Diplomatët në alarm: Skenari
qeveri teknike gjithëpërfshirëse

Diplomatët në alarm: Skenari<br />qeveri teknike gjithëpërfshirëse
Një raport i ndërkombëtarëve në Kosovë, që po qarkullon në disa diplomatë perëndimorë, e paraqet situatën në Kosovë të rrezikshme, duke paralajmëruar dhe mundësinë e hyrjes në një destabilitet politik.

Nisur nga rezultati i zgjedhjeve dhe përpjekjet për rivalitet politik, memo që ka siguruar gazeta TemA, rekomandon një qeveri teknike gjithëpërfshirëse, me axhendë të qartë evropiane, e cila duhet të përfundojë reformën elektorale, të nisë dhe përfundojë amendamentët në Kushtetutë, sidomos në këto dy pika kyçe: Zgjedhja e Presidentit dhe zgjedhja e qeverisë.

Po ashtu qeveria duhet të aprovojë tre ligjet në lidhje me Gjykatën Speciale për Krimet e Luftës.

Memo konsideron se vazhdimi i dialogut me Serbinë dhe zbatimi i marrëveshjeve të arritura deri tani, duhet të jenë prioritet. Fokus të veçantë do të ketë krijimi i Shoqatës së Komunave të Kosovës.

Gazeta TemA, e cila ka siguruar faksimilet origjinale të kësaj memoje, po e boton atë të plotë siç e kemi siguruar, shoqëruar me faksimilet.

Subjekti: Nevoja për stabilitet politik në Kosovë

Përmbledhje: Kosova rrezikon të hyjë në një destabilitet politik në muajt e ardhshëm për shkak të diferencave të mëdha që kanë partitë politike me njëra- tjetrën. Ky ngërç politik është në dëm të vendit, pasi Kosovës i nevojitet një qeveri stabël në mënyre që të përballojë me sukses sfidat që do i paraqiten në një të ardhme të afërt.

Burimi i destabilitetit politik:

LDK, AAK dhe Nisma arritën një marrëveshje paszgjedhore për të hyrë në koalicion me njëra- tjetrën dhe të formojnë një qeveri që do të udhëhiqet nga lideri i AAK, Ramush Haradinaj. Gjithsesi, të treja partitë bashkë nuk i kanë numrat për ta formuar qeverinë dhe do t’u duhet të mbështeten në votat e LVV ose minoriteteve për të siguruar shumicën në parlament. Edhe pse me suportin e LVV ata mund t’i sigurojnë votat që u duhen për të formuar qeverinë, ajo do të jetë një qeveri mjaft e brishtë, e cila pritet të testohet shumë shpejt, sidomos kur Kosovës do t’i duhet të vazhdojë negociatat me Serbinë.

-Është e veshtirë të kuptosh se nga rrjedh e gjithë kjo fryme anti- PDK, veçanërisht kur të treja këto parti kanë qenë partnerë me PDK në një koalicion qeverisës dhe vazhdojnë të jenë partnerë në disa njësi në rang lokal. Sipas…. , gjithë ky entuziazëm për koalicionin buron nga fakti se liderët e këtyre partive duan ta anashkalojnë vëmendjen nga dështimet personale dhe performanca e dobët e partive të tyre në këto zgjedhje.

-Edhe pse PDK është fituese e këtyre zgjedhjeve, ata kanë përballë një sërë vështirësish për siguruar numrin e nevojshëm të votave për të formuar qeverinë. Sipar rezultateve paraprake, PDK ka vetëm 37 nga 120 vendet në parlamentin e Kosovës. Në qoftë se PDK nuk ia arrin të bindë ndonjë parti tjetër për t’iu bashkuar asaj në një koalicion paszgjedhor, atëherë ajo do ta ketë të pamundur të formojë qeverinë. Qarkullojnë zëra se disa deputetë opozitarë, të pakënaqur nga liderët e tyre dhe të frikësuar nga mundësia e zgjedhjeve të parakohshme, mund të kalojnë nga PDK në këmbim të posteve shtetërore. Gjithsesi as ky opsion nuk do të mundësonte krijimin e një qeverie të qëndrueshme dhe afatgjatë.

Si të sigurohet stabiliteti politik?

Kosovës do t’i nevojitet një qeveri politikisht e qëndrueshme në periudhën në vazhdim. Ndryshimet e parashikuara kushtetuese, dialogu me Serbinë dhe reformat e lidhura me Marrëveshjen e Stabilizim- Asocimit janë vetëm disa nga çështjet e rëndësishme që kanë nevojë për mbështetjen e shumicës dërrmuese në Parlamentin kosovar. Një nga skenarët, mjaft i preferuar nga diplomatët e huaj, është ai i formimit të një qeverie gjithpërfshirëse, e formuar nga të gjitha grupet parlamentare në Kosovë. Sipas këtij skenari, partitë politike do të caktojnë në poste shtetërore ekspertët e fushës dhe jo doemos personazhet me peshë politike. Disa nga reformat dhe vendimet kyçe që pritet të ndërmarrë kjo qeveri janë:

1.Të përfundojë reformën elektorale.

