Dita e shenjtërimit të Nënë Terezës, Veliaj shërben drekën në qendrën komunitare 'Gonxhe Bojaxhi': Të largojmë urrejtjen dhe të inkurajojmë ata që shërbejnë

TIRANË - Në ditën e shenjtërimit të Nënë Terezës, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj shërbeu drekën për njerëzit në nevojë, në qendrën Komunitare që mban emrin “Gonxhe Bojaxhi”. Në fjalën e tij, Veliaj falenderoi të gjithë ata që zgjedhin të shërbejnë edhe në ditë pushimi. 

“Ne u shërbejmë atyre që kanë nevojë, jo vetëm një vakt, por edhe dashuri, vëmendje, një krah për t’u mbështetur, një vesh për t’u dëgjuar. Dua të falenderoj të gjithë punonjëset tona sociale, që bëjnë një punë të jashtëzakonshme. Dua të falenderoj të gjithë psikologët, mjekët, ndihmësit në qendrat tona sociale dhe të gjithë njerëzit që shërbejnë. Sot festojmë shenjtërimin e Nënë Terezës dhe nga dritarja shoh punonjësit që janë duke përgatitur rrugët, edhe pse ditë pushimi, sepse do fillojë shkolla. Një falenderim të madh për të gjithë ata punëtorë që pastrojnë, mirëmbajnë, dezinfektojnë, plot mirënjohje sepse mbi të gjitha, Nënë Tereza ishte një mësuese, pra me veprat e saj mësonte dhe të tjerët si të silleshin, si të ndihmonin si të shërbenin”, tha Veliaj.

Një falenderim kryebashkiaku e pati edhe për mësuesit, edukatoret dhe psikologët që po përgatiten për të nisur vitin e ri shkollor, si dhe efektivët që qëndrojnë në krye të detyrës çdo ditë të vitit.

“Kam një mirënjohje të jashtëzakonshme për të gjithë mësuesit që po përgatiten për të filluar vitin e ri shkollor, për edukatoret, psikologët, për mësuesit ndihmës, për asistentët, meritojnë të gjithë respektin dhe dashurinë tonë. Teksa po vija këtu te rruga “5 Maji”, edhe pse ditë pushimi, duke qenë se është një rrugë që ka shumë trafik për shkak të tregut, pashë policinë në këmbë. Edhe ata kanë familje, edhe ata kanë një tavolinë ku mund të ishin, por kanë zgjedhur që t’i shërbejnë vendit. Për të gjithë ata që shërbejnë me uniformë, policë, ushtarakë, policë bashkie, policë shteti, policë të trafikut rrugor, që në këto ditë po bëjnë një punë fantastike, për të gjithë ata që veshin uniformën e Republikës, shumë mirënjohje për shërbëtorët e shtetit shqiptar”, u shpreh kryebashkaku. 

Veliaj shtoi se e ardhmja e qytetit duhet ndërtuar mbi mësimet e Nënë Terezës, duke larguar urrejtjen dhe duke inkurajuar të gjithë ata shërbejnë.

“Një qytet vlerëson shërbëtorët, nuk ka rëndësi nëse është zjarrfikësi, nëse është mjeku, nëse është mësuesi, apo psikologu, është një qytet që ka të ardhme. Ne duam të ndërtojmë mbi mësimet e Nënë Terezës të ardhmen e qytetit tonë, duke shërbyer si ajo, duke pasur një zemër të butë dhe të hapur si ajo, duke larguar urrejtjen, mllefin, cinizmin, shpotinë, batutat e pahijshme, banalitetin dhe duke inkurajuar të gjithë ata që shërbejnë, pavarësisht nëse janë në drejtim të qytetit apo të vendit apo të një pozicioni të rëndësishëm, apo nëse po shërbejnë një pjatë supë në qendrat tona. Kush shërben dhe është thirrur të shërbejë, e bën këtë me dashuri është vërtet një bir edhe një bijë e Nënë Terezës”, tha Veliaj.

G.K/E.B/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Bashar Al-Assad rrezikon gjykimin për krime ndaj njerëzimit në Gjykatën Penale Ndërkombëtare

Bashar Al-Assad rrezikon gjykimin për krime ndaj njerëzimit në Gjykatën Penale Ndërkombëtare