Aktiviteti u zhvillua në shenjë respekti për kontributin dhe sakrificën e tyre. Kryetarja e këtij forumi, Olta Xhaçka tha se, roli i gruas shqiptare është i pazëvendësueshëm.
“Roli i gruas shqiptare, kontributi dhe dinjiteti i saj është i pazëvendësueshëm në historinë e luftërave shekullore të popullit tonë për liri dhe pavarësi, sidomos gjatë okupimit nazifashist, ku mbi 6000 gra dhe vajza thyen tabutë e kohës duke u radhitur përkrah burrave, për një pjesë, duke mos kursyer as jetën për çlirimin e vendit. Mjafton të sjellim faktin tepër domethënës, 4 nga 5 heroina që u ekzekutuan në litar apo u dogjën nga nazifashistët ishin vajza shqiptare Bule Naipi, Persefoni Kokëdhima, Hibe Palikuqi dhe Liri Gero” tha ajo.
Kontributin e sakrificën e këtyre heroinave, tha ajo, e shohim të pasqyruar sot shtatë dekada më pas në rolin e gruas në shoqërinë tonë më të organizuara, në funksione vendimmarrëse të merituara, të përfaqësuara në të gjitha shtresat e shoqërisë demokratike shqiptare.
Në këtë aktivitet, Xhaçka ka bërë dy propozime për ngritjen e një institute të kujtesës së Luftës së Dytë Botërore dhe vendosjen e një prej rrugëve të Tiranës të emrit të Ramize Gjebreas.
“Propozimi i parë është ngritja e një instituti të kujtesës së Luftës së Dytë Botërore që brezat ta njohin dhe mos e harrojnë kurrë kontributin dhe sakrificën e djemve dhe vajzave shqiptare në një luftë të drejtë dhe të fituar. Propozimin e dytë e kemi bërë në bashkinë e Tiranës dhe Këshillin Bashkiak që një nga rrugët e kryeqytetit të mbajë emrin e një vajze që u rrit në rrugicat e këtij qyteti, nxënëse në institutin femëror Nëna Mbretëreshë që u ushqye me ndjenja antifashiste, pikërisht në këtë qytet derisa e arrestuan. Partizania 21 vjeçare me kulturë e bukuri të rrallë që u pushkatua për një faj absurd, sepse kishte guxuar të dashuronte. Për shumë dekada ka patur një heshtje për të, por që mendoj se ka ardhur pikërisht koha që kjo heshtje të thyhet dhe ajo të nderohet siç e meriton. Dhe pikërisht njërës nga rrugët e kryeqytetit ku ajo militoi me guxim e trimëri gjatë rinisë së saj, ti jepet emri Ramize Gjebrea” .
Redaksia Online
(F.T/shqiptarja.com)