2.Të nisë dhe përfundojë amendamentët në Kushtetutë, sidomos në këto dy pika kyçe: Zgjedhja e Presidentit dhe zgjedhja e qeverisë.

3.Aprovimi i tre ligjeve në lidhje me Gjykaten Speciale për Krimet e Luftës.

4.Vazhdimi i dialogut me Serbinë dhe zbatimi i marrëveshjeve të arritura deri tani. Fokus të veçantë do të ketë krijimi i Shoqatës së Komunave të Kosovës.

-Kjo qeveri (teknike) e supozuar pritet të drejtojë vendin për dy vitet e ardhshme deri në mars 2016. Të gjitha partitë politike të përfaqësuara do të duhen të nënshkruajnë një marrëveshjë ku bien dakord që parlamenti të shpërndahet vetvetiu në mars 2016. Parlamenti i ri, i dalë nga zgjedhjet e vitit 2016m do të formojë më pas qeverinë e gjithashtu do të zgjedhë edhe Presidentin.

 Si do të jetë konstrukti i qeverisë së re?

Qeveria teknike do të përfshijë përfaqësues nga i gjithë spektri politik i Parlamentit të Kosovës. Kjo kërkon që të gjithë të zgjedhurit të jenë të përgjegjshëm në vendimmarrjen e tyre pasi u duhet të vendosin për çështje me rëndësi kombëtare.

-Partitë politike do i ndajnë postet në proporcion me vendet e tyre në parlament.

-Partitë politike do të inkurajohen që të vendosin ekspertët e tyre në ministritë që do u akordohen.

-Kryeministri i qeverisë teknike duhet të zgjidhet me konsensusin e të gjitha partive politike të përfaqësuara ne Parlamentin e Kosovës.

Koment:

Në qershorin e vitit 2014, Kosova zhvilloi një nga proceset më të mira zgjedhore dhe komuniteti ndërkombëtar e shikon këtë si një demonstrim të pjekurisë politike të arritur atje. Komuniteti ndërkombëtar nguron të ndërhyjë në politikat e brendshme të vendit për sa kohë ato nuk paraqesin një rrezikshmëri të lartë ku ndërhyrja do ishte e domosdoshme. Nderkombëtarët gjithashtu do të dëshironin që partitë politike të arrijnë të gjejnë gjuhën e përbashkët, pa qenë nevoja të shkojnë në zgjedhje të parakohshme. Në qoftë se partitë nuk arrijnë një marrëveshje brenda afateve të caktuara, vendit do t’i duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme 40 ditë pas dështimit të përpjekjes së dytë për të formuar qeverinë. Kjo do të thotë që Prishtina mund të mos ketë një qeveri nëpër zyra deri në 2015.

Në qoftë se vendi shkon në zgjedhje të parakohshme, shumë nga votuesit do ta ndjejnë vetën të privuar nga një fitore legjitime duke rrezikuar që këto hatërmbetje të shkaktojnë parregullsira në procesin elektoral. Duke marrë parasysh klimën e ashpër dhe mungesën e besimit midis partive politike, probabiliteti që dhuna të shpërthejë është i lartë. Gjithashtu parashikohet që partitë humbëse nuk do t’i njohin rezultatet e zgjedhjeve.

Për më tepër, nuk ekziston asnjë siguri që zgjedhjet e parakohshme do të prodhojnë një rezultat që do të ketë mundësi të mbledhë votat për të formuar një qeveri të qëndrueshme. Kjo do ta fuste Kosovën në një krizë të thellë politikë që do të shkonte në dëm të interesave kombëtare.

Ne rekomandojmë që kembëngulja e komunitetit ndërkombëtar për të mos ndërhyrë në çështjet e brëndshme të Kosovës të vazhdojë. Sidoqoftë, kjo nuk duhet të ndalojë institucionet ndërkombëtare të nxisin partitë politike të kenë një qasje konstruktive, që i tejkalon interesat partiake e personale gjatë negociatave për krijimin e qeverisë së ardhshme.

dokumenti i temes per kosoven

dokumenti i temes per kosoven

dokumenti i temes per kosoven

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Media amerikane “CN Traveler”: Plazhet më të mira në Shqipëri

Media amerikane “CN Traveler”: Plazhet më të mira në Shqipëri