SHBA - Në kuadër të festës së 1 Qershorit, Dita e Fëmijëve, në shumë vende të botës realizohen festime të cilat kanë si qëllim të rrisin vëmëndjen në drejtim të mirëqënies së tyre.

Në këtë ditë, fëmijët bëhen qëndra e botës dhe aktivitete të shumta u kushtohen vetëm atyre. Përveçse një ditë festive, 1 Qershori është edhe një ditë sensibilizimi për të ndalur dhunën dhe abuzimin me fëmijët, sidomos angazhimin e tyre në punë kur janë ende të mitur.

Dita e Fëmijëve është vendosur me 1 Qershor, pasi në këtë datë është mbajtur për herë të parë Konferenca Botërore e Mirëqënjes së fëmijëve në Gjenevë në vitin 1925. UNICEF që prej 1950, punon në 190 vende të botës me familjet, bashkësitë dhe qeveritë për të garantuar të drejtat e fëmijëve.

Ndërsa Komisioni Evropian, një pjesë të konsiderueshme të fondeve të saj humanitare ia kushton zonave të prekura nga konflikti. BE-ja mbështet fëmijët e prekur nga konflikti me projekte që ofrojnë mbrojtje, mbështetje psikologjike dhe kundër rekrutimit të ushtarëve fëmijë. Ajo gjithashtu financon aktivitete arsimore në situata emergjente dhe krize.

Megjithatë, ende miliona fëmijë në botë janë prehë e dhunës, abuzimit dhe diskriminimit, dhe shumë të tjerëve nuk ju garantohet shëndeti, ushqimi, streha, shkollimi apo shfrytëzohen duke lypur apo punuar për të tjerë.


Redaksia Online
(b.y/shqiptarja.com)