Në përkujtim të festës së çlirimit, në Poklek të Drenasit është mbajtur manifestimi qendror. Gjatë ceremonisë presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, tha se kushdo që mund të dyshojë në drejtësinë e ndërhyrjes së NATO-s duhet të ndalojë fillimisht në Poklek.
“22 vjet më parë kur sekretari i përgjithshëm i NATO-s vizitoi Kosovën na la një thënie e cila rezulton aq shumë edhe tash pas më shumë se 2 dekada. Në pllakën që do ta shihni këtu në Poklek do ta shihni citatin e tij. Citoj” Kushdo që mund të dyshoj në drejtësinë e intervenimit të NATO-s duhet të vijë në Poklek”, tha ajo.
Osmani tha se 22 vjet më parë kur forcat e NATO-s hyn në Kosovë u realizua ëndrra e prijësve tanë, u realizua ëndrra e Ibrahim Rugovës dhe e Adem Jasharit, ëndrra e gjithsecilit që e synuam jetën e lirë.
Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, tha se 12 qershori është kurorëzimi i të gjitha përpjekjeve për liri.
“Rreziku dhe kanosja nga Serbia nuk ka kaluar ende, kërcënimi sot është më i pranishëm se kurrë më parë që nga 12 qershori i vitit 1999, sepse për sa kohë që Serbia ende ka plane për t’u kthyer në Kosovë edhe ato nuk i fsheh hiç ne duhet të jemi të gatshëm ta mbrojmë atdheun tonë me çdo kusht. Sa kohë Serbia na ka në kushtetutën e saj, asgjë nuk ka përfunduar me Serbinë. Prandaj 12 qershorin duhet ta festojmë me vigjilencë”, tha ai.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se 12 qershori shënon fundin e gjenocidit në Kosovë.
“12 qershori shënon fundin e gjenocidit në Kosovë. Kosova është e lirë dhe e pavarur, ne do të punojmë që ta bëjmë Kosovën edhe të zhvilluar e sovrane. Ky partneritet si me NATO ku duam të anëtarësohemi. Jemi mbledhur këtu në Poklek se është dëshmi e gjenocidit serbë në Kosovë”, tha Kurti.
Kurti tha se Serbia ende nuk ka kërkuar falje për krimet që ka bërë në Kosovë dhe siguroi edhe njëherë që do të padisin Serbinë për gjenocid.
Në këtë manifestim të ditës së Paqes, morën pjesë edhe ambasadorët e shteteve mike e përfaqësues të institucioneve.
Lajmi kryesor: