Një gjykatës amerikan ka rrëzuar shumicën e pretendimeve të padisë për ngacmim seksual që aktorja Blake Lively ngriti kundër kolegut të saj në filmin “It Ends With Us”, Justin Baldoni.

Gjykatësi Lewis Liman hodhi poshtë 10 nga 13 akuzat në çështjen e Lively, përfshirë ngacmimin dhe shpifjen.

Ai la në fuqi tre akuza kundër Baldoni, shkelje kontrate, hakmarrje dhe ndihmë në hakmarrje të cilat tani do të shqyrtohen në gjyq më 18 maj, i cili do të mbahet në New York.

Në vendimin e tij prej 152 faqesh të enjten, gjykatësi Liman renditi një sërë arsyesh për rrëzimin e shumë prej akuzave kundër Baldonit.

Së pari, tha ai, pretendimet për ngacmim sipas ligjit të Kalifornisë nuk qëndronin, sepse xhirimet u zhvilluan në New Jersey.

“Asnjë nga këto veprime apo ngjarje nuk ofron lidhjen e nevojshme ‘thelbësore’ me Kaliforninë për të mbështetur pretendimet e Lively për ngacmim seksual,” shkroi Liman.

Gjykatësi shtoi gjithashtu se Lively nuk kishte të drejtë të ngrinte disa pretendime për ngacmim dhe hakmarrje, pasi ajo ishte e pavarur dhe jo punonjëse.

Lively kishte akuzuar gjithashtu avokatin e Baldonit, Bryan Freedman, për shpifje në një seri deklaratash.

Por Liman tha se, për shkak se ato deklarata lidhen drejtpërdrejt me akuzat që Baldoni po përballet në gjykatë, pretendimi për shpifje nuk qëndronte.

“Është e vërtetë që për shumë nga ato për të cilat ankohet Lively nuk mund të ngrihet padi. Palët e Wayfarer kishin të drejtë të angazhonin specialistë të marrëdhënieve me publikun dhe menaxhimit të krizave për të mbrojtur reputacionin e tyre,” shkroi Liman. “Megjithatë, disa sjellje mund të kenë kaluar kufirin.”

Gjykatësi tha se disa nga pretendimet për hakmarrje të ngritura nga Lively, ku ajo akuzon Baldonin për një “fushatë të koordinuar” për të sulmuar karakterin dhe reputacionin e saj, meritojnë të shqyrtohen në gjyq.

Beteja ligjore në Hollywood nisi në vitin 2024, kur Lively paditi Baldonin, duke e akuzuar për ngacmim dhe një fushatë për njollosjen e imazhit të saj në sheshxhirimin e filmit. Ai i mohoi akuzat dhe ngriti kundërpadi.

Një anëtare e ekipit ligjor të Lively, Sigrid McCawley, tha se çështja “ka qenë gjithmonë dhe do të mbetet e përqendruar tek hakmarrja dhe hapat që të pandehurit ndërmorën për të shkatërruar” reputacionin e aktores.

Ajo theksoi se pretendimet për ngacmim seksual u hoqën, “jo sepse të pandehurit nuk bënë asgjë të gabuar”, por për shkak të një çështjeje teknike.

Sipas saj, Lively planifikon të dëshmojë gjatë gjyqit dhe do të vazhdojë “të hedhë dritë mbi këtë formë të egër hakmarrjeje online”.

Vitin e kaluar një gjykatës rrëzoi kundërpadinë prej 400 milionë dollarësh të Baldonit kundër Lively, në të cilën ai e akuzonte për zhvatje civile, shpifje dhe shkelje të privatësisë.

Çështja buron nga ndërveprimet mes Baldonit dhe Lively në sheshxhirimin e “It Ends With Us”, një përshtatje e romanit më të shitur të Colleen Hoover.

Ekipi ligjor i Lively ka akuzuar Baldonin dhe studion e tij filmike, Wayfarer Studios, se planifikuan të shkatërronin reputacionin e saj, përfshirë përmes manipulimit të rrjeteve sociale dhe përdorimit të gazetarëve për të përhapur narrativa të caktuara.

Ajo ndau detaje të akuzave në një artikull të publikuar nga The New York Times përpara ngritjes së padisë.

Menjëherë pas padisë së Lively, Baldoni ngriti padi për shpifje kundër saj, bashkëshortit të saj Ryan Reynolds dhe publicistit të tyre, duke pretenduar se ata synonin të shkatërronin karrierën dhe reputacionin e tij me këto akuza, si dhe kundër The New York Times.

Ai pretendoi se Lively “ia rrëmbeu filmin” atij dhe Wayfarer duke kërcënuar se nuk do ta promovonte dhe se ajo dhe të tjerë përhapën një narrativë të rreme se Baldoni e kishte ngacmuar dhe kishte nisur një fushatë shpifjeje kundër saj.

Por në qershor, Liman e hodhi poshtë padinë e Baldonit, duke thënë se ekipi i tij “nuk kishte arritur të argumentonte mjaftueshëm se kërcënimet e Lively përbënin zhvatje të paligjshme dhe jo negociata të forta të lejuara ligjërisht ose rinegocim të kushteve të punës”.

Provat në këtë betejë ligjore kanë përfshirë edhe mesazhe mes Lively dhe Taylor Swift lidhur me Baldonin.