomike.
Gjithashtu, u ra dakord që të studiohen mundësitë e organizimit të veprimtarive si konferenca e tryeza të rrumbullakta që i kushtohen diplomacisë ekonomike dhe promovimit të prodhimeve shqiptare.
/m.m/