TIRANË- Në Pallatin e Sportit “Farie Hoti” po vijohet me ditën e dytë të rinumërimit të votave për qarkun e Fierit. Deri më tani janë hapur 456 kuti nga 587 kuti, ose mbi 79% (ora 23:30). Hapja e kutive edhe në këtë qark, nuk pritet të sjellë asnjë ndryshim, teksa me ritmet aktuale ky proces pritet të përfundojë pasditen e nesërme, për të kaluar te Durrësi.

Njëjtë si në qarkun e Tiranës, hapja e kutive po tregon vetëm gabime të vogla, ndërsa PD edhe në këtë qark kryeson me numrin e votave të pamerituara.

Partisë Demokratike i zbriten 103 vota të pamerituara, ndërsa Partisë Socialiste i shtohen 15 vota nga rinumërimi. Shifra këto që i zbehin shpresën Lapajt për t’i marrë PS një mandat në Fier. Nisma Shqipëria Bëhet shpreson që të marrë 519 votat e nevojshme dhe të fusë në Kuvend kandidatin Azmer Duleviç. Por, zhvillimet deri tani nuk i kanë shkuar në favor. Pasi, jo vetëm që PS është fuqizuar, por nga ana tjetër Lapajt i janë zbritur 7 vota.

Humbje të vogla kanë pësuar edhe parti të vogla si Lëvizja Bashkë që i zbriten 7 vota, Koalicioni Djathtas për Zhvillim i zbritet 1 votë. Përveç PS-së, që i shtohen vota, edhe Partisë Socialdemokrate i shtohen 7 vota, kurse Mundësisë i hiqen 3 vota, që i janë shtuar nga numërimi fillestar.

Tabela me rezultatet e rinumërimit të deritanishëm

Mandati i Zegjine Çaushit ishte në pikëpyetje për shkak të diferencës së ngushtë me kandidaten Maldrita Bardhos. Por rinumërimi i deritanishëm ka thelluar diferencën në favor të Çaushit, pasi Bardho ka humbur 1 votë, ndërkohë që Çaushit i janë shtuar 60 vota.

Ndërkohë, në kampin socialist, deri tani deputeti i zgjedhur Ceno Klosi rezulton 'kampion' i votave të pamerituara, të cilit i zbriten 914 vota nga rinumërimi, ose më shumë se 6% e votave nga rezultati i 11 majit. Ndërsa kandidatit që i është bërë më shumë ‘padrejtësi’ është Klevis Jahaj, të cilit nga rinumërimi i shtohen 462 vota, ose më shumë se 12% e votave nga rezultati i 11 majit. 

Në PD nuk mund të këtë asnjë ndryshim, pasi kjo parti arriti të marrë vetëm 4 deputetë nga lista e mbyllur. Por, gjithsesi shifrat e rinumërimit tregojnë se kampione e votave të pamerituara në këtë kamp është Silva Hasaj me 690 vota që i zbriten nga rinumërimi, më shumë se 18% e votave nga rezultati i 11 majit. Hasaj ndiqet nga Gentian Çela, të cilit i zbriten 209 vota.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:10
Kandidatja e PD Silva Hasaj në Fier, ‘rekord’ votash pa meritë/ Braho për Report TV: Do shqyrtojmë grupet e numërimit, më pas vlerësojmë për kallëzim penal

Anëtari i KAS, Ledio Braho, nga Pallati i Sportit “Farie Hoti” ku po rinumërohen votat e qarkut të Fierit, tha se mund të bëjnë kallëzim penal për grupet e rinumërimit që i kanë shtuar në bllok vota kandidates së PD-së, Silva Hasaj, e cila deri më tani rezulton se ka marrë 617 vota të pamerituara. 

Në një intervistë për gazetaren e Report TV, Esiona Konomi, Braho theksoi se së pari do të shqyrtojnë elementët e nevojshëm dhe më pas do të shohin nëse do të procedojnë me kallëzim penal për rastin në fjalë. Në Tiranë, tha ai, nuk kishte lëvizje të tilla që mund të konsideroheshin si penale. 

“Do të shihet rasti i grupit të numërimit nëse janë grupe rinumërimi të njëjta që kanë bërë këto lëvizje apo janë të ndryshme. Por megjithatë kur votat janë në nivele të tilla, çështja duhet parë më në themel. Ne patjetër që do bëjmë ato verifikimet tona me aq sa kemi mundësi nga ça del nga kutitë e fletëve të votimit. Por që të arrijmë një rezultat, duhet të kemi emrat e grupit të numërimit, duhet të shohim kutinë e materialeve zgjedhore. Pra, janë një sërë elementësh që ne do të kërkojmë informacion të mëtejshëm që të kryhet edhe nëpërmjet KQZ dhe në varësi të saj, pastaj do të ketë një qasje nëse do të procedohet me kallëzim penal apo jo. Por duhet të kemi parasysh që tabela e rezultateve nuk është një gjë që është një informacion konfidencial që e ka vetëm KAS apo vetëm komisioneri. Është informacion publik, prokuroria e Fierit i ka të gjithë mundësitë që të nisë.”, u shpreh Braho. 

I pyetur se përse KAS nuk ka marrë ende një vendim për qarkun e Elbasanit, ku PD pretendon se ka pasur tren bullgar, Braho theksoi se do ta shqyrtojnë pasi të mbyllin procesin e rinumërimit. Sipas tij, kur u bë verifikimi i materialeve zgjedhore, PD nuk kërkoi rinumërim, duke shtuar se nuk beson se do të bëjë një kërkesë të tillë tani, duke parë edhe rezultatet e Tiranës dhe të Fierit. 

Sipas tij, nuk ka pasur shtysë nga partitë drejt numëruesve për trafikimin e votave.

“Nuk ka asnjë kërkesë deri tani nga PD. Kjo është shtyrë për arsye që ne mos pezullojmë procesin këtu sepse seanca për shqyrtimin administrativ të Elbasanit të vijojë në ambientet e KQZ, ku bëjmë  mbledhje. Kështu që kemi vendosur që të mbarojmë edhe Durrësin dhe pastaj të zhvillojmë katër seanca për këto katër qarqe. Unë nuk e shpreh votën, sepse nuk e di çfarë pretendimesh do të ngrihen në seancë. Por ajo që mund t'ju them është që në seancën e fundit që është zhvilluar përpara se të vendosej hapja e atyre kutive të Elbasanit dhe 96 qendrave të votimit, kemi qenë të qartë me përfaqësues të PD kur i kemi thënë, jeni të sigurt që doni këto. Sepse ishin të paqartë nëse donin rinumërim apo thjesht këqyrje të materialit zgjedhor dhe fletëvotimit.

Dhe ata ishin të mendimit që donin vetëm këqyrje, dhe u bë për 96 në votimin e Elbasanit. Pra, u bë një konstatim mes fletëve të gjendura në kuti, fletëve të papërdorura. Nuk kanë pasur kërkesë për rinumërim dhe nuk besoj se do të ketë kërkesë për rinumërim pas hapjes, sidomos të qarkut të Tiranës dhe të Fierit. Ajo që mund të kuptojmë ne është që të paktën subjektet zgjedhore nuk kanë pasur një shtysë për numëruesit e tyre që trafikonin votat. Se çfarë është bërë me kandidatët në qarkun e Fierit dhe preferencat që mund të kenë pasur numëruesin për kandidatë potencial në zonat e tyre, kjo është për t'u parë deri në fund", shtoi Braho.