ELBASAN - Kanë zgjedhur qytetin tradicional të Ditës së Verës, Elbasanin për të bërë urimet e tyre, Kryetari i PD Lulzim Basha dhe më pas Kryeministri Edi Rama. 

Lulzim Basha ka mbërritur më herë në Elbasan ku mori pjesë në aktivitet e organizuara për këtë festë. Pasi vizitoi panairin e Ditës së Verës Basha tha se shqiptarëve u duhet më shumë shpresë për të ecuar përpara në situatën në të cilën ndodhet vendit. Basha po ashtu u shpreh se në panair ka prekur zhgënjimin e biznesmenëve dhe falimentin e prodhimit vendas që sipas tij ka mbetur i tregtuar. 

Por për Kryeministrin Rama po nga panairi i Ditës së Verës në Elbasan, prodhimi vendas është rritur dhe gjithashtu edhe kërkesat për eksport, që siç e cilësoi ai është lajmi i mirë në këtë ditë feste për shqiptarët.

Rama: Është rritur prodhimi vendas dhe kërkesa për eksport
Kryeministri Edi Rama iu bashkua rreth mesditës festimeve të qytetit të Elbasanit për Ditën e Verës. Në fjalën e tij para mediave gjatë vizitës në panairin e Ditës së Verës me prodhime dhe gatime vendase, Kryeministri Rama theksoi se ka pasur rritje të kërkesës dhe disa biznese kanë lidhur kontrata për eksportin e prodhimeve bujqësore. 
 
Me shumë kënaqësi konstatoj se jo vetëm ka një rritje të pranisë, një pjesë e konsiderueshme e pjesëmarrësve, me prodhime vendase janë duke synuar eksportin, disa prej tyre kanë filluar të nënshkruajnë kontratat e eksportit, disa të tjerë janë në negociata dhe ky është lajmi më i mirë i kësaj dite vere.
 
Shefi i qeverisë ishte në Elbasan për të iu bashkuar festimeve dhe aktiviteteve të organizuara në kuadër të Ditës së Verës. 

rama ne elbasan

Basha: Sot koha për reflektim dhe jo shfaqje të qeverisë
“Dita e Verës” është një ditë reflektimi për qytetarët, dhe jo një ditë për shfaqje të qeverisë” Kështu është shprehur Kryetari i Partisë Demokratike dhe njëherësh Kreu i bashkisë së Tiranës Lulzim Basha gjatë pjesëmarrjes së tij në aktivitetet e organizuara në kryeytet me rastin e Ditës së Verës.
 
Teksa uroi qytetarët për më shumë shpresë, Kryebashkiaku Basha tha se qytetarët kanë nevojë për një ofertë të re për të dalë nga kriza ku gjenden aktualisht.
 
Dhe sipas Bashës, opozita e ka gati një alternativë të re për qytetarët, me qëllim rimëkëmbjen e vendit.
 
“Dua t’i uroj të gjithë qytetarëve të Tiranës në emrin tim si kryetar i Bashkisë : “Gëzuar Ditën e Verës, ditën e luleve! Dua të përsëris urimin tim për të gjithë shqiptarët, le të jetë kjo një ditë e shpresës për ndryshim pozitiv në jetën e çdo shqiptari! E di, e prek, e shoh, e ndjej shqetësimin, dhimbjen, zhgënjimin e qytetarëve për gjendjen e rëndë ekonomike, për papunësinë, për varfërinë, për rripin që shtrëngohet çdo ditë. Për shqetësimin që kanë për të plotësuar nevojat e fëmijëve të tyre, nevojat bazë, ushqime, për libra, e lë më për dhurata. Ndaj jam i bindur se flas në emër të shumicës dërrmuese të shqiptarëve, të djathtë e të majtë, pa dallim kur them se sot është një ditë për të reflektuar për një rrugë tjetër, për një rrugë ndryshe, për një Shqipëri që të ecë drejt zhvillimit, drejt një oferte të re për mirëqenien që vjen përmes punësimit dhe zhvillimit ekonomik dhe jo përmes shfaqjeve, as përmes lugës së zbrazur” theksoi Basha.
 
Basha nga Elbasani: Shpresat e shqiptarëve të çelin si lulet
Më herët kreu i PD ishte në Elbasan për të uruar të gjithë shqiptarët për Ditën e Verës si dhe për t’u bërë pjesë e festimeve në këtë qytet.
 
Në fjalën e tij për mediat, Basha theksoi se shqiptarët kanë nevojë në këtë ditë për më shumë shpresë për të ecuar përpara siç nënvizoi ai në situatën në të cilën ndodhet vendi. Kjo pasi sipas tij Basha tha ka prekur zhgënjimin dhe dëshpërimin e biznesmenëve dhe falimentin e prodhimit vendas.
 
“Nga Elbasani dua t’i drejtoj të gjithë shqiptarëve urimet e mia më të përzemërta për Ditën e Verës, ditën e luleve, ditën e rilindjes së shpresës. Shqiptarët kanë nevojë më shumë se kurrë për shpresë, kanë nevojë më shumë se kurrë për besim, kanë nevojë më shumë se kurrë për një të ardhme për veten e tyre dhe fëmijët e tyre, për një rrugëdalje nga situata e rëndë në të cililën gjendet vendi.Edhe në këtë Panair, ndonëse kam takuar dhe uruar përzemërsisht të gjitha kompanitë, bizneset pjesëmarrëse, kam prekur zhgënjimin, dëshpërimin, shqetësimin thellësisht të rëndë ekonomik, social, të sigurisë, e të gjithanshëm. Papunësia, varfëria, shtrëngimi i lakut në familjet shqiptare, shtrëngimi i rripit për kryefamiljarët shqiptarë, reflekton në rënien e konsumit, në rënien e investimeve, reflektohet në dobësimin e biznesit vendas, reflektohet në gjendjen e përgjithshme ekonomike e cila nuk ka se si të jetë e ndryshme nga gjendja e përgjithshme e sigurisë. Në këto kushte, unë uroj me gjithë zemër që bashkë me lulet e verës shqiptarët të kenë edhe ofertën e re, shpresën për t’u ndalur nga rruga që çon drejt humnerës për t’u rikthyer në rrugën e zhvillimit, në rrugën e forcimit të ekonomisë, të një të ardhme të sigurtë, të një ekonomie të fortë që hap vende pune, që siguron zhvillim, punësim, mirqënie për të gjithë. Në emër të Partisë Demokratike jam plotësisht i angazhuar që bashkë me demokratët dhe jo vetëm, me gjithë shqiptarët pa dallime politike, t’ia japim këtë ofertë të re Shqipërisë, t’ia japim këtë mundësi shqiptarëve, fëmijëve të tyre, të cilët meritojnë dhe do të kenë një të ardhme më të mirë. Ashtu si lulet që çelin sot, ashtu çeltë shpresa për çdo shqiptar.” tha Basha