TIRANË –  Dita e Veres ka sjellë gjallëri edhe në kryeqytet, në bulevardin e të cilit qytetarë të shumtë festojnë largimin e dimrit.

Që në mëngjes përgjatë bulevardit kryesor “Dëshmorët e Kombit”, të shihte syri embëlsirën tradicionale, ballokumet. Ndërsa bashkia e Tiranës i ka dhënë një dekor të ri kryeqytetit me rastin e 14 marsit, e cila festohet për herë të parë në mandatin e Lulzim Bashës.

Një sërë aktivitetesh për fëmijë e të rinj ishin përqëndruar kryesisht në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, lëvizja në të cilin gjatë paradites bëhej me vështirësi nga numri i madh i njerëzve.
Pas festive të fundvitit, në rrugën "Murat Toptani" është çelur Panairi i Produkteve Shqiptare, i cili bashkon bizneset e të gjitha trevave shqiptare, nga Kosova, Mal i Zi, Maqedonia, Presheva e Shqipëria.
Festa filloi me Ansamblin e Këngëve dhe të Vallëve, i cili performoi nën tingujt e muzikës tradicionale, pranë “Parkut Rinia”. Në anën tjetër të bulevardit, në sheshin “Nënë Tereza”, Banda e Qytetit interpretoi muzikë që në orët e para të mëngjesi.

NE NJE PANAIR BIZNESET SHQIPTARE
Mes shumë aktivitetevesh festive Tirana priti dhe 100 biznese shqiptare nga të gjitha trevat shqiptare, të cilët për dy ditë në rrugën "Murat Toptani" do të ofrojnë për qytetarët mallra cilësorë shqiptare. Biznese nga Kosova, Mal i Zi, Maqedonia, Presheva e Shqipëria iu bashkuan kësaj nisme. Kryetari i bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha duke vizituar panairin tha se ishte i lumtur që mirepret 100 biznese shqiptare.
”Është një hap i parë për të evidentuar potencialin e jashtëzakonshëm që kemi në këtë fushë që mund të realizohet vetëm përmes bashkëpunimit të biznesit pa perfillur kufijtë.”- tha Basha. Ai e vlerësoi dhe si një shans të jashtëzakonshëm, për të hapur vende të reja punë, dhe ftoi të gjithë qytetarët e Tiranës që të vizojnë këtë panair, “të njohin njëri-tjetrin dhe ti japim një impuls të ri produkteve shqiptare.”- tha Basha Panairi organizohet në kuadër të "Javëve të biznesit kombetar", event i organizuar në kuadër të 100 vjetorit të pavaresisë nga KASH dhe Aleanca Kosovare e Biznesit, në bashkëpunim me institucionet homologe ne Presheve, Mal te Zi, Maqedoni.

FESTIMET NE BULEVARD DHE TRAFIKU I BLLOKUAR
Në orën 11:00, në “Parkun Rinia", personazhet e dashur për fëmijët “Disney Land” u sollën nga animatorë profesonistë, të cilët organizuan dhe lojëra për të gjithë fëmijët. Një performancë artistike zhvillonin edhe fëmijët e qëndrës “TEN”, ndërkohë që u shfaq edhe pjesa "Shkopi magjik" nga Teatri i Metropolit.
Qyteti i artit ishte ngritur në lulishten "3 Vëllezërit Frashëri". Një bande rock me të rinj performonin muzikë, ndërkohë që rreth tyre kishte piktura të realizuara nga nxënës të Liceut Artistik "Jordan Misja”.
Festimet vazhduan deri në orën 14:00, ndërkohë që në mbrëmje, premiera "TR junior club" do të ngjitet në skenë e Teatrit të Metropolit.
Në një ditë si kjo me shkëlqimin dhe të bukurën ka dhe problemet e saj, sidomos për ata që udhëtojnë me makinë. Sot lëvizja e automjeteve ka qenë e pamundur, pothuajse gjithe paraditen, për shkak të njerëzve të shumtë që kishin pushtuar bulevardin dhe vërshonin nga cdo cep i Tiranës.
(sg/shqiptarja.com)