Vëzhgim i Report TV/ Mësim me turne në Berat dhe Lushnje! Mbyllen 14 shkolla në fshatrat e Korçës, Dibrës e Kukësit

Mijëra nxënës iu drejtuan bankave të shkollës këtë të hënë në mbarë vendin. Report tv sjell pamjet nga qytetet kryesore të vendit, ku shihet qartë entuziazmi i vogëlusheve te klasave te para. 

Në Lushnje nuk është e njëjta panoramë. Prindërit e shkollës 9-vjecare “Foto Puka” janë indinjuar pasi ende nuk është caktuar mësuesja e klasës se parë.

Ndërsa nxënësit e fshatrave Golem dhe Karbunare do të zhvillojnë mësim turn i dytë, pasi godinat arsimore janë në rikonstruksion. Edhe ne Berat është rikthyer turni i dytë për shkak se po rindërtohet shkolla 9-vjeçare "22 Tetori".

Në Shkodër numri i nxënësve ka rënë me 2 për qind krahasuar me vitin e shkuar, por nuk ka asnjë shkollë të mbyllur.

Ndërsa në fshatrat e Ersekës dhe Devollit këtë vit u mbyllën 6 shkolla, mes tyre ajo e Kapshtices. Nxënësit janë tranferuar në shkolla të tjera, ku mundësohet dhe transporti. 

Për mungesë të nxënëseve mbyllen dhe 4 shkolla ne fshatrat malore të Kukësit. Sakaq ne Dibër mbyllen 4 shkolla vartëse dhe përqendrohen në shkollën qendër.

Gjimnazistët e ‘Gjergj Kastriotit’ ne Durrës do vijojnë mësimin me turne, pasi ne rrënojat e shkollës u zbuluan mozaikët antike. Pritet këtë vit të nisë puna për godinën e re, në të njëjtin territor me sitin arkeologjik. Sakaq në gjithë Bashkinë e Durrësit ka përfunduar rindërtimi i 40 objekteve arsimore dhe 9 të tjera janë në proces. 

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 10:43
Dibër/ 6676  nxënës nisin vitin shkollor

Diber- 6676  nxënës ulen këtë vit në bankat e shkollës. Shifrat bëhen publike nga Zyra e Arsimit e Dibrës. Zyra e arsimit njofton se të gjithë nxënësit janë pajisur me tekste mësimore por mbetet problem sistemimi i 10 mësuesve që janë punësuar me kontrata. 

"Mesuesit difininitiv janë të të sistemuara nuk kemi probleme, por rënia e numrit të nxënësve sjell si pasojë probleme tek mësuesit punësimet jashtë portalit pra të atyre me kontratë që janë 10 mësues që do shohim në vazhdimësi sistemimin e tyre" informon zyra e Arsimit. 

Viti Shkollor 2023-2024
6676  nxënës
Viti Shkollor 2024-2025
6351 nxënës

 Ndërkohë janë mbyllur 4 shkolla vartëse dhe nxënësit kanë kaluar në shkollën qendër.

Mbyllen 4 shkolla vartëse pra përqendrohen në shkollen qender.
-Ploshtan -Kala e Dodes
-Katund i  Vjeter. - Selishte
-Borovjan   -Sohodoll
-Kallë – Sllove

Shifrat e vitit shkollor 2023-2024/ 2024-2025
-Numri i regjistrimeve për nxënësit në klasën e pare këtë viti shkollor 505 nxenes -
-Numri i nxënësve të regjistruar në klasën e parë vitin e kaluar 636 shtator 2023.
-Numri i regjistrimeve në klasën e dhjetë këtë vit shkollor 445 nxenes
-Numri i regjistrimeve në klasën e dhjetë vitin e kaluar 486 shtator 2023

 

Ora 10:30
Durrës, përfundon rindërtimi, mësim me turne vetëm gjimnazi 'Gjergj Kastrioti'

 

Viti i ri mësimor në bashkinë e Durrësit.

Thuajse 5 vjet nga tërmeti i nëntorit 2019, i cili krahas të tjerave, dëmtoi mjaft edhe objektet mësimdhënëse si shkolla e kopshte, situata flet për një proces rindërtimi që pjesën më të madhe të këtyre objekteve e ka rikthyer në identitet.

Në proces janë ende edhe disa shkolla.

