Janë 15 anëtarë të Regjimentit të Kravatës nga Zagrebi, të cilët sot kanë marshuar në Tiranë dhe kanë qenë të pranishëm në një ekspozitë mjaft të veçantë për kravatën. Të veshur me uniforma ceremoniale dhe të shoqëruar nga ritmi i daulleve, ata kanë “rrëfyer” lidhur me simbolikën dhe atë çfarë përfaqëson kravata në kulturën kroate dhe më gjerë.

“Sot, kravata është simboli i përjetshëm i elegancës, duke mbetur element i kulturës dhe trashëgimisë. Edhe një herë, ju falënderoj shumë që erdhët dhe besoj se do ta shijoni ekspozitën, pasi është një histori e gjatë gjatë shekullit të 17-të, një luftë shumë e rëndësishme në historinë evropiane dhe më pas filloi me një simbol të identitetit të përshtatshëm.”, tha ambasadori i Kroacisë në Shqipëri, Zatko Kramaric.

Përfaqësues të Regjimentit të Kravatës vlerësuan identitetin evropian të këtij simboli.

“Mund të themi se është simboli i vetëm i dukshëm i qytetërimit perëndimor. Historia e kravatave është një histori për kalorësinë dhe lidhet me një periudhë të historisë në Evropë, kur njerëz të fortë vendosën të ishin konstruktivë në shoqëri. Kur lidh kravatën, nuk bën vetëm një deklaratë mode, por merr edhe një vendim ideologjik, që të jesh pjesë e botës perëndimore, është shumë e lidhur me përpjekjet për një Bashkim Evropian.”

Kravata është një nga simbolet më të njohura të identitetit kroat dhe ekspozita për historikun dhe domethënien e saj u çel në Shqipëri në kuadër të Javës Kulturore të Kroacisë.