Dita e Verës në qytetet shqiptare duket tashmë se është kthyer në një traditë simbolike, e cila i ka zanafillat që në kohët e hershme.
Kjo ditë shënon fillimin e mbarë të pranverës, ku çdo krijesë fillon gjallërohet, merr jetë, rifillon ciklin e vazhdimësisë së jetës.

Festime dhe aktivitete të shumta janë organizuar për të pritur ditën e parë të pranverës.
Thuajse në të gjitha qytetet e vendit qytetarët po festojnë duke u argëtuar me koncerte dhe larmishmëri festive për ditën e verës e cila tashmë është kthyer në traditë.

Dita e Verës në rrethe

Dita e verës sot është festuar në të gjitha qytetet e vendit.
Qytetarë të shumtë kanë dal për të shijuar rrezet e diellit njëkohësisht edhe për t’u argëtuar me aktivitet e organizuara nga bashkitë e qyteteve.
Si gjithmonë Elbasani mbetet kryeqendra e festës për Ditën e Verës.
Sot kulmojnë aktivitet për këtë festë pagane që vjen nga thellësia e shekujve.
Edhe qeveria shqiptare është zhvendosur prej dy ditësh në Elbasan.
Gjatë ditës së djeshme kryeministri zhvilloi mbledhjen e qeverisë dhe më pas në një deklaratë për shtyp bëri të ditura prioritetet strategjike të investimeve në këtë qark.

Berat

Edhe në qytetin muze të Beratit janë organizuar festime të shumta sa i përket kësaj feste pagane.
Bashkia e këtij qyteti ka organizuar edhe një koncerte me këngëtarë të njohur, gjithashtu edhe një moto-show i cili do të kulmojë gjatë orëve të mbrëmjes.

Lushnje

Ardhja e pranverës është festuar sot edhe nga banorët e qytetit dhe rrethit të Lushnjës.
Përgatitjet kanë nisur qysh mbrëmjen e djeshme, ndërsa mëngjesin e sotëm banorët kanë uruar njëri-tjetrin për stinën e re.

Vlorë

Të shumtë kanë qenë banorët e Vlorës që kanë festuar ditën, e cila përveç faktit se sjell pranverën,  por edhe moti sot ka qenë i ngrohtë dhe me diell duke favorizuar qytetarët e Vlorës.
Ndërkohë në sheshin Pavarësia në zonën e Skelës Bashkia e Vlorës ka organizuar aktivitete me artistë të ndryshëm vlonjat.

Saranda

Ndërkohë në Sarandë qytetarë të shumtë kanë dalë në shëtitoren e qytetit për të marrë rrezet e diellit të cilat sot janë më të ngrohta se ditët e tjera.
Por bashkia  e këtij qyteti ka qenë e kursyer për organizime festive.

Lezha

E kthyer në traditë edhe Lezha u bë pjese e festimeve për Ditën e Verës.
Bashkia zgjodhi kalanë e qytetit për të organizuar aktivitetin për 14-Marsin, ndërsa të shumtë ishin qytetarët që iu bashkuan festimeve.
Muzika e përzgjedhur dhe lojërat e ndryshme sportive ishin pjesë e aktivitetit të organizuar, i cili përmbushi pritshmëritë e qytetarëve të Lezhës.

a.m/Shqiptarja.com