Në qytet janë përfunduar të gjitha rindërtimet me përjashtim të shkollës së mesme Gjergj Kastrioti dhe shkollës së fizkulturës "Bernardina Qeraxhia" e cila parashikohet të përfundojë në muajin tetor.

Më konkretisht, sot, nga 49 objekte të dëmtuara 40 janë ngritur të reja dhe 9 janë në proçes. Nga këto 9 shkolla 3 përfundojnë në muajin tetor të këtij viti.

Ndërsa gjimnazi Gjergj Kastrioti për shkak të objekteve arkeologjike të gjetura ka nevojë për një tjetër studim, ndërsa nxënësit e zhvillojnë mësimin me turne. Një zyrë projektesh do të hartojë një projekt të ri në mënyrë që të bashkëjetojnë antikiteti por edhe shkolla në të njëjtin territor.

Ora 10:14
Lushnjë/ Zvarriten punimet, tre shkolla mësim me turne

Lushnjë- Punimet  e nisura kohë më parë për rikonstruksionet e dy godinave shkollore 9-vjeçare në Golem dhe Karbunarë po zgjasin, kurse qindra nxënës kalohen sa në një shkollë në tjetrën.

Madje për këtë vit shkollor, nxënësit e Golemit do ta zhvillojnë procesin mësimor në shkollën “Foto Puka”, në turnin i dytë, teksa nxënësit e shkollës Karbunarë do të shkojnë aty ku ishin e vitin e shkuar, në ambientet e gjimnazit “Vath Korreshi”.

Në rikonstruksion do të kalojë dhe gjimnazi “Jani Nushi” dhe nxënësit e këtij institucioni arsimor do të kryejnë procesin mësimor në shkollën “Kongresi i Lushnjës”.

40 shkolla 9-vjeçare e të bashkuara dhe 6 vartëse në territorin e Bashkisë Lushnjë presin 6344 nxënës në arsimin 9-vjeçar, ndërsa për herë të parë në bankat e shkollës ulen 445 nxënës.

Në krahasim me vitin e kaluar, në klasë të parë janë regjistruar 234 nxënës më pak, ndërsa në total në arsimin 9-vjeçar dhe të mesëm janë regjistruar 1290 nxënës më pak sesa vitin e kaluar shkollor.

Çudi dhe indinjatë ka sjellë për prindërit një ngjarje në shkollën “Foto Puka” në Lushnjë. Mësuesja e klasës së parë është transferuar dhe dita e parë e shkollës për fëmijët e vegjël ka qenë e trishtë. Një prej prindërve shpreh indinjatën, pasi fëmijët janë çoroditur sepse nuk kanë parë mësuesen e tyre që kur janë regjistruar, e deri sa kanë marrë librat para tre ditësh.

Në Lushnjë, për shkak të uljes së numrit të nxënësve kanë dalë në pritje për një vend pune 16 mësues, ndërkohë që dhjetëra të tjerë presin për një vend pune në portal. 

Ora 10:01
Korçë/ 21 mijë nxënës nisin vitin shkollor, mbyllen 6 shkolla ne fshatra

1725865731_15.jpeg

Dita e parë e shkollës, 9 Shtator 2024

Korçë- Duket se procesi mësimor në qarkun e Korçës ka nisur me problematika infrastrukture dhe ulje të numrit të fëmijëve që ulen për herë të parë në bankat e shkollës.

21080 nxënës filluan rregullisht procesin mësimor ditën e sotme (9 Shtator). Por, ajo që konstatohet është pakësimi i numrit të tyre, konkretisht në klasë të parë, në krahasim me vitin e shkuar.

Mësohet se janë regjistruar 394 nxënës më pak, ose thënë ndryshe për herë të parë në bankat e shkollës sot u ulën 1302 nxënës. E njëjta tendencë është parë edhe për klasën e 10-të, ku mbi 500 nxënës janë regjistruar më pak se vjet.

Në mungesë të nxënësve në disa zona të ndryshme janë mbyllur në total 13 klasa. Ndërsa këtë vit 6 shkolla në Maliq, Ersekë edhe Devoll nuk i hapën dyert për të pritur nxënësit.

Gjithashtu në Pogradec, konkretisht ne zonën e Mokrës, 2 shkolla vartëse janë bashkuar me shkollat në qendër.

Sipas të dhënave, kjo ulje nuk ka ndikuar në shkurtimin e personelit arsimor, ndërsa shkak për këtë rënie të ndjeshme të numrit të nxënësve është bërë migrimi dhe ulja e lindshmërisë, duke krijuar një tkurrje të madhe.

Ora 09:22
Berat, mbyllja për rindërtim e shkollës 9-vjeçare ’22 Tetori’ rikthen mësimin me turne

 

Ka nisur në Berat Viti i ri shkollor 2024-2025.  Mësohet se për shkak të rindërtimit të shkollës 9-vjeçare "22 Tetori", nxënësit e kësaj shkolle do ta zhvillojnë mësimin në gjimnazin "Bab Dud Karbunara", paradite nxënësit nga klasa e parë në klasën e katërt dhe pasdite ata nga klasa e pestë në klasën e nëntë.

Këtë vit në rrethin e Beratit kanë hapur dyert për vitin e ri arsimor 58 shkolla (9-vjeçare dhe të mesme, publike dhe private). 

Numri total i nxënësve në këto shkolla është 6470 nxënës, ndërkohë që në bankat e shkollës ulen për herë të parë 458 vogëlushë në klasën e parë. Edhe kopshtet e çerdhet kanë hapur sot dyert për të pritur vogëlushët. Në Berat 1000 fëmijë frekuentojnë kopshtet në qytet e fshat dhe 256 fëmijë frekuentojnë çerdhet.  Shifrat janë bërë të ditura nga Drejtoresha e Arsimit në bashkinë Berat,Klodjana Hoxha.

"Ne sivjet, në 4 çerdhet e bashkisë Berat kemi të regjistruar 256 fëmijë, në kopshtet (qytet dhe njësi administrative) kemi 1000 fëmijë, Në klasat e para sivjet do të ulen për herë të parë në bankat e shkollës 367 nxënës në shkollat publike dhe 91 nxënës në shkollat private. Në klasat e 10-a kemi 473 nxënës në shkollat publike dhe 84 në shkollat private. Në bankat e shkollave këtë vit do të ulen 5500 nxënës në shkollat publike dhe 970 nxënës në shkollat private"-ka thënë Hoxha.

Ajo ka konfirmuar se edhe këtë vit do të ketë mësim me dy turne për një shkollë që po rikonstruktohet nga themeli.

"Mësimi me dy turne do te jetë për nxënësit e shkollës 9-vjeçare "22 Tetori" dhe për disa klasa të shkollës Uznovë. Në shkollën e re të rindërtuar, Bab Dud Karbunara do të zhvillojnë mësimin paradite dhe pasdite 12 klasat e shkollës 9-vjeçare "22 Tetori",e cila po rindërtohet nga themeli"-,ka thënë ajo.

Shifrat e numrit të nxënësve për vitin e kaluar kanë qënë:

5450 ishte numri i nxënësve nga klasa e parë deri në klasën e dymbëdhjetë,

540 fëmijë u ulën për herë të parë në bankat e shkollës.

Ora 09:16
Shkodër/ 1220 nxënës nisin vitin e ri shkollor!

 

Si në të gjithë vendin edhe në qytetin e Shkodrës ka nisur viti i ri shkollor.

ZVA Shkodër, përmes drejtueses Brisela Kadija, ndau detajet rreth përgatitjeve të fundit përpara fillimit të procesit mësimor në shkollat që i përkasin territorit të Bashkisë Shkodër.

Një pjesë e tyre do t’i nënshtrohen rikonstruksionit të plotë.

Referuar regjistrimeve, duket se ka një rënie të tyre me rreth 2% në krahasim me vitin e kaluar.

Drejtuesja Kadija theksoi se këtë vit asnjë shkollë nuk rrezikon mbylljen.

Të hënën e 9 shtatorit do të ulen për herë të parë në bankat e shkollave të Shkodrës rreth 1220 nxënës ku 877 nxënës i përkasin sistemit të arsimit publik,  ndërsa 343 atij privat, ndërkohë që regjistrimet nuk janë mbyllur akoma.

M.Q./E.B/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Karambolohen dy autoveturat në Korçë-Pogradec, plagosen 2 pasagjerët

Karambolohen dy autoveturat në Korçë-Pogradec, plagosen 2 pasagjerët